Klodiana Spahiu:“Sistemi shëndetësor kërkon ndryshim rrënjësor, për jetën e qytetarit”

1128

INTERVISTA/Klodiana Spahiu, deputete e PS-së: “Sot 1/5 e territorit  të Shqipërisë gjendet pa shërbim shëndetësor”

 Deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu, mjeke në profesion, në intervistën për “Telegraf”, skanon gjendjen reale të sistemit shëndetësor shtetëror, e cila është në gjendje kome, pasi qytetarët nuk gjejnë asnjë shërbim, por nga ana tjetër, ata detyrohen që të paguajnë nga xhepi i tyre gjithçka, kur halli i detyron të ballafaqohen me realitetin e shërbimit shëndetësor shtetëror.

– Zonja Spahiu, cilat janë problemet që keni identifikuar në fushën e shëndetësisë sot?

Problemet e sotme në fushën e shëndetësisë janë të shumta, por më kryesore janë :

a)Aksesi i mangët i qytetarëve shqiptarë për shërbim shëndetësor, ku zona të tëra janë pa ose me shërbim shëndetësor të cunguar jo vetëm ato verilindore, por edhe në periferi të Tiranës. Sot 1/5 e territorit gjendet pa shërbim shëndetësor.. Ne kemi sot 2 herë më pak spitale dhe shtretër spitalor se vendet e BE-së . 2.5 herë më pak  mjekë e infermierë se qytetarët e BE-së. Mungesat apo pamjaftueshmëria e shumë shërbimeve të specializuara, si dializa, mjekimet e kancerit , ndërhyrjet në zemër , transplantet e veshkave të shumëpremtuara prej vitesh. Mungesa e tyre i detyron qytetarët tanë të shkojnë në spitale private brenda e jashtë vendit, duke paguar shuma të konsiderueshme .

b). Cilësia e dobët e shërbimit shëndetësor publik, e reflektuar me pakënaqësinë e qytetarëve dhe tensionimin e marrëdhënieve pacient –personel shëndetësor dhe përplasjen midis tyre, për shkak të mungesave të shumta në spitale, duke filluar nga pajisjet elementare ( jod e fasho) e deri në medikamente anti-tumorale. Ky konflikt është maja e ajsbergut, se në fakt  përgjegjësit kryesor të kësaj katrahure  fshihen pas personelit shëndetësor, të cilët janë të detyruar të punojnë në kushte shumë të vështira, por edhe të durojnë shpërthime të akumuluara njerëzish të plagosur nga sëmundja , varfëria dhe sorollatja pa fund që i shkakton ky lloj pseudo-organizimi.

c). Financim i dobët i shërbimit shëndetësor publik, i cili në buxhetin e vitit 2013 është vetëm 2.6 % e GDP dhe i krahasueshëm me fillim vitet 2000.

ç). Menaxhimi primitiv që ka bërë që edhe ato pak para publike të humbin në vrimat e zeza të paaftësisë dhe korrupsionit sistemik.

– Sipas jush, cilat janë shkaqet e shkaktarët e këtyre problemeve?

 Keqmenaxhimi i  sistemit tonë shëndetësor,  cili renditet ndër vendet më efiçencë më të ulët në Europë dhe jo vetëm . Politika të gabuara që paracaktuan  dështimin për shkak të:

a). Sot në vendin tonë numërohen rreth 1 milion njerëz të pasiguruar, e të papunët, të cilët duhet të paguajnë nga xhepi i tyre për të marrë shërbim shëndetësor. Sot mund të quhet i dështuar sistemi i referimit të pacientit, i cili i shtrenjtoi 4-5 herë tarifat për popullatën e pasiguruar . Vendosja e TVSH për barnat që prej muajit Mars 2011 e rëndoi me 25 milionë dollarë në vit më shumë faturën që paguan popullata për barnat, kur dihet që shitjet vjetore të barnave janë rreth 200 milionë dollarë .

