KLSH auditim Ministrisë së Gjiknurit: Nuk ka bërë asgjë për Burimet Alternative të Energjisë

432
KLSH ushtroi në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë (MEI) dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) auditimin me temë “Burimet Alternative të Energjisë në Shqipëri”, duke u fokusuar në burimet alternative të energjisë elektrike, kryesisht asaj diellore. Në vendin tonë, vazhdon të ruhet e njëjta strukturë e furnizimit me burime primare energjetike, me një nivel të pamjaftueshëm diversifikimi dhe kapacitet ekzistues gjenerues të pamjaftueshëm për të përballuar kërkesën për energji elektrike. Shqipëria ka nënshkruar Traktatin themelues të Komunitetit të Energjisë me KE më 25.10.2005 dhe për pasojë është e detyruar për të arritur objektivat e BE-së për energjinë e rinovueshme të ripërtëritshme të energjisë dhe treguesit e objektivave për energji efikase. Gjatë kryerjes së këtij auditimi, jemi përpjekur t’i japim përgjigje pyetjes: A ka ndërmarrë Qeveria iniciativa/veprime të mjaftueshme për përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike, duke përdorur burime të rinovueshme dhe në përfundim ka arritur në këtë Mesazh auditimi:
“Megjithëse Shqipëria ka kryer jo plotësisht përafrimin e legjislacionit sipas kërkesave të BE-së dhe ka hartuar Draft-Planin Kombëtar të Veprimit të Burimeve të Rinovueshme dhe Eficencës së Energjisë, nuk ka arritur të përmirësojë qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike, pasi: 
– Strategjia Kombëtare e Energjisë nuk është monitoruar dhe zbatuar sipas skenarëve përkatës; 
– Plani Kombëtar i Veprimit prej më se tre vitesh nuk është miratuar akoma; 
– Ligji për burimet e rinovueshme vazhdon të jetë në proces përditësimi edhe pas më shumë se dy vitesh pa aktet e tjera nënligjore; 
– Kanë munguar iniciativat publike në këtë fushë për shkak të performancës së dobët të MEI-t dhe AKBN-së nga mungesa e financimeve buxhetore dhe ndarjes e dublikimit të kompetencave administrative brenda dhe midis tyre”. MEI-t dhe AKBN-së i është kërkuar marrja e masave për zbatimin e 15 rekomandimeve me afate kohore të ndryshme, lidhur me transpozimin e plotë të Direktivës së BE-së në ligj, së bashku me të gjithë infrastrukturën përkatëse nënligjore; përfundimin e hartimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë dhe Planit Kombëtar të Veprimit të Burimeve të Rinovueshme dhe Eficiencës së Energjisë, të bazuara në situatë reale dhe në një kohë sa më të shpejtë; bashkërendimin e punës që të sigurohet plotësimi i objektivit të BE-së për të arritur në vitin 2020 përdorimin e 38 % të energjisë nga burimet e rinovueshme; të rishikohen prioritet e MEI-t, duke i kushtuar një vëmendje të posaçme diversifikimit të prodhimit të energjisë elektrike nëpërmjet shfrytëzimit të potencialeve natyrore të burimeve të rinovueshme etj.
Sigal