Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë: “Ministria e Mbrojtjes ka cenuar ligjin me spotet e saj duke shkelur Kodin Zgjedhor”

493
Sigal

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka publikuar një raport për ecurinë e procesit zgjedhor dhe ka evidentuar disa shkelje të Kodit Zgjedhor. Një nga këto shkelje ka të bëjë edhe me rolin që luajnë mediat në procesin zgjedhor. Duke qenë se fushata zgjedhore ka filluar para afatit, mediat e kanë pasqyruar gjerësisht dhe kanë dhënë edhe spotet elektoralë.  Media, pavarësisht fillimit në mënyrë joligjore të fushatës, ka transmetuar gjerësisht takimet elektorale të subjekteve zgjedhore si dhe spotet elektorale të disa prej tyre, përmendim këtu spotin elektoral të Partisë Demokratike, i cili ka filluar të transmetohet përpara disa ditësh. Transmetimi i parakohshëm i spoteve elektorale prek barazinë në kohën e transmetimit të spoteve elektorale midis subjekteve zgjedhore, duke favorizuar në kohë mediatike subjekte të caktuara. Transmetimi i parakohshëm i këtyre spoteve prek barazinë në garën elektorale, ndaj Koalicioni i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të gjejë hapësirat që i ofron ligji dhe të marrë masa për ndalimin e menjëhershëm të transmetimit të tyre si dhe masat e parashikuara administrative ndaj subjektit elektoral përkatës. Gjithashtu, Koalicioni ka konstatuar se në disa prej mediave audiovizive prej ditësh po shfaqet një spot (reklamë televizive) e Ministrisë së Mbrojtjes mbi “anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”. Koalicioni vëren se ky transmetim është në shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor. Ndaj Koalicioni i kërkon Ministrisë së Mbrojtjes që ta ndalojë urgjentisht këtë transmetim si dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të marrë masat sanksionuese përkatëse. Më synim mbarëvajtjen sa më të mirë të procesit, Koalicioni fton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të informojë nëpërmjet një njoftimi për shtyp të gjithë operatorët mediatikë, qendror apo lokal, shtetëror apo privat mbi risitë e këtyre ndryshimeve e në veçanti në lidhje me mbikëqyrjen e mbulimit që do t’i bëjë media fushatës zgjedhore. Ky njoftim duhet parë si një detyrim dhe përgjegjësi e KQZ-së për të rritur vëmendjen mbi zbatueshmërinë e ligjit, por sidomos për të shmangur goditjen e qëllimshme apo të njëanshme të operatorëve mediatikë, e cila përbën kërcënim serioz për lirinë dhe pavarësinë e medias në vend. Instrumenti ligjor i parashikuar në këtë rast mund të kthehet lehtësisht nga instrument monitorimi në një mjet presioni.