Koço Kokëdhima: Pavarësisht qëndrimeve, PS-LSI bashkëpunojnë ngushtë për Reformën në Drejtësi

485
Deputeti socialist, Koço Kokëdhima, i pyetur për temën e reformës në sistemin e drejtësisë po ashtu edhe për qendrimet e ndryshme që kanë mbi këtë reformë PS dhe LSI, tha për gazetarët se divergjencat brenda koalicionit qeverisës për këtë çështje janë normale. Kokëdhima theksoi po ashtu se pavarësisht mendimeve ndryshe për reformën në drejtësi, PS-LSI vijojnë sipas tij të jenë në një bashkëpunim të ngushtë. “Është një proces i komplikuar. Është shumë normale që për një reformë të tillë, partitë të kenë diferenca, të kenë ide të ndryshme por të kenë edhe të përbashkëta. Jemi një koalicion, jemi pjesë e së majtës së bashkuar dhe do të shkojmë gjithnjë përmes një bashkëpunimi të ngushtë do t’i afrojmë gjithnjë qëndrimet tona” – tha Kokëdhima. Ndërsa lidhur me shtyrjen e Kongresit të PS-së për në muajin mars, ndonëse i planifikuar për në janar, për deputetin e kësaj partie, nuk përbën problem nëse sipas tij do të ketë një reformim cilësor të PS-së. “Nuk është thelbësore nëse Kongresi bëhet këtë muaj apo bëhet muajin tjetër. Me rëndësi të madhe janë proceset politike që zhvillohen. Edhe vëmendja jonë është e përqendruar në këto procese politike”, deklaroi Kokëdhima nga Vlora. Ai shtoi se “ne nuk kemi problem në parti me njëri-tjetrin, jo doli fjala ime, jo doli fjala jote. Tek ne ekziston një debat tjetër, debati si të përmirësojmë cilësinë e qeverisjes, si të përmirësojmë ekonominë e vendit, si të zgjidhim problemet e njerëzve dhe si ta modernizojë PS-në dhe ta bëjmë të aftë që t’iu përgjigjet këtyre nevojave që kanë qytetarët”, deklaroi deputeti socialist.
Sigal