KLSH: Studentët kanë të drejtë, qeveria shkeli autonominë dhe ligjin

509
Sigal

Tarifat e shkollimit nuk bazohen në kosto dhe kushtet social-ekonomike të vendit

Raporti KLSH për arsimin e lartë: Fondi buxhetor për vitin 2017 për arsimin e lartë, grant mësimdhënieje plus kërkimi shkencor ishin 1,50% dhe 0,44%

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar auditimin e performancës “Cilësia dhe tarifimi i shërbimeve studentore pranë Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) publike” dhe në nja raport të publikuar, ka konstatuar se fondet buxhetore për arsimin janë të ulëta, ligji për arsimin i vitit 2015 është i mirë, por nuk zbatohet, modeli i pranimit në universitete nuk është i duhuri, ndërsa kurrikulat janë teorike dhe larg nevojave reale. KLSH ka sjellë në vëmendje dhe modelin gjerman të universiteteve, ndër më të mirët e botës, i cili në pjesën më të madhe ofrohet falas. “Financimi i arsimit të lartë në Shqipëri dhe produktet e këtij financimi vijojnë të mbeten çështje të parregulluara, kaotike, pa një model të qartë zhvillimi dhe larg realitetit evropian ku aspirojmë të shkojmë”, ishte qasja që shoqëroi auditimin.

KLSH konstatoi disa problematika si:

  1. a) Shërbimet ndaj studenteve janë të limituara dhe me shumë hallka burokratike;
  2. b) Mungesa e indikatorëve të matjes së performancës së shërbimeve ndaj studenteve;
  3. c) Cilësia e ulët e shërbimeve të ofruara pranë IAL-ve publike ndaj studentëve;
  4. c) Tarifat e shkollimit janë të vendosura jo mbi bazën e analizës së kostove dhe kushteve social ekonomike te vendit; etj.

Fondi buxhetor për arsimin në tërësi për vitin 2017 përbënte rreth 7,41% të totalit të shpenzimeve publike dhe 2,18% të Produktit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që për arsimin e lartë (grant mësimdhënieje plus kërkimi shkencor) vlerat respektive ishin 1,50% dhe 0,44%. Raporti ka identifikuar një sërë dobësish si: Planifikim i dobët i kërkesave në PBA-të respektive të fakulteteve për shërbimet studentore; Numri i ulët i shërbime studentore; Mungesa e Strategjisë për Arsimin e Lartë; Struktura administrative të fryra dhe jo efiçente pranë rektorateve; Koha e gjatë për marrjen e shërbimeve studentore. Ndërsa niveli i ulët i financimit të Arsimit të Lartë konsiderohet si një Risk Strategjik I Lartë për Ministrinë e Arsimit.

Mangësi të theksuara dhe të përsëritura

KLSh thekson se në drejtim të implementimit të Ligjit, grupi i auditimit konstaton se të gjithë aktorët e përfshirë kanë mangësi të theksuara dhe të përsëritura. MASR, e ngarkuar nga Ligji me nxjerrjen e akteve nënligjore për mirëfunksionimin e tij, ka dështuar t’i nxjerrë këto akte në kohë. Gjithashtu, në rastet kur MASR ka nxjerrë akte nënligjore apo ka propozuar në Këshill Ministrash dhe më pas janë nxjerrë VKM në zbatim të Ligjit, këto akte kanë tejkaluar kompetencat e Ministrisë, duke hyrë në ato të IAL-ve. Shembuj të tillë janë udhëzimet e përsëritura për pranimet e studentëve të ciklit të parë (bachelor) në IAL, VKM-ja nr. 288, dt. 21.05.2018, që specifikonte përllogaritjen e tarifës në bazë kreditesh që duhet të paguanin studentët përsëritës në një apo disa lëndë, VKM-ja nr. 656, dt. 31.10.2018 (pika 5) që përcakton masën e shpërblimit për anëtarët e Senateve Akademike dhe Bordeve të Administrimit në IAL-të publike, në kundërshtim flagrant kjo me autonominë financiare të IAL-ve të garantuar nga ligji.

