Klosi: Të rinjtë shqiptarë trajnim nga kompanitë gjermane

496
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi u shpreh sot në një prononcim për mediat se tashmë menaxherët e turizmit do të mund të marrin çertifikatë trajnimi nga kompania gjermane “Dekra”. Gjithashtu ministri theksoi se në kuadër të këtij bashkëpunimi me Gjermaninë edhe spitali gjerman do të përgatisë një trajnim për infermierët shqiptarë. Kjo tha Klosi, do të bëjë që, arsimi profesional të jetë i formatuar dhe i akredituar nga arsimi gjerman profesional. Sipas ministrit Klosi, kjo është një politikë krejt e re në fushën e arsimit profesional. “Kompania ‘Dekra’ është një nga kompanitë më të mëdha të fushës së trajnimit evropian që nga sot do të jetë në Shqipëri dhe do të bëjë trajnime pranë biznesit shqiptar. Ata që do fitojnë çertifikatën do të jenë të akredituar nga sistemi arsimor europian, me kurrikula të qeverisë gjermane”, tha Klosi. “Ka kërkesa shumë të mëdha dhe emri prestigjoz i Dekrës na jep mundësi që procesi të jetë me standardet e duhura. Kriteret do të jenë të zakonshme, do të vlerësohen dhe eksperiencat e mëparshme”, tha ministri Klosi. 
Sigal