Koalicioni me PS, PDIU prezanton 3 kandidatët, negociata për Patosin

508
TIRANE – PDIU ka prezantuar sot kandidatët e saj në tre bashki ku mendon se ka potencialin më të madh për të fituar. 
Sipas Vjollca Brahos kandidatët e PDIU do të jenë: për Konispolin do të kandidojë kryetarja aktuale e bashkisë Mimoza Arapi, në Rrogozhinë kandidat për bashkinë do të jetë biznesmeni Beqir Nuredini ndërsa në Peqin do të kandidojë Saimir Hasalla. 
Ndërkohë Braho tha se PDIU është aktualisht në negociata edhe për bashkinë e Patosit.
Fjala e plotë e Vjollca Brahos
Gjatë javëve të fundit, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar konsultime intensive në strukturat e saj dhe në bashkësitë vendore, ku PDIU ka një peshë specifike elektorale.
Ashtu sikurse jeni në dijeni, ne jemi dakorduar me forcën më të madhe të koalicionit, Partinë Socialiste, për të dalë me 61 kandidatura të përbashkëta në të gjithë vendin.
Ne kemi rënë dakord të bashkojmë energjitë, vizionin, programet dhe fuqinë njerëzore për t’i dhënë frymëmarrje pushtetit vendor dhe për të rritur mirëqënien ekonomike dhe sociale të gjithë qytetarëve shqiptarë nga Konispoli në Vermosh.
Konsultimet e kryera gjatë këtyre javëve kanë pasur në thelb propozimin e kandidaturave, të cilat do të administrojnë bashkitë e reja, në shërbim të qytetarëve.
Në fund të këtij procesi, kam kënaqësinë, që në emër të kryesisë së PDIU-së, grupit parlamentar dhe strukturave të tjera drejtuese, t’ju prezantojë kandidatët që Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet do të propozojë në tryezën e aleatëve:
1. Mimoza Arapi për Bashkinë Konispol. Znj. Arapi ka drejtuar me sukses bashkinë në katër vitet e fundit. Si kryetare e Forumit të Gruas, jam e bindur që një femër, nënë dhe mësuese, energjike dhe vizionare do ta kthejë Konispolin, në një vatër të re të jugut të vendit.
2. Beqir Nuredini për Bashkinë e Rrogozhinës. Z. Nuredini është një sipërmarrës i suksesshëm dhe administrator i sprovuar, i lindur dhe i rritur në Rrogozhinë. Kandidatura e z. Nuredini përbën një vlerë të shtuar për Rrogozhinën dhe rikonceptimin pushtetin vendor në Shqipëri .
3. Sajmir Hasalla për Bashkinë e Peqinit. Z. Hasalla është jurist në profesion dhe ka qenë një drejtues i suksesshëm i institucioneve publike në zonën e Peqinit, si edhe me përvojë në administratën e Kuvendit të Shqipërisë.
4. Ndërkaq, po vijojnë negociatat në lidhje me Bashkinë e Patosit.
Kandidaturat e koalicionit parazgjedhor do të jenë të përbashkëta. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka vendosur të kontribuojë me platforma për zhvillimin e njësive të pushtetit vendor, përfaqësuar nga individë, të cilët në rrugëtimin e tyre jetësor kanë vërtetuar se janë në lartësinë e duhur për rritjen e mirëqënies së qytetarëve dhe përbëjnë garanci për fitore në zgjedhjet e ardhshme.
Prezantimi i kandidatëve ka ardhur pas negociatave me Partinë Socialiste.
Sigal