KLSH nisi analizën vjetore në qytetin e Vlorës

492
Kontrolli i Lartë i Shtetit nisi sot analizën vjetore të aktivitetit të tij në qytetin e Vlorës në ambientet e Universitetit Ismail Qemali për vitin 2016. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit, Kryetari I KLSH –së Dr. Bujar Leskaj, përfaqsuesit më të lartë nga ministria e Financave, Inspektor i Përgjithshëm i ILDKPKI, Prokuroria e Përgjithshme, Auditori i Përgjithshëm i ZKA, Kosovë, etj. Kjo analizë bazohet në moton «Institucionet supreme të auditimit(SAI-t) në shërbim të qytetarëve » të Kongresit INCOSAI XXII të organizatës botërore të institucioneve më të larta të auditimit publik, INTOSAI, të zhvilluar në dhjetor 2016 në Abu D’habi të Emirateve të Bashkuara Arabe.Në kushtet e një korrupsioni në rritje, të pranishëm në të gjitha poret e administratës sonë shtetërore, jo vetëm qeveria, por edhe Ne institucionet e pavarura duhet të ndihemi bashkëpërgjegjës. Përballë përgjegjësisë së madhe që kemi ndaj qytetarëve për t’u siguruar atyre një frenim dhe pakësim efektiv të korrupsionit dhe mashtrimit financiar me pronën, fondet dhe shërbimet publike, e ndjejmë që kemi jashtëzakonisht shumë për të bërë. Viti 2016 përfaqësoi vitin e parafundit të realizimit të Strategjisë së Zhvillimit të KLSH 2013-2017, e rishikuar. Duke përmbledhur një bilanc të zbatimit të kësaj strategjie, janë pesë vite 2012-2016 që kanë parë institucionin të ecë paralel me objektivat strategjike të organizatave të komunitetit të institucioneve supreme publike në Evrope dhe botë, EUROSAI dhe INTOSAI. 
2016:VITI I QASJES PRO QYTETARIT
Po pse gjykojmë dhe themi se KLSH për vitin 2016 ka zbatuar moton e INCOSAI XXII që institucionet supreme të auditimit, SAI-t të vihen në shërbim të qytetarëve?
Së pari, kemi përmbushur detyrën dhe mandatin tonë kushtetues, duke realizuar 154 auditime nga 154 të planifikuara, nga të cilat 118 auditime përputhshmërie, ligjshmërie dhe rregullshmërie financiare, 7 auditime financiare, 14 auditime tematike, 13 auditime performance dhe 2 auditime të Teknologjisë së Informacionit. 
Auditimet e performancës janë rritur ndjeshëm në numër dhe cilësi, mbulueshmëri institucionesh dhe fushash veprimi të administratës shtetërore. 
Së dyti, nga auditimet e vitit 2016, KLSH ka zbuluar:
1. Dëm ekonomik, parregullsi dhe shkelje financiare(në të ardhurat publike dhe shpenzimet e kryera) në nivelin e 25.5 miliardë lekë (saktësisht 25,475,854 lekë), ose rreth 188 milionë euro, duke kërkuar shpërblimin e dëmit, pra arkëtimin e këtyre parave në Buxhetin e Shtetit në masën mbi 97 përqind të tyre. 
2. Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, si në të ardhura dhe në shpenzime, në vlerën prej 46,8 miliardë lekë, ose rreth 346 milionë euro. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 72,3 miliardë lekë, ose afërsisht 534 milionë euro.
Këto janë shifra që së pari duhet të shqetësojnë qeveritarët tanë dhe së dyti, Ne si auditues të na ndërgjegjësojnë për sfidat e mëdha që na presin në disiplinimin e financave publike. 
Së treti, Gjetjet e auditimeve të KLSH gjatë vitit 2016 kanë rritur treguesin e dobishmërisë, efektivitetit të institucionit, që vendos në raport sasinë e dëmit të kërkuar për zhdëmtim në Buxhetin e Shtetit, me sa i kushton taksapaguesve një SAI. Për vitin 2016, për një lek të shpenzuar nga KLSH nga buxheti i shtetit, institucioni ka realizuar gjetje dhe ka kërkuar shpërblimin e dëmit ekonomik për 78 lekë, e barabarte kjo me katër vite të marra së bashku, 2008, 2009, 2010 dhe 2011. Për pesëvjeçarin 2012-2016, mesatarja e treguesit të dobishmërisë ishte 127 lekë, ose 6,6 herë më shumë se mesatarja e pesëvjeçarit 2007-2011 (20.6 lekë).
