KLSH, pas auditimit kallëzon në prokurori për shkelje

453
Sigal

Kallëzim penal për ish-drejtuesit e ALUIZNI-t në Shkodër dhe anëtarët e bordit në Komunën Zall Herr

Pas auditimit të realizuar për periudhën janar 2011 – dhjetor 2012, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje në Agjencinë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), Shkodër dhe në komunën Zall Her, në Tiranë. Për këtë arsye KLSH ka kallëzuar në prokurori, ish-drejtuesit e ALUIZNI-t në Shkodër. Konkretisht, KLSH ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për 6 ish-përgjegjës sektori të këtij institucioni. Ish drejtuesit e ALUIZNI-t janë identifikuar me inicialet G.L, E.SH., P.K., N.J., B.J. dhe F.P, të cilët akuzohen për shpërdorimin e detyrës, për mangësi, shkelje e të meta që bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Konkretisht:

– Moszbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, për mënyrën dhe afatin e kualifikimit të dokumentacionit të dosjes së legalizimit të objektit informal, për përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje si dhe shkaktimin e mungesës së të ardhurave në Buxhetin e Shtetit për fondin e kompensimit monetar për  subjektet ish-pronarë, pra një dëm ekonomik në vlerën  177,832,630 lekë.

-Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin si: për 50 objekte (dosje) janë kryer procedurat e dhënies së lejes së legalizimit dhe kalimit të pronësisë (regjistrim në ZVRPP), për objekte ndërtimore të ngritura pa leje, në kundërshtim me ligjin nr. 9482, 03.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar.

KLSH i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore “Ndërprerje të marrëdhënieve të punës” për ish drejtorin dhe gjashtë  përgjegjës dhe ish- përgjegjës sektori të ALUIZNI-t Shkodër. Pas auditivit të bërë në Komunën Zall Her, bashkë me përgjegjësin e zyrës juridike, u konstatuan një sërë shkeljesh, për të cilat u dërguan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për kallëzim penal për anëtarët e Bordit të Dhënies me Qira të Tokave Bujqësore të pandara, të cilët janë identifikuar si F.L , topograf, H.U, specialist i bujqësisë pyjeve dhe  kullotave S.B, specialist në Drejtorinë e Bujqësisë, Tiranë, dhe N.K, punonjës i këshillit të qarkut, Tiranë, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Konkretisht:

– Mos zbatimin e procedurave ligjore të dhënies  me qira të tokave  të pandara. Bordi i Ndarjes së tokave të pandara të Komunës Zall-Herr, ka dhënë me qira toka të pandara dhe ka lidhur 188 kontrata për një sipërfaqe prej 360 ha në periudhën 2010-2012, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, dukë tjetërsuar pronën e komunës, pa zbatuar procedurat ligjore të caktuara.

– Mosndjekje të zbatimit të kushteve të kontratave të lidhura për dhënien  me qira  për tokat bujqësore të  pandara për 54 persona një  sipërfaqe prej 77 ha tokë. Për pasojë është krijuar një e ardhur e munguar në buxhetin e komunës Zall-Herr në vlerën prej 1,749,241 lekë, nga e cila  20 persona kanë shkelur kontratat me një dëm ekonomik në vlerën 1,590,747 lekë.

Pas kësaj, KLSH ka kërkuar fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore, “Largimin nga detyra”, për punonjësit e mësipërm, si dhe marrjen e masave të tjera disiplinore për 14-të nëpunësit e tjerë të komunës. Gjithashtu KLSH I ka kërkuar Ministrit të Drejtësisë fillimin e procedurave ligjore për heqjen e licencës së noterit publik për noterët E.S dhe SH.SH