KLSH, skaner turizmit në vend, ja problemet 20 vjeçare dhe plagët që duhen shëruar

1052
“Efektiviteti i Politikave për Zhvillimin Strategjik të Turizmit”. Sektori i turizmit ka një mungesë bashkëpunimi dhe komunikimi midis subjekteve, mungesë eficence dhe efektiviteti
Kontrolli i Lartë i shtetit ka ushtruar një kontroll të përgjithshëm lidhur me efektivitetin e politikave për zhvillimin e turizmit në vendin tonë. Por ajo që është konstatuar, është një plagë e cila ende nuk po mund të shërohet, pavarësisht përpjekjeve të çdo qeverie për të ndërhyrë me politikat e tyre. Ky auditim është zhvilluar në bazë të indicieve të marra. Në ndihmë të këtij auditimi ka ardhur dhe Zyra Supreme e Auditimit të Kroacisë, në kuadër të projektit IPA për “Forcimin e Kapaciteteve të Auditimit të Jashtëm në Shqipëri”. Në sitën e këtij auditimi ka qenë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, që ka në varësi dy agjenci: Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, e cila ka si mision të sajin mbrojtjen dhe zhvillimin e zonës bregdetare, dhe Agjencinë Kombëtare të Turizmit, e cila ka si mision promovimin dhe krijimin e identitetit të turizmit shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Pas përfundimit të auditimit në terren, u hartua edhe raporti, ku u hodhën hap pas hapi të gjitha gjetjet. 

Problemet 
KLSH ka vërejtur se turizmi vuan nga një mungesë efektiviteti, sepse më parë dhe aktualisht, kanë munguar dhe vazhdojnë të mungojnë politikat e orientuara kah krijimit të produkteve turistike, strategjitë e bazuara në studime dhe plane veprimi të mirë detajuara. Duke parë ndikimin që ky sektor ka në zhvillimin ekonomik dhe të qëndrueshëm është mjaft e rëndësishme që shërbimi i turizmit të orientohet përgjatë një strategjie të analizuar, hartuar dhe detajuar me objektiva të arritshëm. Kjo strategji duhet të reflektojë dhe të orientohet kah zgjidhjes së problematikave në këtë sektor, të tillë që të përmirësojë të gjitha mangësitë e mëparshme dhe të krijojë baza për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit. Një tjetër problematik është vërejtur tek Ligji i ri Nr.93/2015 “Për Turizmin” i cili nuk u plotësua me nxjerrjen në kohë të akteve ligjore dhe nënligjore, duke u shoqëruar kështu edhe me mos krijimin e disa Institucioneve kyçe që parashikohen në Ligj. Ka shumë drejtime në turizëm të cilat mbeten ende të parealizuar. Ato lidhen me zhvillimin e qendrueshëm, forcimin e strukturave institucionale, hartimin apo rishikimin e planeve urbanistike, krijimin e një sistemi sipas standardeve ndërkombëtare, kategorizimin dhe standardizimin e strukturave akomoduese, zhvillimi i elementëve infrastrukturorë, arsimimi dhe trajnimi i burimeve njerëzore në shërbim të turizmit, rritja e financimeve për mbrojtjen dhe rruajtjen e vendeve me rëndësi natyrore dhe kulturore, angazhimi i sektorit publik/privat, marketingu dhe promovimi i turizmit brenda dhe jashtë vendit, promovimi i praktikave më të mira, telekomunikacioni dhe interneti janë një komponent i rëndësishëm dhe domosdoshmërish në rritje për promovimin e sektorit të turizmit dhe komunikimin. 

