Knut Fleckenstein: Qeveria duhet t’i marrë më seriozisht kërkesat e studentëve

434
Sigal

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein deklaroi se studentët e kanë arritur qëllimin e tyre, së paku pjesërisht.  Knut Fleckenstein nga Brukseli i bën edhe një apel qeverisë shqiptare, që t’i marrë më seriozisht kërkesat e studentëve. Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, shprehet se protesta e studentëve, me kërkesa të qarta, është pjesë e demokracisë. Gjithashtu, Knut Fleckenstein shpreson që qeveria të realizojë sa më shumë të jetë e mundur lidhur me aksesin më të mirë për të gjithë në sistemin e arsimit dhe për t’i pajisur të rinjtë me aftësi dhe njohuri më të mira për tregun e punës.

Knut Fleckenstein, eurodeputet: Është një shenjë e qartë e një shoqërie civile aktive dhe plot jetë dhe gjithashtu një tregues i demokracisë. Demokracia nuk është vetëm të votosh çdo katër vjet. Ka një qeveri të zgjedhur, që duhet t’i marrë çështjet shumë seriozisht, t’i shqyrtojë ato dhe të shohë se ç’mund të realizohet. Kam dëgjuar, se disa çështje po diskutohen, dhe ministrja e re për Arsimin ka marrë përsipër disa detyra. Kjo do të thotë që studentët e kanë arritur qëllimin e tyre, së paku pjesërisht. Nuk jam gjyqtar. Nuk mund të ndërhyj në çështje të brendshme dhe të cilësoj, nëse kjo është e mjaftueshme apo jo. Por parimi “Gjithçka ose asgjë” përgjithësisht nuk ndihmon. Gjithsesi, të përcaktosh kërkesa të qarta dhe të luftosh për to është pjesë e demokracisë.