KLP-KLGJ, kandidaturat mes sherrit mazhorancë-opozitë

623
Komisioni nis punën për zgjedhjen e 10 anëtarëve në të dy këshillat e prokurorisë dhe gjykatave. Pjesa tjetër, në pritje të vetingut 
Komisioni Ad Hoc, i cili do të bëjë përzgjedhjen anëtarëve për 5 vende në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe 5 të tjerave në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, zhvilloi mbledhjen e parë mes përplasjeve mazhorancë-opozitë. Këta anëtarë që do të zgjidhen nuk vijnë nga radhët e gjykatësve dhe prokurorëve. Përfaqësuesit e opozitës folën për shkelje të shumta në vlerësimin kandidaturave, ndërkohë që përfaqësuesit e shumicës u kundërpërgjigjën se sipas tyre po kërkohet njollosja e procesit. Të pesë vendet në secilin prej dy këshillave, plotësohen me 2 anëtarë nga radhët e pedagogëve të fakulteteve të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, një nga shoqëria civile dhe dy të tjerë nga radhët e avokatëve. Nënkomisioni Ad hoc përbëhet nga 3 përfaqësues të shumicës dhe dy të pakicës, të cilët do të vlerësojnë së paku 30 kandidatura.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi foli për një seri shkeljesh, duke nisur që nga lista e paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit, i cili ka ndryshuar renditjen e bërë nga ekspertët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), te kualifikimi i kandidatëve që sipas tij nuk plotësojnë kriteret, te mungesa e verifikimit të integritetit moral të emrave të përzgjedhur e deri te mosngritja e një Komisioni të Pavarur që është parashikuar për të koordinuar këtë proces. Sipas Bylykbashit, “të gjithë këto probleme dalin qartë kur lexon kandidaturat, lexon raportet, e në mënyrë të veçantë ato të ONM-ës. Por të gjitha këto nuk janë gjë tjetër veçse simptoma dhe produkt i korruptimit politik i të gjithë procesit që na ka sjellë ne sot deri këtu”. Përfaqësuesit socialistë hodhën poshtë si të pabaza deklaratat e Bylykbashit, duke e konsideruar një përpjekje për të njollosur procesin, ndërkohë që siç u shpreh deputetja socialiste Klotilda Bushka, secili nga anëtarët e komisionit duhet të shqyrtojë fillimisht dosjet e secilit kandidat. “Ky komision ka për detyrë, të marrë të gjithë raportet, të analizojë të dhënat e tyre, të japë mendimet e veta mbi gjetjet dhe në përfundim, sipas bindjeve e sigurisht dhe interesit drejt një drejtësie siç e kërkojnë shqiptarët, gjithsekush do e shprehë vullnetin e tij me votë. Por ajo që kolegu Bylykbashi e fillon pa nisur ky lloj shqyrtimi, në gjykimin tim është baltosje e të gjithë procesit”, u shpreh Bushka.

Komisioni do të nisë të hënën, fazën e vlerësimit të secilit kandidat, fillimisht me ata për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Por dhe përfundimi i procedurave nga ana e Parlamentit nuk çon automatikisht në ngritjen e dy institucioneve të reja, pasi për Këshillin e Lartë Gjyqësor duhet të përcaktohen 6 anëtarët që zgjidhen nga trupa e gjyqtarëve, ndërsa për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, 6 anëtarë nga trupa e prokurorëve. Kandidaturat për këto dy këshilla janë aktualisht në fazën e vlerësimit të figurës. Dhe vetëm ata që e kalojnë këtë proces do të mund të hyjnë në fazën finale.
Sigal