Klosi për Visho Ajazi Likën: Jam kundër dorëheqjes, ja disa nga gabimet

602
Shërbimi nuk ka detyra, veprimet janë sekrete por ndër vite informacioni ka rrjedhur dhe ka shkuar atje ku nuk duhej. Ja tre gjërat më të rënda
Dorëheqja e kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika është konsideruar e çuditshme nga ish-kryetari i këtij institucioni Fatos Klosi. Për gazetën “Telegraf” Klosi shprehet se, do të donte që dikush të dilte dhe të fliste hapur për arsyet e dorëheqjes me qëllim që të kuptohet e vërteta. Thotë se nuk mund të dihen shumë gjëra për shërbimin, për aq kohë se puna e tij është sekrete, por ajo që kemi parë dhe dëgjuar të lë të mendosh, se prej andej shumë gjëra nuk kanë shkuar si duhet. Klosi komenton edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila dje hodhi poshtë padinë e shoqatës së gjyqtarëve që kundërshtonte disa nene të ligjit për Reformën në Drejtësi. 
Zoti Klosi kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika dha dorëheqjen dhe u zëvendësua me zëvendësin e tij. Si e lexuat ju këtë veprim të menjëhershëm?
Ai ka dhënë dorëheqjen. Por unë deri sot nuk është se kam parë ndonjë veprim në raport me zyrtarët për të thënë se ka qenë i detyruar. Kam dëgjuar edhe kryeministrin kur i është kërkuar mendim për punën e Visho Ajazit të ketë thënë “No comment”. Në sytë tanë dukeshin se marrëdhëniet me kryeministrin i kanë pasur normale. Kjo për faktin se edhe në ligjin për SHISH thuhet qartë, se çdo informacion është sekret. Unë personalisht nuk kam ndjerë probleme. Kemi ndjerë dhe informacione që është thënë se kanë ardhur nga SHISH. Dhe tani vjen dorëheqja. Në punën e institucionit të SHISH ka pasur dhe probleme që ne i kemi ndjerë, por më pas janë fashitur.

A ka pasur probleme në drejtimin e SHISH?
Tre kanë qenë problemet shqetësuese që kanë lidhur punën e SHISH me institucionet e larta shtetërore dhe më pas janë shuar. 

E para: Kemi dëgjuar që nga Visho Ajazi Lika janë përgjuar personalitete si kryeministri, Ilir Meta dhe shumë të tjerë. Për këtë u bë edhe një debat në Kuvend dhe më pas gjithçka u mbyll. 

E dyta: Në çdo ngjarje të rëndë që ka ndodhur informacioni ka rrjedhur, më parë ai i shkonte Sali Berishës sesa shefit të Visho Ajazit, Edi Ramës. Edhe në këtë rast debati është mbyllur, edhe pse është diskutuar nga të gjithë. 

E treta: Edhe në rastin e informacionit që prokuroria ka për Saimir Tahirin, të gjitha këto kanë dalë nga SHISH. Edhe në këtë rast nuk u tha asgjë. Të gjitha informacionet që Sali Berisha i ka marrë nga SHISH i përdorte kundër kryeministrit. Megjithatë unë dua të them se gjatë kohës që SHISH është drejtuar nga Visho Ajazi Lika në shërbim erdhën specialistë të kohës së Gazidedes, Ai riktheu gjithë punonjësit e pakualifikuar. Në këtë pikë kam shumë vërejtje. E vetmja gjë që di shumë mirë është fakti. që Visho Ajazi Lika ka përdorur një politikë të personelit shumë të gabuar, ka marrë njerëz jo specialistë. Megjithatë deri tani nuk kemi ndjerë asgjë përveç faktit të dorëheqjes. Të gjithë këto çështje dhe çdo debat lidhur me SHISH është mbyllur me marrëveshje, me mirëkuptimin e të gjitha palëve. 

Po dje kryeministri i ka kërkuar Presidentit emërimin në postin e kryetarit të SHISH, zv/drejtorin aktual. Si e shihni këtë emërim?
Fakti që në krye të SHISH do të jetë nëndrejtori, duket si faktor vazhdueshmërie. Pavarësisht se nëndrejtorët nuk kanë kompetenca të plota. Në asnjë vend nuk shkruhen kompetencat e një zëvendësi. Për të folur lidhur me këtë gjë, është pak e vështirë, pasi e gjithë puna e Shërbimit Informativ është sekret dhe nuk dihet se si i kanë pasur marrëdhëniet mes tyre. Detyrat e SHISH nuk dihet se cilat janë. Ata japin llogari vetëm në Parlament dhe tek shefi i qeverisë. Për të gjitha sa kanë ndodhur deri tani mes qeverisë dhe SHISH për punën e saj, nuk mund të them se ka pasur heshtje. Ata dinë gjithçka. Kryeministri di çdo gjë që ndodh në vend. Më e keqja e këtij shërbimi deri në këto momente ka qenë dërgimi i informacionit atje ku nuk duhej. Deri sa është kështu, unë nuk mund të pretendoj, se këto që ndodhin janë të vërteta. Thuhet se kryetarit të SHISH iu bë presion dhe ndaj ai ka dhënë dorëheqjen. Të gjitha janë thënë në media. Është publikuar gjithçka dhe askush nuk ka dalë të thotë të kundërtën e atyre që janë thënë. Pra nuk është mohuar dhe as pohuar. Kemi dëgjuar vetëm “No comment”. Megjithatë duhet të presim. Për mua është ngjarje e rëndësishme. Dikush duhet të dalë dhe të thotë hapur, pse u dha dorëheqja për të nxjerrë të vërtetën. Nëse do të ishte në rrugë të drejtë, ai nuk do të hante presionin. Unë jam kundër dorëheqjes.

Zoti Klosi, një tjetër zhvillim i rëndësishëm ndodhi sot. Gjykata Kushtetuese rrëzoi shoqatën e gjyqtarëve, e cila kërkonte shfuqizimin e disa neneve të ligjit për Reformën në Drejtësi. Si e gjykoni?
Normale. Ishte një gjë që pritej. Unë mendoj se është absurde, që të thuash se nuk duhet të hetohem unë, meqenëse jam gjyqtar. Ti je i pari dhe duhet të jesh i hapur. Madje unë mendoj se, ata që bënë këtë padi në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkuan të mos kontrolloheshin, duhet të hiqen pa përjashtim, vetëm sepse bënë një gjë të tillë. Vendimin e Kushtetueses e quaj të drejtë. Çdo njeri që ankohet nga kontrolli duhet parë me dyshim. Gjyqësori është super i korruptuar. Ata kanë abuzuar me hallet e njerëzve. Këta gjyqtarë u kanë hipur në qafë popullit. Përgëzoj Gjykatën Kushtetuese, që pati guximin dhe ia hodhi poshtë padinë gjyqtarëve.
Sigal