GJETJET DHE REKOMANDIMET KRYESORE 2016
1. KLSH i ka rekomanduar Kuvendit që Qeveria të mundësojë ngritjen e një grupi pune me specialiste dhe përfaqësues të legjislativit, për hartimin e projekt-Ligjit “Mbi përgjegjësinë materiale të nëpunësit publik”. Ky ligj është i domosdoshëm për të trajtuar përgjegjësinë financiare të punonjësve të institucioneve shtetërore (zyrtarët e lartë dhe punonjësit e të gjithë niveleve) për dëmet ekonomike të shkaktuara qëllimisht apo nga neglizhenca, gjatë ose në lidhje me procesin e ekzekutimit të detyrave zyrtare. Gjykojmë se asnjë reformë apo proces në Shqipëri, përfshirë procesin i vetingut (të cilin Ne e mbështesim plotësisht) nuk do të arrijë të zbatohet plotësisht dhe reforma në drejtësi të luftojë me efektivitet dhe efiçiencë korrupsionin, në rast se nuk materializohet përgjegjësia e shkelësve dhe abuzuesve të pronës publike. Si KLSH po ashtu kemi propozuar ngritjen e një Sistemi Kombëtar të Integritetit dhe të Luftës Kundër Korrupsionit, duke pozicionuar qartë elementët përbërës të këtij sistemi dhe kontributin e seicilit faktor (Kuvendi, qeveria, opozita, institucionet e pavarura, shoqëria civile dhe mediat, donatorët, etj.). Kemi rekomanduar që ky sistem të udhëhiqet nga shoqëria civile ose donatorë si USAID-i.
2. Kemi rekomanduar të përshpejtohet puna e vendosjes dhe monitorimit të indikatorëve të performancës në financat publike dhe ecurinë e treguesve sipas shtyllave prioritare të planifikuara në Strategjisë se Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020. KLSH ka kërkuar që objektivat fiskalë të jenë të qartë dhe të verifikueshëm dhe t’u lehtësohet njerëzve të kuptuarit e politikave fiskale dhe financiare në të gjithë ciklin ekonomik, pra buxhetimi afatmesëm dhe ai vjetor të jenë një urë lidhëse për llogaridhënie ndaj qytetarëve. Kemi theksuar që përgjegjësia në realizimin e kësaj strategjie të mos i mbetet Ministrisë dhe Ministrit të Financave, por të ndahet mes ministrive të tjera të linjës dhe Ne, institucioneve të pavarura.
3. Për të tretin vit rradhazi, i kemi kërkuar Kuvendit krijimin e Këshillit të Pavarur Fiskal, si një nismë ligjore prioritare dhe një strukturë që të funksionojë e pavarur nga qeveria dhe t’i raportojë vetëm Kuvendit dhe qytetarëve.
4. Për borxhin publik, në vijimësi kemi rekomanduar vendosjen e kufirit tavan të këtij borxhi në Kushtetutë(propozim i paraqitur Kuvendit që në vitin 2012), në masën 60 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit dhe arritjen e këtij niveli të shtrirë në kohë, në terma afatgjatë. Kemi kërkuar monitorim të kujdesshëm të aktiviteteve të parashikuara në Strategjitë e Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, të lidhura me borxhin publik, duke vendosur treguesit kryesorë të borxhit, të cilët të jenë të qëndrueshëm, të publikueshëm dhe të kuptueshem nga qytetari. Njëlloj si në vitin 2012, ku në raportimin e Buxhetit faktik të vitit 2011 kemi qenë të parët që kërkuam në Kuvend shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe të akumuluara ndër vite ndaj sipërmarrjes private, për vitin 2016 rekomanduam(në simultanitet me shqetësimin e ngritur edhe nga FMN) marrjen e masave të shpejta për të identifikuar plotësisht dhe shlyer borxhin e akumuluar dhe në rritje të shpejtë të njësive të qeverisjes vendore. 
5. Si gjetje kryesore nga auditimet tona, theksojmë mosrespektimin e Marrëveshjes Hidrokarbure me ndarje prodhimi me kompaninë që shfrytëzon rreth 95% të prodhimit të naftës ekzistuese në rang vendi dhe shtrihet në zonën e vendburimit naftëmbajtës Patos-Marinëz. AKBN si struktura përgjegjëse kryesore, por edhe Albpetrol dhe Ministria e Energjitikes, në kundërshtim me marrëveshjen hidrokarbure, nuk kanë monitoruar dhe mbikëqyrur shpenzimet për operacionet hidrokarbure, por e kanë lejuar kompaninë që të kryejë shpenzime, mbi çmimet e tregut dhe mbi normativat dhe referencat ligjore në fuqi. Kështu që të ardhurat e realizuara nga shitja e naftës së prodhuar nuk kanë mbuluar kostot hidrokarbure. Për këtë arsye, kompania shtetërore Albpetrol, nuk ka marrë sasinë e hidrokarburit, naftës së premtuar në planin e zhvillimit, si dhe Buxheti i Shtetit nuk ka marrë tatimin mbi fitimin. Mosrealizimi i mbikëqyrjes ka sjellë humbje të mëdha në Buxhetin e Shtetit. 
Kemi kërkuar si KLSH një zgjidhje të shpejtë të problematikës së banorëve të fshatit Zharrëz, shumë më përpara ngjarjes së lëkundjeve sizmike në zonën e Marinzës dhe protestës së tyre, me kontribute të menjëhershme nga Buxheti i Shtetit dhe nga kompania që mban koncesionin hidrokarbur në zonë, në investime për dëmshpërblimin e dëmeve materiale ndaj familjeve dhe rikthimin e parametrave normalë mjedisorë në fshat. 
