KLSH: Ja abuzimet në Ministrinë e Mbrojtjes, me blerjen e helikopterëve, pajisjeve ushtarake dhe armatimit

582
KLSH: Ja abuzimet në Ministrinë e Mbrojtjes, me blerjen e helikopterëve, pajisjeve ushtarake dhe armatimit. Letër kreditë dhe bankat preferenciale 
Raporti përfundimtar i KLSH / Mbi auditimin e ushtruar në Ministrinë e Mbrojtjes me objekt “Mbi auditimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare”, për periudhën 16.09.2013 – 31.12.2014. 
Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Ai i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Në ushtrimin e aktivitetit të tij misioni dhe vizioni janë kyçi i suksesit gjatë auditimeve në mënyrë që, asnji shkelje të mos mbetet pa u konstatuar dhe ndëshkuar dhe nga ana tjetër të mos ketë penalizime të paargumentuara. 

Misioni: Informimi i publikut dhe i Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me përdorimin e burimeve me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë nga pushteti qendror dhe lokal dhe nga njësi të tjera publike, si dhe nxitja e përgjegjshmërisë në të gjithë sektorin publik, në përputhje me praktikat me të mira të BE-së dhe me standardet ndërkombëtare të INTOSAI, duke kontribuar për qeverisjen e mirë, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit.
Vizioni: KLSH synon të jetë një institucion profesional i besueshëm që i kontribuon shtimit dhe kursimit të vlerës së parave publike, duke dhënë siguri mbi llogaritë financiare të përdoruesve të tyre dhe duke ndihmuar në përmirësimin e menaxhimit të Qeverisë e të enteve të tjera publike nëpërmjet auditimit, duke fituar në këtë mënyrë besim të plotë tek qytetarët shqiptarë dhe të audituarit.
Gazeta “Telegraf” ka ditë që ka analizuar raportet e këtij institucioni në lidhje me auditimet e KLSH në Ministrinë e Mbrojtjes, duke marë shkas edhe nga skandali i mos funksionimit të radarëve bregdetarë, gjë që u shfrytëzua nga trafikantët e drogës dhe bota e krimit. Nga sot do të nisim publikimin e plotë të auditimit të KLSH në këtë institucion, shkeljet dhe rekomandimet për shkelësit e ligjeve të shtetit si dhe procedimin pranë institucioneve të hetimit të shtetit shqiptar.
Raporti Përfundimtar i Auditimit i ushtruar në Ministrinë e Mbrojtjes, me objekt “Mbi auditimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare” për periudhën 16.09.2013 deri 31.12.2014, si dhe masat për përmirësimin e gjendjes, janë miratuar me Vendim të Kryetarit të KLSH-së Nr. 134, datë 30.09.2015. Bazuar në nenet 15, 25, 30 dhe 32 të ligjit nr. 154/2014, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, për përmirësimin e gjendjes, me shkresën nr. 125/34, datë 30.09.2015, Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe rekomandimet përkatëse i janë dërguar znj. Mimi Kodheli, Ministër i Mbrojtjes, ku janë rekomanduar dhe kërkuar zbatimi i masave të mëposhtme: 
A. MASA ORGANIZATIVE
1. Nga auditimi mbi planifikimin e buxhetit të mbrojtjes, planifikimi i zërave të shpenzimeve është bazuar dhe në kërkesat e Dokumentit të Rishikimit të Strategjisë së Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë, ku përcaktohet se raporti i shpenzimeve të jetë 35% për shpenzimet e personelit, 35% për operacionet dhe mirëmbajtjen dhe 30% për investimet, ndërsa referuar standardeve të NATO-s buxheti i mbrojtjes duhet të zërë 2% e PPB, por në asnjë nga periudhat e audituara, si në planifikim dhe në realizim nuk janë arritur raportet e shpenzimeve sipas Strategjisë së Mbrojtjes apo të standardeve të NATO- s. 

Për këtë është rekomanduar: 
Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, të marrin masa që në planifikimin dhe zbatimin e buxhetit të përcaktojnë e monitorojnë saktë prioritetet e mbrojtjes në përputhje me Dokumentit të Rishikimit të Strategjisë së Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë, dhe referuar standardeve si vend anëtar i NATO-s buxheti i mbrojtjes duhet të planifikohet në masën 2% të PBB-së. 

