KLSH nuk ndëshkon, por përmirëson qeverisjen

506
Sigal

Gazeta Telegraf/ 

Nga Redi Ametllari,

Auditues, KLSH

 

Auditimi në vetvete është një shërbim publik, i rëndësishëm po aq sa vetë
qeverisja. Ti mund të njohësh shpenzuesit, si qeverinë apo bashkinë, mund të
dëgjosh inaugurimin e një investimi, mund ta shohësh investim dhe ta përdorësh,
por ti nuk mund të njohësh kurrsesi nëse paratë e tua, si taksapagues, për atë
investim janë përdorur në përputhje me kuadrin rregullator ligjor. Dyshimet
mund të të lindin vetëm kur sheh se në vend të prozhektorit të investimit është
vendosur një llambushkë apo nëse godina e rikonstruktuar pas 2 muajve merr
pamjen e një ndërtese të përndjekur nga fantazmat.

Auditimi përnjëmend përbën po aq “interes publik” sa vetë ndërtimi i një
rruge, shkolle apo spitali. Në fokus të punës së një audituesi është që të auditojë
nëse paratë publike janë rikthyer po tek qytetarët në formë shërbimi apo
investimi, e jo të gjarpërohen nëpër xhepat e abuzuesve. Kjo nuk është një
detyrë rutinë dhe e zakonshme. Audituesi nuk është i angazhuar vetëm fizikisht
me punën, por edhe moralisht, pasi vetë natyra e punës është e tillë që i
shërben një interesi publik. Aftësitë profesionale shkojnë tok me integritetin
moral dhe janë kushte kumulative që duhen plotësuar për të qenë një auditues.
Kjo është kërkesë e vetë Deklaratës së Limës, Kushtetutës së Institucioneve
Supreme të Auditimit (SAI-ve) e cila thekson se 
“Anëtarët dhe stafi auditues i Institucioneve Supreme të Auditimit,
duhet të kenë kualifikimet dhe integritetin
moral
të nevojshëm për kryerjen e detyrave të tyre”. Në zbatim të kërkesës
së Deklaratës së Limës, KLSH-ja me vendimin të Kryetarit, z. Bujar Leskaj, në
vitin 2015 ka miratuar një Kod Etike sipas standardeve ndërkombëtare e cila
përbën “Kushtetutën Morale” të audituesve dhe që e konturon punën e auditimit
brenda profesionalizmit, shmangies së konfliktit të interesit, pavarësisë,
paanësisë, objektivitetit, ruajtjes së konfidencialitetit profesional. Në këtë
prizëm, audituesit i lypset të ketë një fizionomi të lartë profesionale dhe
morale sepse i shërben shtetit të së drejtës, po aq sa gjyqtari dhe prokurori,
pasi nxjerr në pah një padrejtësi dhe rekomandon korrigjimin, kompensimin madje
bën kallëzim penal për shkelësin. Kjo nuk duhet të kuptohet si luftë e audituesit
kundër administratës shtetërore. Përkundrazi, duke identifikuar shkeljet dhe
shkelësit, audituesi forcon administratën shtetërore. Duke përmirësuar administratën
shtetërore, ai ka përmirësuar shtetin pasi vetë “shëndeti” i shtetit dallohet
tek administrata, tek mënyra sesi i administron fondet publike. Madje, për të
zbehur pandehmën e “gogolit” tek puna e audituesit, është treguar kujdes që në
ligjin e ri organik 154/2014 termi kontroll të zëvendësohet me termin auditim,
një nocion ky që reflekton në mënyrë të sinqertë natyrën e punës së Kontrollit
të Lartë të Shtetit.

