Klosi: Ish bashkëpunëtorët e Sigurimit të mos pengohen për të kandiduar në parlamentin e ri/Ballauri: Berisha, Rama dhe Meta të

54

Aktualisht, jemi në prag të publikimi të listave për kandidaturat e deputetëve të ardhshëm dhe me këtë rast, debatet për ish bashkëpunëtorët e Sigurimit, janë rishfaqur me forcë. Në këto debate, gjatë kohëve të fundit, kanë marrë pjesë, grupe individësh dhe politikanësh të ndryshëm, ku secili shfaq opinionin e tij për këtë argument. Ndërkaq, nga ana e tij, ish presidenti Topi është shprehur se  “Në rrethin e politikës ka njerëz të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit. Këtë e di mbi bazën e informacioneve zyrtare që kam si President i Republikës”, Ndërsa Aleksandër Biberaj, ka kërkuar përfshirjen në ligjin e Lustracionit edhe të ish drejtuesve të PPSH, Pak kohë më parë debati për Lustracionin ishte konkretizuar me hartimin e tre projektligjeve, ndërkohë që tani iniciativa më serioze në këtë drejtim, ka të bëjë me projektligjin që është hartuar nga një grup profesionistësh e specialistësh dhe që aktualisht, vazhdon të ndiqet nga Elsa Ballauri, në fazën  konsultimeve me specialistët e huaj, për t’u bërë sa më i aplikueshëm. Në këtë mënyrë, ne i morëm disa mendime dy prej përfaqësuesve të njohur të shoqërisë civile, të cilët janë kundër njeri-tjetrit në këtë pikë.

 Elsa Ballauri: Ja pse duhet të ndalohen spiunët

Shqipëria e meriton një Parlament pa spiunë”. Kështu u shpreh, dje për “Telegraf”,  drejtuesja e njërës prej grupimeve më të rëndësishme, për mbrojtjen e të drejtave të Njeriut në Shqipëri, Elsa Ballauri, e cila vuri në dukje, se, “kjo gjë duhet bërë, jo vetëm për të korrigjuar, apo ndëshkuar padrejtësitë e së kaluarës, por edhe për ti dhënë më shumë dinjitet të tashmes dhe të ardhmes sonë”.

 Zonja Elsa, a duhet të përfshihen ish  bashkëpunëtorët e Sigurimit, në listat e reja të kandidatëve për deputetë?

Në asnjë mënyrë nuk duhet të ndodh kjo gjë. Për këtë arsye, pra pak kohësh, ne dorëzuam një projektligj, të cilin aktualisht, po e rishohim për t’i bërë disa korrigjime, të nevojshme në mënyrë që ai të jetë sa më rezistent ndaj periudhave kohore. Dhe natyrisht, për të qenë i aplikueshëm. Përveç kësaj, ne u kemi bërë thirrje drejtuesve partiakë, që të jenë të kujdesshëm në hartimin e listave për kandidaturat e deputetëve. Në mënyrë që në këto lista, të mos përfshihen ish – bashkëpunëtorët.

 Si mund ta dinë Berisha, Rama, Meta, etj, se cili nga kandidatët e tyre ka qenë dikur, spiun dhe cili jo?

Sot krerët e partive e dinë fare mirë, se cilët janë spiunët e dikurshëm dhe cilët jo. Madje edhe njerëzit e tjerë, pak a shumë kanë marrë një farë informacioni për këta individë. Përveç kësaj, sot, ka plot dëshmitarë të gjallë, që kanë dëshmuar të vërtetat e fajtorëve që kanë ndikuar negativisht, ndaj fatkeqësive të tyre, apo të të afërmve. Dhe në fund, sot, ekzistojnë plot dokumente arkivore, ku zbulohet e vërteta. Sepse Sigurimi i Shtetit, ka vepruar në një mënyrë dinake, duke inkriminuar një pjesë të konsiderueshme të njerëzve dhe duke koleksionuar saktësisht, aktivitetin  e tyre. Pra, dua të them, se sot nuk është fare e vështirë për të identifikuar emrin e një ish bashkëpunëtori,

Në ç’fazë jeni ju, me ligji tuaj të Lustracionit?

Tani jemi në fazën e këshillimeve me specialistë të huaj. Mendoj, se Shqipëria e meriton një Parlament pa spiunë, jo vetëm për të korrigjuar apo ndëshkuar padrejtësitë, e së kaluarës, por edhe për ti dhënë më shumë dinjitet të tashmes dhe të ardhmes sonë.

Ju synoni mospjesëmarrjen e ish bashkëpunëtorëve në politikë, apo më gjerë?

