Klosi e Ulqini alarmojnë Ramën: “Në Elbasan PS po përçahet, rrezikojmë zgjedhjet lokale”

135

Strukturat e socialistëve në shkallë qarku prej muajsh kanë nisur të shfaqin problemin e shkërmoqjes së tyre

Situata më e fundit e krijuar në degët e PS në Qarkun e Elbasanit, ankesat e deputetëve dhe bazës, kanë detyruar Kryesocialistin Rama të nisë me urgjencë drejt këtij qyteti, Blendi Klosin dhe Musa Ulqinin. Dyshja e dërguar nga Rama ka zhvilluar një takim të gjatë deri pas mesnate dy net më parë me drejtuesit, deputetët, kryetarët e degëve të PS në qark, si dhe anëtarët e kryesive, nga ku kanë dëgjuar për rrethe 6 orë dhe kanë debatuar për probleme të shumta. Emërimet, punësimet, shkarkimet, reformat, mungesa e transparencës, aleancat me njerëzit e PD, arroganca, korrupsioni i shfaqur dukshëm, nepotizmi mungesa e mbledhjeve në degët e PS në qendër dhe në bazë, ishin disa prej problemeve që ndryshe nga rrethet e tjera që janë shoqëruar me sherre e grushte, në Elbasan ato u diskutuan dhe shtruan qetësisht. Dy të deleguarit e qendrës Klosi dhe Ulqini, kërkuan nga deputetët, drejtuesit vendorë, dhe kryetarët e degëve të PS në shkallë qarku, detajimin e problematikave të cilat janë pasqyruar në media, por jo tek strukturat qendrore të partisë. Klosi dhe Ulqini kanë mbështetur deputetët, kanë ridëgjuar edhe njëherë ankesat e tyre, kanë ballafaquar ligjvënësit me drejtuesit, por edhe kryetarët e degëve me drejtuesit vendorë. Realisht strukturat e socialistëve në shkallë qarku prej muajsh kanë nisur të shfaqin problemin e shkërmoqjes së tyre, apatinë organizative dhe mungesën e takimeve periodike duke larguar dhe bërë të pakënaqur mjaft militantë e kontribuues të PS-së. Në takimin e gjatë larg syrit dhe vëmendjes së opinionit qytetar, janë diskutuar dhe akuzuar hapur segmente të drejtimit të institucioneve dhe është bërë thirrje e hapur për të marrë masa ndaj cilitdo që ka shkelur statutin e partisë dhe ka rënë në kurthin e korrupsionit. Një prej drejtuesve të PS në qark i deklaroi Klosit dhe Ulqinit se, “në këtë gjendje që është katandisur sot partia dhe strukturat e saj, ne rrezikojmë të humbasim shumë bashki dhe komuna në zgjedhjet e afërta lokale”. Kjo deklaratë ishte sinteza e debateve dhe diskutimeve gjatë gjithë takimit, gjë e cila ka detyruar dyshen Klosi dhe Ulqini të deklarojnë hapur dhe vendosmërisht se “situata qenka alarmante, do të informojmë Ramën urgjentisht dhe duhet të ndalemi gjatë në qarkun e Elbasanit”. E ndërsa debatet kalonin shpesh cakun e tyre dhe limitoheshin në kufijtë e sherreve mes pjesëmarrësve në takim, duket se dyshja Klosi-Ulqini e kanë pasur të lehtë t’i qetësonin jo vetëm duke premtuar se “do të vëmë në dijeni Ramën”, por edhe sepse Elbasani gjithmonë ndryshe nga rrethet e tjera ka treguar gjithmonë qytetari dhe vetëpërmbajtje politike. Kjo lidhet ndoshta me natyrën e butë të qytetarëve të kësaj zone, të cilët më mirë se asgjë tjetër përdorin votën kur vjen moment i duhur për të ndëshkuar dhe fituar, dhe jo dhunën. Tashmë pritet ardhja e Ramës, e cila do të përmbysë gjithçka, për të ndryshuar gjithçka, për të ringritur e motivuar strukturat dhe moralin e tyre , për të ndëshkuar , vendosur dhe siguruar fitoren për zgjedhjet lokale të 2015. Duket se degët e PS-ve në qarkun e Elbasanit nuk po bëjnë përjashtime nga degët e tjera në rrethe, ku pas marrjes së pushtetit, kanë precipituar dhunshëm problematika të cilat kanë po përçajnë dhe ndajnë në klane drejtuesit e institucioneve dhe ato të kësaj partie.