Institucionet dhe mungesa e kushteve për zhvillimin e turizmit
Në përfundim të auditit u arrit në konkluzionin se masat e marra nga qeveria dhe institucionet përgjegjëse për turizmin, mund të sigurojnë kushtet paraprake për zhvillimin e sektorit të turizmit në situatën në të cilën ndodhet, por nga ana tjetër ato janë të pamjaftueshme për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të tij në periudhën afatgjatë. Sektori i turizmit, së bashku me institucionet përgjegjëse për turizmin, vuajnë nga një mungesë eficence dhe efektiviteti. “Ky sektor vuan nga një mungesë eficence dhe efektiviteti, sepse më parë dhe aktualisht, kanë munguar dhe vazhdojnë të mungojnë politikat e orientuara kah krijimit të produkteve turistike, strategjitë e bazuara në studime dhe plane veprimi të mirë detajuara, objektiva të qartë dhe të arritshëm për të siguruar zhvillimin ekonomik të pritshëm, marrë në konsideratë faktin se këto janë shoqëruar nga mosrealizimi i tyre në kohë dhe me cilësi. Pavarësisht përpjekjeve pozitive me projekte të ideuara nga AKB, sektori i turizmit ka një mungesë bashkëpunimi dhe komunikimi midis subjekteve në funksion të të cilave është përmirësimi i treguesve të turizmit si dhe historiku i zhvillimit në vite të shërbimit publik për turizmin.” Në raportin e tij, KLSH nënvizon se nuk ka një strategji të miratuar për vitet 2017-2022 dhe që tashmë duhet të ishte e disponueshme. “Megjithëse kanë kaluar 3 vjet nga hartimi i Draft-Strategjisë Kombëtare për Turizmin 2014-2020, sektori i turizmit nuk ka një Strategji të Miratuar për Zhvillimin e Qëndrueshëm të tij, por vetëm një draft-strategji për vitet 2017-2022, me të dhëna statistikore që nuk pasqyrojnë saktësisht realitetin, me objektiva që janë të vështirë për t’u arritur, i cili është një studim i GIZ dhe jo një dokument i hartuar nga MZHETTS dhe DPZHT” thuhet në raport. Statistikat janë një tjetër mangësi që shfaq sektori dhe institucionet që janë pjesë e tij dhe që duhet të sigurojnë mbarëvajtjen. KLSH vëren se disa formate raportimi që duhet të bëheshin çdo muaj pranë agjencive dhe tur-operatorëve nuk janë plotësuar dhe për pasojë nuk ka asnjë shifër. Mungesa e statistikave reale të sektorit bën që edhe strategjitë të kenë vështirësi dhe mangësi në rast hartimi. Në takimet e Task Forcës së Turizmit ka pasur gjithmonë një vëmendje të veçantë për të nxjerrë si problem mungesën e sinjalistikës por pavarësisht kësaj masat kanë qenë anemike. Edhe KLSH e cilëson këtë si negative. “Mungesa e studimeve të hartuara qartë dhe saktë me të gjithë faktorët që kanë ndikim në zhvillimin e një produkti turistik, mungesa e sinjalistikës së nevojshme për informimin e turistit, sjell efekte negative në planifikimin e masave dhe veprimeve për zhvillimin e turizmit” thuhet në raport. Sikur të mos mjaftonin këto gjithë kuadri ligjor që është i ri sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit shfaq mangësi ndërkohë që kategorizimi si një nismë kyçe nuk ka bërë asnjë hap para. “Mungesa e strategjive të bazuara në studime dhe plane veprimi, mungesa e nxjerrjes së akteve ligjore dhe nënligjore në kohë si dhe mungesa e krijimit të disa institucioneve të rëndësishme që parashikohen në Ligj, jo vetëm që e zvogëlojnë efektivitetin e institucioneve, por vënë në dyshim funksionimin e tyre të plotë si dhe ndikojnë negativisht në zhvillimin e turizmit. “Turizmi prioritet”, do të ishte më frytdhënës me legjislacion të kompletuar, punë konkrete, komunikim dhe bashkëpunim të ngushtë me sektorin publik dhe privat, me qëllim zhvillimin e këtij komponenti të rëndësishëm të ekonomisë sonë”, thuhet në raportin e KLSH. Ka mungesë të studimeve të hartuara qartë dhe saktë me të gjithë faktorët që kanë ndikim në zhvillimin e një produkti turistik, mungesa e sinjalistikës së nevojshme për informimin e turistit, sjell efekte negative në planifikimin e masave dhe veprimeve për zhvillimin e turizmit. Rekomandohet që DPZHT të kryejë studime të sakta dhe të parashikojë të gjitha ndikimet ekonomike, sociale, ekologjike që mund të sjelli zhvillimi i një produkti të caktuar turistik, me qëllim marrjen e masave të duhura dhe vendosjen e objektivave të arritshëm. Ndërkohë Specialisti përgjegjës për menaxhimin e informacionit të pasqyruar në faqen e internetit të kryejë përditësimin e informacionit si dhe vendosjen e saktë të tij. Strukturat organizative në të gjitha nivelet (kombëtar, rajonal dhe lokal) të njësive përgjegjëse për të siguruar zhvillimin e turizmit nuk janë të mirë-organizuara. Mungesa e planeve të detajuara mbi organizimin e udhërrëfyesve në destinacionet turistike ka sjellë, mos informimin e turistit mbi shërbimet turistike dhe mungesën e metodave alternative të promovimit. Rekomandohet që MZHETTS të hartojë dhe miratoj plane pune për organizimin në terren të udhërrëfyesit turistik. Ndërsa mungesa e auditimeve të brendshme për sektorin e turizmit dhe institucionet përgjegjëse për zhvillimin e tij, ka krijuar mangësi në përmbushjen me përpikëri të detyrave funksionale që ngarkon Ligji 93/2015 “Për Turizmin”. Edhe për këtë ka rekomandimet përkatëse. Kërkohet nga Drejtoria e Auditit të Brendshëm të kryejë auditime mbi strukturat përgjegjëse për turizmin, mbi realizimin e detyrave që ngarkohen sipas Ligjit 93/2015 “Për Turizmin”. Një problematikë ka dalë edhe në mbivendosjen e përgjegjësive midis institucioneve. Në institucionet përgjegjëse të turizmit rezulton se ka mbivendosje të detyrave, konkretisht në promovimin e produktit, destinacionit turistik dhe investimeve në zonat me prioritet zhvillimin e turizmit brenda dhe jashtë Shqipërisë, e cila sjell konfuzion në identifikimin e prioriteteve të institucioneve, si dhe pamundësinë e evidentimit të përgjegjësive. I është rekomanduar AKB dhe DPZHT të përmirësojnë rregulloret dhe veprimtaritë e tyre përkatëse me fokus administrimin e zonave bregdetare dhe hartimin e politikave të qëndrueshme të turizmit, duke u përqendruar më pak në promovimin e produktit, destinacionit turistik dhe investimeve në zonat me prioritet zhvillimin e turizmit brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në promovimin e turizmit shqiptar, si një detyrim tërësisht qendror i tyre, AKT dhe MZHETTS të shumëfishojnë përpjekjet në spektrin e strukturave, detyrave dhe kompetencave të fushës. 
Sigal