KLSH-ja, në bashkëpunim me institucione të pavarura e qeveritare në luftë kundër korrupsionit

533
Sigal

Më datën 28 dhjetor 2012, Kontrolli i Lartë i Shtetit organizoi konferencën vjetore shkencore  të institucionit, me temë “87 vjet KLSH në 100 vjet shtet shqiptar”. Është Konferenca e parë e këtij lloji për këtë Institucion, që i referohet historikut të tij dhe punës shumëvjeçare të të gjithë personave që kanë kontribuar për ngritjen dhe mbarëvajtjen e tij në periudha kohore të ndryshme.  KLSH si institucion i pavarur, nëpërmjet kësaj konference dëshiron të krijojë traditën e vlerësimit institucional të veprimtarisë, duke shpresuar që kjo tradite do të ndiqet dhe nga institucionet e tjera dhe do të pasurohet vit pas viti.  Punimet e kësaj konference vijuan me nënshkrimin e  marrëveshjeve të bashkëpunimit mes KLSH dhe Agjencisë së Prokurimit Publik, Departamentit të Administratës Publike, Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar(IEKA), Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit dhe Institutit “G&G Group”. Kontrolli i Lartë i Shtetit është në proces reformimi dhe këto marrëveshje janë thelbësore për institucionin, sepse mundësojnë bashkëpunimin me partnerë profesionalë që do ta ndihmojnë për t’u orientuar  më mirë në sfidat e ardhshme, siç janë modernizimi i Institucionit si edhe thellimi i luftës kundër korrupsionit dhe për parandalimin e tij. KLSH po synon që nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet e tjera të pavarura dhe qeveritare, por edhe me shoqërinë civile, të punojë për ta parandaluar korrupsionin dhe për ta luftuar më me efikasitet atë. Qëllimi është që të shndërrohet në një strukturë moderne e auditimit publik më të lartë , që mbështetet në standardet e INTOSA-it dhe që ecën përpara duke u bazuar në eksperiencat ndërkombëtare të institucioneve homologe por edhe në eksperiencën shumëvjeçare të vetë institucionit dhe në burimet e tij njerëzore cilësore në vite, duke qenë i bindur që në kohën e teknologjisë së informacionit, kapitali njerëzor bën dallimin dhe diferencën e institucioneve të suksesshme.