Përfaqësuesit e qeverisë nuk njohin bazën ligjore

Të gjitha këto ndërhyrje të munguara apo të pastudiuara të përfaqësuesit të qeverisë në arsimin e lartë publik, dëshmojnë në rastin më të mirë për një mosnjohje të bazës ligjore dhe në rastin më të keq për një centralizim të panevojshëm të vendim-marrjes në dëm të zhvillimit të arsimit. Ligji i ri i arsimit të lartë, i konceptuar me kujdes për t’iu dhënë autonominë e nevojshme IAL- publike dhe rivitalizuar rolin e këtyre IAL-ve në kërkim shkencor e arsim bashkëkohor, nuk është implementuar siç duhet nga të gjithë aktorët e përfshirë në sektorin e arsimit të lartë. MASR vijon të veprojë kundra këtij Ligji, përmes centralizimit të panevojshëm që i bën nga njëra anë me akte të panevojshme nënligjore funksioneve që në fakt Ligji ua njeh IAL-ve dhe nga ana tjetër, duke mos bërë funksionale strukturat përkatëse për financimin dhe rregullimin e arsimit të lartë. Anëtarët përfaqësues të kësaj ministrie në bordet e administrimit të IAL-ve publike, ku përfaqësojnë shumicën vendim-marrëse, nuk i kanë kryer me përgjegjshmëri detyrat e tyre, duke mos garantuar qëndrueshmërinë financiare autonome të këtyre institucioneve, madje duke marrë vendime financiare pa analiza kostoje për tarifimin e shërbimeve që ofrojnë. IAL-të vijojnë të mbeten pasive në marrjen përsipër të përgjegjësive për të ofruar një arsim cilësor ndaj studentëve të tyre, kërkim shkencor real (jofiktiv dhe aplikativ) dhe tarifa konkurruese për të financuar me kosto optimale shërbimet e tyre. Mendësia e drejtuesve të IAL-ve publike nuk është ende përshtatur me vizionin dhe kompetencat e Ligjit të Ri të Arsimit të lartë, ndërsa mendësia e pedagogëve vijon të jetë më afër asaj të mësuesit sesa kërkuesit shkencor. Nën perceptimin e studentëve, IAL-të kujdesen pak ose aspak për cilësinë e shërbimeve që ofrojnë tek ta.

Mesazhet

Në mënyrë të përmbledhur mesazhi kryesor për auditimin e performancës së pranimit në IAL publike nëpërmjet Maturës Shtetërore 2016 ishte:

“Modeli i pranimit që u aplikua në vitin 2016 dhe po përpiqet të implementohet sërish, nuk është ai i duhuri, si në konceptim, ashtu edhe në aplikim. Ky model nuk është në përputhje me frymën e Ligjit 80/2015 dhe as me praktikat e mira të vendeve perëndimore prej nga ky Ligj është përshtatur. MAS dhe QSHA duhet të angazhohen aktivisht në procesin e aplikimit, duke e nisur më herët atë në kohë, asistuar aplikantët dhe IAL-të në kërkesat e tyre për mbarëvajtjen e duhur të procesit kundrejt tarifave të arsyeshme dhe kryerjen e procesit të regjistrimit të fituesve pa interferuar me procesin e pranimit, por në fund të tij, mbështetur në listat përfundimtare të dërguara nga IAL-të. IAL-të duhet ta konceptojnë, dizenjojnë dhe implementojnë vetë procesin e pranimit, në përputhje me Ligjin dhe praktikat e mira. Kriteret e tyre e të pranimit duhet të reflektojnë një politikë afatgjatë të tyren, që t’i mundësojë aplikantëve profilizimin potencial në arsimin e mesëm, sikurse nuk duhet të kufizohen vetëm në përllogaritjen e mesatareve, por mund të përfshijnë edhe aspekte të tjera të vlerësimit të kandidatëve, sidomos për programet e preferuara të studimit.” Ndërsa mesazhi i auditimit mbi kurrikulat universitare dhe avancimin në karrierën akademike ishte: “Kurrikulat universitare në IAL-të publike, për ciklin e parë dhe të dytë, janë në një fluks të vazhdueshëm ndryshimi, por shpeshherë të shkëputura nga realiteti, të patestuara në mjedisin shqiptar, të lidhura me interesat personale të profesoratit dhe të riskuara për mos të krijuar një traditë në vazhdimësi dhe ekuivalentim dijesh ndër vite. Avancimi në karrierën akademike i studiuesve të rinj është i sforcuar, me punime shkencore me vlerë të ulët aplikative dhe i pambështetur financiarisht nga fakultetet.”