6. Theksojmë me forcë se një nga kërcënimet serioze ndaj financave publike është niveli i ulët i efektivitetit në prokurimet publike të mallrave, shërbimeve dhe realizimit të punimeve, kryesisht në infrastrukturën rrugore. Ajo që nuk po arrihet të sigurohet përmes sistemit elektronik të prokurimit është vlera për paranë e shpenzuar. 
7. Nga auditimi në Autoritetin Rrugor Shqiptar, kemi konstatuar se institucioni reflekton një nivel të ulët përgjegjshmërie me pasoja negative në efektivitetin e përdorimit të fondeve buxhetore në këtë sektor strategjik. Dëmi i konstatuar eshte i konsiderueshem, i ardhur kryesisht nga mungesa e mbikqyrjes gjatë zbatimit të projekteve në infrastrukturën rrugore. 
Kemi rekomanduar hartimin e një strategjie kombëtare afatmesme dhe afatgjatë të zhvillimit të infrastrukturës rrugore, duke e konsideruar si domosdoshmëri harmonizimin e investimeve në infrastrukturen rrugore, në përputhje me këtë strategji dhe projektbuxhetet afatmesme të miratuara.
KALLËZIMET PENALE
Gjate vitit 2016, KLSH ka bërë 49 kallëzime penale ndaj 176 punonjësve publikë, kryesisht nëpunës të lartë dhe të mesëm të administratës. Nga një analizë në vite, numri i kallzimeve penale gjatë pese viteve 2012-2016 është rreth 4.5 herë më shumë se kallzimet penale në pesëvjeçarin 2007-2011. Në pesevjeçarin e fundit institucioni ka ecur me një ritëm gjithsejt 219 kallëzime ose një kallzim penal në javë.
Si dëshmi të vullnetit të saj për të luftuar anti-kulturën e pandëshkueshmërisë, i kemi kërkuar në vijimësi Qeverisë që të nxjerrë një urdhër për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së nga ana e institucioneve në varësi të saj, por kjo nuk ka ndodhur. Nxjerrja e urdhërit do të kishte kontribuar jo vetëm në rritjen e zbatueshmërisë së rekomandimeve të institucionit, por edhe në shtimin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së administratës sonë publike. 
Partneritetet
Përgjatë vitit 2016, KLSH, nëpërmjet të gjithë drejtuesve dhe audituesve, ka marre pjese në 53 aktivitete të rëndësishme të INTOSAI-t, EUROSAI-t, si Kongrese, Konferenca, Takime, seminare, trajnime (këto të fundit edhe në kuadrin e zbatimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucionet homologe). 
Gjatë vitit të kaluar, çdo auditues i KLSH u trajnua për 29 ditë, ose sa njëzetfishti i vitit 2011. 
Viti 2016 shënoi vitin e parë të nisjes së zbatimit të Projektit të Binjakëzimit IPA 2013 mes KLSH-së dhe dy SAI-ve partnere nga vende të BE-së, NIK-ut polak dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kroacisë, me vlerë 2, 1 milion euro. Për realizimin e këtij projekti do të kryhen 92 misione. Gjate vitit 2016 u kryhen 36 misione nga ekspertët polakë dhe kroatë. 
Transparenca dhe Komunikimi
Gjatë vitit 2016, shtypi shqiptar ka pasqyruar raportet dhe njoftimet për shtyp të KLSH-së me 931 artikuj, njoftime, editoriale dhe komente analitike, përkundrejt 922 gjithsej përgjatë vitit 2015. Audituesit tanë gjatë vitit të kaluar kanë qenë të pranishëm pothuajse në të gjitha gazetat me 135 shkrime, të shkruara nga 72 auditues. Gjatë katër viteve, 2013-2016 audituesit e KLSH kanë botuar 396 artikuj në shtypin shqiptar.
Gjatë vitit te kaluar, kemi trajtuar 660 letra dhe ankesa, nga të cilat 318 jashtë kompetencës dhe juridiksionit të institucionit. Nga 342 ankesa në kompetencë të KLSH, 209 prej tyre janë verifikuar dhe u është dhënën përgjigje, ndërsa 133 janë në proces verifikimi. U kërkojmë ndjesë të gjithë atyre qytetarëve që nuk kemi patur mundësi, për shkak të mungesës së kompetencave tona si institucion, t’i ndihmojmë në zgjidhjen e problemeve që na kanë parashtruar.
Publikimet
KLSH vjen në pesë vitet e fundit 2012-2016 me një kolanë botimesh prej 67 tituj librash profesionale, udhezuesish auditimi, si dhe me karakter informativ dhe historik. Çdo vit dinamika e botimeve të institucionit rritet me 10 përqind. Deri ne fund të vitit 2018, kolana e botimeve KLSH do të arrijë numrin 100 tituj librash.
Sigal