Koalicioni PS-LSI, Meta: Kemi bashkëpunim korrekt, raportet tona janë të qëndrueshme

418
Kreu i LSI, Ilir Meta, i ka quajtur zërat për një përçarje mes partisë së tij dhe Partisë Socialiste si pjesë të “klimës verore” dhe mungesë lajmesh, duke theksuar se marrëdhëniet mes tyre janë të qëndrueshme. “Mendoj që sa herë ka mungesë ngjarjesh apo lajmesh, gjithmonë do të ketë hapësirë për të krijuar një klimë të tillë mediatikisht. Për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe për mua si kryetar i saj ekziston një bashkëpunim shumë konstruktiv dhe korrekt me Partinë Socialiste. Ky bashkëpunim vijon në mënyrë konsistente dhe natyrisht që gjithçka unë do ta cilësoja si pjesë të gjithë kësaj klime verore me temperatura më të larta sesa i parashikon”, ka thënë Meta, duke nënvizuar se raportet e tij me Ramën edhe në bazë janë mjaft të qëndrueshme dhe bashkëpunuese. Ndërsa për zgjedhjet e 21 qershorit, ku kandidatja e LSI-së kishte humbur Bashkinë e Pogradecit, LSI e cilësoi garën për këtë qytet si “Pazari i Roskovecit”, Meta tha se kjo nuk është çështje serioze. “Nuk mendoj se ka ndonjë çështje kaq serioze dhe besoj se bashkëpunimi midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është shumë më i qëndrueshëm se mendohet. Pastaj për deklarata të individëve të caktuar nuk duhet të shqetësohemi sepse jemi në një vend demokratik dhe forcat tona politike janë demokratike. Mendoj se e rëndësishme është qëndrimi politik i të dyja forcave dhe ky qëndrim është një qëndrim korrekt, parimor dhe bashkëpunues. Pastaj, për individë periferikë mendoj se është çështja e parëndësishme”, tha kreu i LSI.
Sigal