Koço Kokëdhima: Rama e ktheu partinë në një bandë të inkriminuar …

576
Unë dua ta siguroj Edi Ramën se nuk do t’i harrojmë asnjëherë dhe për asnjë çast arrogancën, brutalitetin dhe arbitraritetin që ushtroi paturpësisht mbi drejtuesit e “Zgjidhjes”, mbi Nertilën, Jolën, Irenën, Silvanën, Tedin, Arditin, Gjergjin, Brigelsin, Thomain, Klementinën, Marinelën, Eltonin, Sadritin e sa e sa të tjerë, të cilët i kërcënoi, i shantazhoi, i shpalli armiq të partisë, i shkarkoi nga funksionet dhe i pushoi nga puna. Këta janë luftëtarë të demokracisë. Këta kanë respekt për lirinë e tyre dhe për lirinë e popullit. Më kot përpiqen ta izolojnë “Zgjidhjen”. Ajo nuk izolohet. Mbështetësit e “Zgjidhjes” shtohen çdo ditë me qindra e me mijëra. Më kot përpiqen të na trembin. Ata e kanë lepurin në bark! Ata tremben nga idetë e “Zgjidhjes”! Dhe nuk e kanë gabim! Bëjnë mirë që tremben dhe tmerrohen nga platforma dhe shqiponjat e “Zgjidhjes”.
Në vitin 1991 në Shqipëri u vendos pluralizmi, por jo demokracia. Shqipëria nuk është një vend demokratik. Në këto 26 vite këtu është në fuqi partitokracia ose sundimi i kryetarëve. “Zgjidhja” do e shembë regjimin e partitokracisë! Do e shembë pushtetin e kryetarëve. Do të vendosë demokracinë dhe sundimin e popullit. “Zgjidhja” do të luftojë deri në fund për pastrimin e zgjedhjeve. Në këtë vend kryetarët nuk do të munden më të vjedhin, trafikojnë apo blejnë votat tona! Nuk do të jetë më si tani kur populli voton dhe kryetarët numërojnë votat. “Zgjidhja” do t’i reformojë partitë politike. Edhe Partinë Socialiste. Nuk do jetë më si tani që populli voton, kryetari zgjedh! Do t’ia marrim pushtetin abuziv kryetarit dhe do t’ua kthejmë socialistëve të bazës. Zgjidhja do ta rindërtojë të majtën në Shqipëri. 
Janë këto motive të ndritura që i bëjnë anëtarët e “Zgjidhjes” që të jenë shqiponja! Shqiponjat e “Zgjidhjes” për lirinë e Shqipërisë. Shkurt, “Shqiponjat e Zgjidhjes”! Në solidaritet të thellë e të plotë me të gjithë shoqet dhe shokët tanë që janë goditur e persekutuar nga kjo qeveri, ju ftoj të bëjmë me duar simbolin e shqiponjës. Nderim e mirënjohje për Shqiponjat e Zgjidhjes! Shëmbulli i tyre na frymëzon, na trimëron dhe është një apel i fuqishëm për të gjithë të majtët dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, që të mos frikësohen nga brutaliteti dhe represioni i qeverisë.
Zgjidhja nuk do të ndalet. Bashkohuni me “Zgjidhjen”! I ftoj të gjithë burrat dhe gratë e këtij vendi, të rinjtë e të rejat e universiteteve, shkollave, qyteteve dhe fshatrave që të bashkohen me ‘Zgjidhjen” dhe ta përmbysim rregjimin dhe klasën politike të korruptuar të Shqipërisë, të pastrojmë përçudnimin dhe kalbëzimin e sistemit tonë politik dhe të vendosim një demokraci kushtetuese të denjë për popullin tonë. Këta që drejtojnë prej 25 vitesh, të majtët e të djathtët, janë kusarë dhe rrënjëdalë. Ne nuk trembemi nga askush dhe nga asgjë. Ta ngrejmë popullin në këmbë. Të bashkuar si një trup i vetëm me popullin tonë, me nevojat dhe idealet e tij do ta thyejmë në mes kastën sunduese të këtij tranzicioni!
Është shumë e qartë se lidershipi i PS-së ka likuiduar dhe eleminuar çdo liri mendimi, shprehjeje dhe demokracie të brendshme në parti. Ky lidership, mori nën kontroll dhe drejtim një parti politike të mirëfilltë, të organizuar dhe me hapësira për mendimin ndryshe dhe debatin. Mori partinë më të mirë në vend dhe e ktheu në një bashkësi parapolitike, në një parti ku mendon, flet dhe vendos vetëm kryetari, pa asgjë të përbashkët me partitë e majta europiane, përveç dorës që shtërngon trëndafilin te simboli i PS-së, e ktheu PS-në në një parti antidemokratike. Rama e ktheu partinë në një bandë të inkriminuar. Asnjë armik i të majtës shqiptare nuk do ta bënte më mirë se Rama një plan për shkatërrimin e partisë më të rëndësishme politike në vend, Partisë Socialiste.
Lidershipi i Partisë Socialiste përjashtoi nga funksionet, si të gjithë drejtuesit e tjerë të “Zgjidhjes”, edhe mua, sepse nuk dëshiron që të lejojë asnjë liri për mendimin ndryshe dhe debatin në parti. Kurrë ndonjëherë nuk ka qenë në këtë derexhe Partia Socialiste.
Sigal