Klosi: Arsim profesional edhe për fëmijët që nuk dëgjojnë

55
Plot 56 nxënës që ndjekin arsimin 9-vjeçar në Institutin e fëmijëve që nuk dëgjojnë, në Tiranë, do të bëhen pjesë e projektit të qeverisë për arsimin profesional. Në këtë institut janë ndërtuar laboratore të ndryshme, ku këta fëmijë të mund të ushtrojnë aftësitë e tyre në zdrukthtari, rrobaqepsi dhe këpucari. Qëllimi i projektit është, që këta fëmijë me aftësi të kufizuara, në të ardhmen të jenë më pranë tregut të punës, duke ndjekur një gjimnaz profesional, i cili do t’u ofrohet tashmë në institutin ku ndjekin arsimin 9-vjeçar. Projekti u bë i mundur nëpërmjet një financimi me fonde të qeverisë zvicerane në bashkëpunim me PNUD-in.
“Nxënësit e shkollës të kenë mundësi që jo vetëm të jenë qytetarë të denjë të shoqërisë dhe të kenë njohuritë bazë që marrin në shkollë, por të marrin edhe një zanat, një profesion. Të jenë njerëz që, pasi mbarojnë këtë institucion, të kenë mundësi që të jenë të gatshëm për tregun e punës”, tha Blendi Klosi. “Po iu kthejmë familjeve shqiptare një nevojë shumë të rëndësishme, që lidhet me standardin e fëmijëve të tyre jo vetëm në riedukimin dhe riintegrimin në shoqëri, por edhe një mundësi të shtuar për punësimin e tyre, në mënyrë që ata të mund të ndërtojnë jetën e tyre”, tha Nora Malaj.