Menjëherë 
2. Nga auditimi i realizimit të buxhetit të vitit 2014, u konstatua se është cenuar parimi kryesor i realizimit të buxhetit, ai i anualitetit, pasi nëpërmjet përdorimit të Letër Kredive janë raportuar si të realizuara rreth 50 për qind e fondeve të planifikuara për investime nga MM, ose njësitë e varësisë, ndërkohë që ato janë kryer/likuiduar pas vitit 2014. 

2.1. Nga auditimi mbi zbatimin e buxhetit u konstatua se, për zbatimin e projekteve në investime për blerje mjete ushtarake, armatim e municion, për të cilat janë bërë dhe ndryshimet në planin vjetor, janë përdorur në fund të vitit 2014 pagesa me Letër Kredit, në shtatë raste, gjithsej për shumën 1.507,701,460 lekë, duke likuiduar nga 75% deri në 100% të kontratave të lidhura. 

– Në katër raste është lidhur kontrata pa marrë më parë miratimin e Ministrit të Financave, ndërsa në një rast është kryer pagesa për të gjithë vlerën e kontratës, ndërkohë që Ministri i Financave ka miratuar pagesën me L/C për 90% të vlerës, veprime në kundërshtim me Udhëzimin Standard të Zbatimit të Buxhetit nr. 2, datë 06.02.2012, i ndryshuar pika 147. 

– Për kryerjen e pagesave me Letër Kredit nga institucioni janë përballuar komisione në shumën 2,753,805 lekë. 
– Në pesë raste, në shumën 2,175,202,996 lekë është përdorur “Depozita e Qeverisë” me miratim të Ministrit të Financave. – Nga përdorimi i kurseve preferenciale të bankave të nivelit të dytë në veprimet në valutë, është konstatuar një efekt negativ financiar në shumën 4,110,451 lekë. 

2.2. Me VKM nr. 326, datë 28.05.2014 “Për njohjen dhe shlyerjen e detyrimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë kundrejt Drejtorisë së Përgjithshme të Armatimit në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Francës(DGA), për kontrollin teknik të kryer gjatë procesit të pranimit të tri helikopterëve Cougar AS532AL”, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes janë miratuar shpenzimet për kontrollin teknik të kryer nga kjo Drejtori, për tre helikopterë që kanë mbërritur e janë gjendje në Forcat e Armatosura në periudhën viti 2012-2013, në shumën 180,000 Euro, ose me një tarifë prej 60,000 Euro për një helikopter, pra janë njohur shpenzime pas faktit. Bashkëlidhur kësaj praktike është vetëm relacioni, pa pasur një marrëveshje të mëparshme dhe një përshkrim analitik të elementëve të këtyre shpenzimeve. 

Këto fonde por dhe tarifa për një helikopter i ardhur në vitin 2014, gjithsej në shumën 240,000 Euro, ose 33,456,000 lekë, janë përballuar nga fondet e miratuara për Komandën e Forcës Ajrore, në programin buxhetor “Forcat e Luftimit”, artikulli 231 “Shpenzimet Kapitale” ku bashkëlidhur pagesës së njësisë janë faturat e lëshuara nga DGA dhe raportet e punës të paraqitura nga kontraktori. 

Për këtë është rekomanduar: 
– Të eliminohen praktika të tilla (Letër Kredi) në realizimin e shpenzimeve buxhetore, sidomos në fund të vitit. Në raste të veçanta (të përcaktuara qartësisht me akte normative), të ketë formate ku specifikohen qartë kushtet e përdorimit të LC, në veçanti për masën e komisioneve dhe mënyrën e pagesës së tyre, pasi të sigurohet dakordësia me Ministrinë e Financave. Rekomandojmë me forcë që në këtë proces të përcaktimit të marrëveshjeve dhe kushteve të tyre, të sigurohet që strukturat drejtuese të bashkëpunojnë me Ministrinë e Financave dhe domosdoshmërish me Bankën e Shqipërisë. 

– Të nxirret përgjegjësia institucionale për raportimin e buxhetit në kundërshtim me rregullat dhe parimet bazë buxhetore, lidhur me deklarimin e investimeve/shpenzimeve të pa kryera si të realizuara. 

Menjëherë 
3. Me Aktin Normativ nr. 2, datë 29.12.2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 185/2013, datë 28.12.2013 “Për buxhetin e vitit 2014” të ndryshuar, Ministrisë së Mbrojtjes i janë bërë ndryshime në planin e buxhetit për shpenzimet kapitale. 