Në veprimtarinë e saj, KLSH është kritike jo vetëm ndaj administratës, por
edhe ndaj vetes. Shkëmbimi i projektraportit me subjektin, duke e ftuar atë që
të njihen me auditimin por edhe të bëjë komente mbi gjetjet e audituesve përbën
formën më të kulluar të transparencës dhe llogaridhënies së vetë Kontrollit të
Lartë të Shtetit. Komentet, ose observacionet siç njihen në gjuhën teknike të
auditimit, shqyrtohen me seriozitet dhe profesionalizëm nga departamenti
përkatës por edhe nga Departamenti Juridik dhe i Kontrollit të Cilësisë. Të
gjitha observacionet reflektohen në raportin përfundimtar të auditimit.  Më tej, vetë auditimi  në një subjekt i nënshtrohet një auditimi që
realizohet nëpërmjet një mekanizmi të quajtur Kontrolli i Cilësisë, i cili
është dyllojësh, “në të ftohtë” e “në të nxehtë”  e që bazohet në urdhrin e përvitshëm të
Kryetarit. Në zbatim të standardit ndërkombëtar të auditimit të jashtëm publik
(ISSAI-t 40 “Kontrolli i cilësisë”) urdhrit të Kryetarit, z. Bujar Leskaj,
grupi i shqyrtimit të dosjeve të auditimit për vitin 2015, përzgjodhi në mënyrë
rastësore 44 dosje auditimi ose 27 % të auditimeve të përfunduara brenda muajit
dhjetor 2015, nga  10 % e dosjeve që
kontrolloheshin në procesin e rishqyrtimit në të ftohtë në 2011. Kësodore, KLSH-ja ka mekanizmat dhe
filtrat që e bëjnë punën audituese profesionale dhe të besueshme. Për auditime
komplekse apo me ndjeshmëri të lartë publike, KLSH bashkëpunon me ekspertë të
botës akademike dhe profesionistë të fushave të ndryshme, si Prof. Dr. Jorgji
Bollano, Prof. Dr. Skënder Osmani, Prof. Dr. Hysen Çela, Prof. Dr Sazan Guri,
etj. Thënë kjo, rekomandimet e
KLSH-së nuk duhet keqkuptuar e as të shpërfillen. Natyra fakultative e
rekomandimeve është e tillë pasi së pari ajo lidhet me parimet klasike të
auditimit të jashtëm publik dhe së dyti, prezumon vullnetin e subjektit
auditues për t’i zbatuar. Audituesi dhe puna audituese është e zhveshur nga
natyra imperative ngase ai përfaqëson një agjent të qytetarëve, një agjent të
Parlamentit, të vetë administratës publike të cilat duhet të shohin tek
audituesi vetveten. Pra, një rekomandim është një korrigjim, një përmirësim i
qeverisjes dhe nëse flasim në parim, institucionet janë të interesuara për të
qenë më të efektshme.  Në vendet e BE-së,
rekomandimet e SAI-t kanë një rëndësi sa zbatimi i një vendimi gjyqësor. Madje
ndryshe nga ky i fundit i cili ka karakter individual, efektet e rekomandimeve
janë të gjerë dhe prekin një sistem të tërë, me rëndësi për shtetin siç është
menaxhimi financiar i fondeve publike. Sakaq, zbatimi i rekomandimeve forcon
imunitetin e institucioneve dhe mbron fondet publike nga korrupsioni dhe
mashtrimi.
Por, çka vlen për t’u theksuar është se nga zbatimi i rekomandimeve “shpërblehet”
qytetari i cili do të marr një shërbim më të mirë, një rrugë, shkollë apo një
qendër shëndetësore me cilësi më të lartë sesa viti i kaluar. KLSH-ja, ashtu si
e çdo Institucion Suprem Auditimi(SAI) në botë, kontribuon në zhvillimin e
qëndrueshëm të një vendi dhe ky rol që luajnë SAI-et është përzgjedhur si temë
nga vetë OKB-ja në Kongresin e SAI-ve të OKB-së (INCOSAI) të zhvilluar këtë
muaj në Emiratet e Bashkuara Arabe, më 8-11 dhjetor, ku mori pjesë edhe
Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj. Këtë mision, se pse KLSH, SAI shqiptar nuk
ndëshkon por përmirëson, e ka përkufizuar në mënyrë shteruese, Sekretari i
Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon në përshëndetjen e tij për çeljen e Kongresit
të INCOSAI-t. “Audituesit e jashtëm sigurojnë një depërtim tepër të rëndësishëm
të trupave legjislative, qeverive dhe shoqërisë në lidhje me arritjen e
qëllimeve për një zhvillim të qëndrueshëm. Unë ju inkurajoj”, theksoi Ban
Ki-Moon, “që të shfrytëzoni potencialin e statistikave dhe të dhënave për të
forcuar akoma dhe më tej auditimet. SAI-et janë në qendër të institucioneve
efektive, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse. Ato luajnë një rol kritik në
luftën kundër mashtrimeve financiare dhe praktikave të korruptuara”.