Në radhë të parë, ne kërkojmë që ish spiunët të mos marrin pjesë në politibërje dhe vendimarrje. Që nënkupton Parlamentin dhe institucionet e rëndësishme të shtetit. Aktualisht, projektligji ynë po shihet me kujdes që të jetë i aplikueshëm.

Nga cilët specialistë përbëhej grupi juaj i parë, i hartimit të këtij projektligji?

Në grupin tonë të punës përfshiheshin emrat e specialistëve me eksperiencë, si, Aleksandër Meksi, i cili ishte, ish -kryeministri i parë, pas diktaturës, si edhe personi që shfletoi nëpër duar, listat e ish spiunëve. Përvoja e tij, si edhe e Aleksandër Biberajt, i cili ishte propozues i një projektligji tjetër, për Lustracionin, na ndihmoi shumë.

A vazhdojnë ata, të jenë të inkuadruar në iniciativën tuaj, për përsosjen e këtij projektligji?

Jo, tani siç e thashë më lart, jemi në fazën e konsultimeve me specialistët e huaj.

A duhet të ketë Shqipëria pas 23 vjetësh një ligj për hapjen e dosjeve të ish sigurimsave?

Padyshim, që po.

——-

Fatos Klosi: Ish – bashkëpunëtorët e Sigurimit të mos pengohen për listën e deputetëve

Ish bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit nuk duhet të ndalohen për të kandiduar në listat e deputetëve, sepse ata kanë bërë detyrën”. Kështu u shpreh dje, në një intervistë ekskluzive, për gazetën “Telegraf”, ish kreu i SHISH, Fatos Klosi, i cili nënvizoi se, “në Shqipëri nuk ka asnjë spiun, por vetëm persona që kanë zbatuar ligjet dhe rregullat për të ndihmuar shoqërinë”.

 Zoti Fatos, në prag të zgjedhjeve, partitë po sulmojnë njëra-tjetrën për prurjet e spiunëve në Kuvend. Ju, çfarë mendoni për këtë kategori?

Në radhë të parë, unë ju pyes juve, por edhe ata individë të partive politike, se “kë quajnë spiun”? Dhe pasi t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje, unë ju pyes, se ku e dinë ata, se kush është spiun dhe kush nuk është spiun”. Përderisa dosjet nuk janë hapur, asnjeri nuk duhet denigruar me emërtime të kota.

Ju vetë, çfarë mendoni për këtë argument?

Unë mendoj dhe këtë gjë ua them me kompetencë, si ish drejtues i SHISH-it, se në Shqipëri, nuk ka asnjë spiun. Këtu ka vetëm ish bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë bërë detyrën ndaj shoqërisë dhe shtetit. Për mendimin tim, ata duhen respektuar, dhe nuk duhet në asnjë mënyrë, të sulmohen. Sepse kanë ndihmuar në kapjen e keqbërësve.

Po për ata që kanë raportuar kolegët, bashkëstudentët, apo bashkëfshatarët e vet ç’mund të thoni?

Mund të them, se kot po u bini në qafë këtyre njerëzve. Sepse në këtë rast, më shumë kanë raportuar dhe kanë bërë keq, ata që sot merren me trajtesa ndëshkimore për gjoja spiunët, se sa të përfolurit.

Dhe kush janë këta, sipas jush?

Këta janë disa prej atyre që bërtasin, “kapini spiunët”.

Ju si mendoni se duhet vepruar ndaj ish bashkëpunëtorëve, në politikë?

Unë mendoj se nuk ka asgjë të keqe, që këta ish bashkëpunëtorë të aktivizohen në politikë dhe në Parlament, me të gjitha të drejtat e deputetëve të tjerë. Sepse ata, e kanë treguar me kohë dhe sinqerisht, se e duan atdheun e tyre dhe kanë punuar për ndërtimin e një shoqërie, pa keqbërës.

Ju jeni kundër hapjes së dosjeve?

Mjaft më, me historira dosjesh, se politika dhe qarqet mediatike po bëhen qesharakë, duke sulmuar në këtë pikë. Unë mendoj se kjo çështje duhet të mbyllet njëherë e mirë.

Përse duhet mbyllur sipas jush?

Sepse kanë kaluar 23 vjet nga ndërrimi i sistemeve. Dhe në vend, të diktaturës së dikurshme është vendosur një diktaturë e re. Do të ishte mirë të merreshit me të dhe jo me ndonjë ish bashkëpunëtor, që paska raportuar para ca kohësh, bashkëfshatarin e tij, se tha që “në dyqan nuk ka patate”.

A e meritojnë sipas jush, këta ish bashkëpunëtor të kandidohen në listat e deputetëve?

Po. E meritojnë, po aq sa gjithë të tjerët. Sepse edhe sot, ka bashkëpunëtorë të shërbimeve tona, të cilët janë njerëz të nderuar që kontribuojnë për shoqërinë.