Ministria e Financës me shkresë nr. 18431/51, datë 23.01.2015, sqaron se … mbështetur në të dhënat e SIFQ pakësimi prej 12,176 mijë lekë në programin 02120, i miratuar në shkresat tuaja, nuk është realizuar tërësisht për arsye të mungesës së fondeve në këtë program”, për shkak të daljes me vonesë të Aktit Normativ dhe shkresave që e shoqërojnë atë, ndërkohë që veprimet janë kaluar në sistemin e pagesave, duke bërë që në këtë program të jenë kryer shpenzime mbi planin gjithsej në shumën 46,339 mijë lekë, në kundërshtim me nenin 40 të ligjit nr. 9936, datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” dhe paragrafin 59 të UMF nr. 2, datë 06.02.2012 “Për procedurat standarde për zbatimin e buxhetit”. 

Për këtë është rekomanduar: 
-Ministria e Mbrojtjes të bashkëpunojë me Ministrinë e Financës, për ndryshimet gjatë vitit në zërat buxhetorë, për zbatimin/monitorimin rigoroz të tyre pasi fondet e miratuara për njësitë e qeverisjes qendrore në ligjin e buxhetit vjetor përbëjnë kufirin maksimal të shpenzimeve, brenda të cilit Këshilli i Ministrave është i autorizuar të marrë përsipër angazhime dhe të kryejë shpenzime. Këshilli i Ministrave e ushtron këtë autoritet i përfaqësuar nga Ministri i Financave. 

Në vijimësi 
4. Nga auditimi mbi ankandet publike të zhvilluara në Ministrinë e Mbrojtjes, u konstatua se nuk ka është mbajtur regjistri i ankandeve publike, si dhe nuk është ngritur njësia e ankandeve brenda kësaj strukture, në kundërshtim me nenin 6 të ligjit nr. 9874, datë 14.02.2008 “Për ankandin publik’ i ndryshuar. 

Për këtë është rekomanduar: 
Ministria e Mbrojtjes, në cilësinë e Autoritetit Shitës, të plotësojë regjistrin e ankandeve publike, si dhe të krijojë sipas nevojave njësinë e ankandeve, në zbatim të ligji nr. 9874, datë 14.02.2008 “Për ankandin publik’ i ndryshuar. 

Në vijimësi 
5. Në procedurat e prokurimit me objekt “Blerje pakete armatimi nga C…’S, ….”; “Blerje armatimi nga B…S.P.A, I…”; “Blerje paketë armatimi nga H… & K…., Gj….”; “Blerje municioni nga F…..M….S.P.A, I….” dhe “Blerje mjete të blinduara për policinë ushtarake me kompaninë I…… s.p.a I….”, Autoriteti Kontraktor: 

5.1.Ka llogaritur vetëm vlerën e projektit (mallit), në kundërshtim me “Rregulloren për procedurat që përdoren nga Ministria e Mbrojtjes për prokurimin e disa mallrave dhe shërbime të përjashtuara nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik” Kreu III, pika 2/a, duke mos dhënë një tablo të qartë mbi vlerat e shpenzuara deri në fund të ekzekutimit të kontratave. 

Ministria e Mbrojtjes, në raportimin e fund vitit pranë Këshillit të Ministrave, nuk jep vlerën gjithsej për realizimin e projekteve ushtarake, në të cilën të jenë përfshirë shpenzimet e transportit, taksat doganore, TVSH, taksat dhe detyrimet të tjera që rrjedhin nga legjislacioni shqiptar. 

Për këtë është rekomanduar: 
Ministria e Mbrojtjes, në cilësinë e Autoritet Kontraktor të marrë masat e nevojshme për zbatimin saktësisht të rregullave për procedurat që përdoren nga Ministria e Mbrojtjes për prokurimin e disa mallrave dhe shërbime të përjashtuara nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik, me qëllim evidentimin e saktë dhe transparent të përdorimit të fondeve publike në procedurat prokuruese për qëllime ushtarake. 

Në vijimësi 
5.2. Në përllogaritjen e vlerës së kontratës, nuk është zbatuar “Rregullorja për procedurat që përdoren nga Ministria e Mbrojtjes për prokurimin e disa mallrave dhe shërbime të përjashtuara nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik” Kreu III pika 2/c, por janë mbështetur në dokumentin “Kërkesë për çmim dhe disponueshmëri”që iu ka ardhur nga kompanitë prodhuese ushtarake. Vlera e kontratës nuk është paraqitur e detajuar, por është paraqitur në vlerë totale, e paargumentuar për çdo element të ofertës, duke e kompromentuar procesin tenderues në segmente të ndryshme. 4 
Për këtë është rekomanduar: 
Autoriteti Kontraktor të zbatojë rregullat për procedurat që përdoren nga Ministria e Mbrojtjes për prokurimin e disa mallrave dhe shërbime të përjashtuara nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik si dhe të paraqitet në mënyrë të detajuar çdo element i vlerës së kontratës ushtarake. 