Gjermania: Arsimi i Lartë falas

Shteti gjerman mbështet fuqishëm arsimin e lartë dhe financon universitetet, duke mbuluar pagesat e shkollimit. Përveç kësaj, qeveria gjermane gjithashtu përfshin programe të mbështetjes financiare për studentët. Shërbimi për Shkëmbimin Akademik Gjerman (DAAD) është një program ndihme financiare që fokusohet tek studentët dhe studiuesit gjermanë dhe ndërkombëtarë. Deutschlandstipendium – ofron çmime prej 300 euro/muaj për studentët e talentuar për të paktën dy semestra. Universitetet publike në Gjermani financohen nga Landet dhe nuk caktojnë tarifa për shkollim. Universitetet publike në Gjermani nuk kanë tarifa shkollimi për programet Bachelor dhe Master (me përjashtim të rasteve kur programi Master fokusohet në një degë tjetër, të ndryshme nga ajo në Bachelor). Sistemi i arsimit falas është në dispozicion për të gjithë studentët ndërkombëtarë, pavarësisht vendit të tyre të origjinës. Shteti i Baden-Württemberg ka rivendosur tarifat e shkollimit në universitetet publike duke filluar nga 2017. Nga vjeshta 2017, studentët të cilët nuk janë shtetas të një shteti anëtar të BE/EEA pritet të paguajnë 1.500 euro për semestër. Kjo përfshin universitetet në Shtutgart, Karlsruhe, Mannheim, Freiburg, Heidelberg dhe disa qytete të tjera. Megjithatë, të gjithë studentët e regjistruar në një universitet publik në Gjermani duhet të paguajnë një tarifë semestrale administrative për universitetin. Tarifa e semestrit zakonisht varion midis 100-300 euro për semestër dhe mbulon shërbimet e organizatës së studentëve dhe regjistrimin. Kjo tarifë gjithashtu mbulon një biletë transporti publik për qytetin dhe ndonjëherë edhe për zonat përreth. Në Gjermani janë rreth 300 universitete publike dhe ka më shumë se 1.000 programe studimi në total. Disa nga universitetet më të mëdha publike janë: Universiteti i Këlnit, Universiteti Ludëig Maximilians në Mynih (LMU), Universiteti Goethe Frankfurt, Universiteti i RËTH Aachen, Universiteti i Munster-it, Universiteti Ruhr Bochum, Universiteti i Duisburg-Essen, Universiteti i Hamburg-ut, Universiteti i FAU Erlangen-Nürnberg, Universiteti Teknik i Mynihut (TUM). Në Gjermani ekzistojnë bursa të sponsorizuara nga universiteti dhe bursa të ofruara nga një numër i institucioneve publike dhe private. Zakonisht këto bursa ofrohen për të mbuluar shpenzimet e jetesës dhe librat.

Sugjerimet e studentëve

KLSH zhvilloi një pyetësor me 1.322 studentë, pra rreth 1,1 % e totalit të studenteve në rang vendi . Krahas pyetjeve të mbyllura pyetësori përmbante dhe pyetje të hapura Sugjerimet e studentëve: Të përmirësohet infrastruktura (ndriçimi, sallat e leksioneve, ngrohja, etj.) Komunikimi sa më i ngrohtë ndaj studentëve. Metodologji të ndryshme dhe dhënia e rezultateve sipas meritave. Studentët të informohen rreth pjesës së tarifës së studimit se ku shkojnë ato? Çfarë përmirësimesh kanë ndodhur në fakultetin ku studion nga tarifat që studentët paguajnë? Ulje të tarifës së studimit, pasi paguajmë një tarifë shumë të lartë krahasuar me mundësitë ekonomike dhe njohuritë që marrim. Unë jam duke ndjekur studimet në nivel master dhe pothuajse të gjitha lëndët janë përsëritje e atyre që kemi zhvilluar në bachelor, pra mbetemi vetëm në nivelin teorik dhe kjo gjë nuk na përgatit siç duhet për tregun e punës. Sugjerimi im do të ishte të ketë më shume efektivitet dhe transparence në përdorimin e fondeve. Më shumë informacion nga qendra e karrierës. Më shume informacion rreth bursave apo praktikave. Rregullimi i infrastrukturës së sallave. Në Universitetin e Tiranës prej dy vitesh mungon sistemi në të cilin hidheshin notat e provimeve, duke e bërë shumë të vështirë informimin mbi notat. Mendoj se përmirësimi duhet të fillojë nga sekretaret, të cilat me mungesën e hapur të komunikimit që shfaqin e tregojnë qartë se ku fillon defekti në fakultetet publike. Duhet të jenë më shumë salla leksionesh që të evitohet mësimi pasdite. Duhet të funksionojë këshilli studentor. Ofrim i punës me kohë të pjesshme për studentë nga universitetet dhe angazhimi i tyre, si p.sh. në sekretari, biblioteka, etj. Gjithashtu do të sugjeroja që të zhvilloheshin më shumë orë praktike sesa teorike. Përmirësim i infrastrukturës, ripërzgjedhje e literaturës, pasi pjesa më e madhe janë libra të pedagogëve, saqë ndodh që për të njëjtën lëndë, brenda të njëjtës degë përdoren dy libra të ndryshëm në varësi të pedagoges që jep mësim, pasi secila përdor librin e vet. Vendosja e portalit studentor online; Reduktimi i procedurave burokratike për marrjen e vërtetimeve studentore; Portali mund të funksionoje si e-Albania.