Në vijimësi 
5.3. Në procedura janë përfshirë persona që marrin pjesë në dy hapa të procesit, në kundërshtim me “Rregulloren për procedurat që përdoren nga Ministria e Mbrojtjes për prokurimin e disa mallrave dhe shërbime të përjashtuara nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik” Kreu V, pika 1/a dhe b. 

Për këtë është rekomanduar: 
Autoriteti Kontraktor të zbatojë saktësisht rregullat për procedurat që përdoren nga Ministria e Mbrojtjes për prokurimin e disa mallrave dhe shërbimeve të përjashtuara nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik. 

Në vijimësi 
5.4. Ka kërkesa operacionale të gjeneruara nga strukturat ushtarake përkatëse, të cilat kanë pësuar ndryshime gjatë procesit të prokurimit të imponuara nga vërejtjet e ardhura nga operatorët ekonomikë prodhues ndërkombëtarë, për shkak të kërkesave të pa plota, jo kompetente të njësive ushtarake, të cilat janë miratuar në çdo kohë edhe gjatë procesit të prokurimit, në kundërshtim me VKM. nr. 1403 datë 27.10.2008. 

Për këtë është rekomanduar: 
Autoriteti Kontraktor, në respekt të detyrave funksionale dhe si vend anëtar i NATO-s, të krijojë stafin e nevojshëm/përshtatshëm me qëllim shmangien e treguesve/parametrave të pasaktë, hartimin dhe koordinimin optimal të tyre, në zbatim të kërkesave të parashikuara nga VKM. nr. 1403 datë 27.10.2008. 

Në vijimësi 
5.5. Ministria e Mbrojtjes, për periudhën objekt auditimi, nuk ka dërguar përfaqësues në komisionet e vlerësimit të privatizimit, duke sjellë pezullimin e procesit, me arsyetimin se: ka nisur verifikimi dhe auditimi i brendshëm i procedurave të ndjekura të privatizimeve të pronave jashtë Planit të Përhapjes në administrim të MM; ka ndodhur ristrukturimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë; ka pasur mangësi nga SHPFA duke vendosur prona që nuk janë në administrim të MM etj. 

Për këtë është rekomanduar: 
Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura (SHPFA), të mos pezullojë procesin e vlerësimit të privatizimit, por të bëje saktësimin e listës së pronave të lira, pronave që duhet të rifuten në planin e përhapjes si dhe pronave që duhet të jenë të lira, të cilat kanë humbur funksionin e tyre, përditësimin e të dhënave me të gjithë komponentët e sistemit të privatizimit, në bashkëpunim me institucione të tjera shtetërore si Zyrën e Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencinë e Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Ndërtimore Informale. 

Në vijimësi 
6. Mbi detyrimet ndaj të tretëve. 
6.1. Referuar Raportit të kompanisë së auditimit “D…..”, konstatohet se për Ministrinë e Mbrojtjes janë raportuar detyrime me vlerë 575,901,330 lekë, të cilat përbëjnë 2.34 për qind të borxhit gjithsej të qeverisë, ndërsa ministria në oponencë të këtij raporti ka paraqitur një borxh me vlerë 1,515,513,396 lekë gati tre herë më të lartë deri më 31.12.2013. 
Kjo shumë ka ardhur duke u rritur deri në raportimin përfundimtar në janar 2015, ku vlera e raportuar e borxhit ka arritur në shumën 1,929,019,878 lekë, të cilat 243,840,093 lekë janë përballuar nga fondet e veta dhe 1,580,417,197 lekë janë çelur nga Fondi i Kontigjencës, nga të cilat janë ekzekutuar 1,357,499,197 lekë. 
6.2. Nga raportimet e Ministrisë së Mbrojtjes konstatohet se janë evidentuar si detyrime të prapambetura gjendje më 31.12.2013, për “furnitorë për punë dhe mallra” në vlerën 1,929,019,878 lekë gjithsej, nga të cilat 671,594,209 lekë, ose 35% e totalit të detyrimeve të raportuara si “borxh” i korrespondon detyrimeve, për të cilat fatura është lëshuar nga data 1-31.12.2013. 
– Vijon –
Sigal