b). Defektet në organizim, rregullim dhe decentralizim.  Pavarësisht ndryshimeve kozmetike, sistemi ynë shëndetësor vazhdon të jetë shumë i centralizuar . Udhëzimi i  fundit i ministrisë së shëndetësisë  ( Nr 13 date 11/01/2013 ) mbi mënyrën e organizimit dhe realizimit të procedurës së përqendruar të prokurimit të medikamenteve dhe materialeve mjekësore për përdorim spitalor, e vërtetoi më së miri. Sipas këtij udhëzimi tashme ministria e shëndetësisë do të jetë organ qendror blerës për medikamentet dhe materialet mjekësore për përdorim spitalor dhe do të ketë të drejtë të përzgjedhë fituesit për kontratat publike . Funksioni kryesor i Ministrit është politikëbërja jo menaxhimi. Si mund të jetë kryetar i bordit të QSUT Ministri i Shëndetësisë, ose drejtues të lartë të min së Shëndetësisë. Këto lloj politikash janë totalisht të dështuara, siç është dhe vetë sistemi. Prodhohen ligje, por ato në shumicë dërrmuese mbeten në letër e nuk zbatohen,ose zbatohen keq,si psh ligji i duhanit. Ministria e Shëndetësisë ka kapacitete të dobëta në drejtim të hartimit të politikave shëndetësore si pasojë e politikave militantiste të punësimit .

c). Dështimi në financim . Financimi i dobët është tashmë një sëmundje kronike e sistemit tonë shëndetësor . ( 2.7 % e GDP në 2012 , 2.6 % parashikohet në 2013. Pagesat nga xhepi llogariten rreth 60 % të financimit të sistemit tonë shëndetësor, këto si pagesa në shërbimin shëndetësor privat, pagesa e bashkëpagesa në shërbimin shëndetësor publik dhe korrupsion. Kjo shifër (rreth 500 milionë dollarë në vit ) është më shumë se alarmante, pasi rëndon në xhepat e pacientëve dhe familjarët e tyre, duke i çuar jo rrallë në shkatërrim financiar. Ky fakt implikon drejtpërdrejt drejtuesit politik, të cilët në mënyrë të hapur e të përsëritur, kanë nxitur publikisht një zhvillim të tillë, i përshtatshëm vetëm në xhungël .

ç). Dështim në menaxhimin institucional. Është e trishtueshme të konstatosh që institucionet tona shëndetësore, veçanërisht spitalet, edhe pas më shumë se 20 vitesh demokraci, vazhdojnë të drejtohen me modele e metodat e vjetra të menaxhimit. Ndryshimet e financimit të tyre nga skema e sigurimeve deri tani ka rezultuar një fasadë, pasi në thelb vazhdojnë të financohen me buxhete vjetore, pra me një  model që nuk stimulon cilësinë dhe produktivitetin e shërbimit shëndetësor, por vetëm parazitizëm.

d). Dështim në menaxhimin e burimeve njerëzore. Pjesa më e keqtrajtuar dhe e menaxhuar egërsisht janë burimet njerëzore. Kryeministri i vendit asnjëherë nuk i ka dhënë rëndësinë e duhur sektorit shëndetësor, por e ka përdorur ministrinë e Shëndetësisë si një “qerasje”  politike, ose “plaçkë” tregu, duke ndërruar 5 ministra në 8 vite dhe secili prej tyre, me mënyrën e vet, kanë ndërruar të gjithë strukturat drejtuese, duke i zëvendësuar me militantë partie e duke i dhënë dermën profesionistëve të vërtetë. Vetëm në QSUT, që është dhe zemra e sistemit tonë shëndetësor, janë ndërruar 6 drejtorë për këto 7 vite e gjysmë . Po drejtuesit e spitaleve rajonale e ato të rrethit sa herë janë ndërruar? Për çfarë reforme mund të flitet, kur ministri apo drejtori ndërrohen një herë në vit?

– Dhënia e ambienteve të spitaleve publike (shtetërore) me qira, ose edhe privatizimi i pjesshëm i ambienteve të këtyre spitaleve publike është i ligjshëm?

Nisur nga statistikat e OBSH, ne kemi spitale dhe shtretër spitalore  2 herë më pak se vendet e BE-së. Spitali ushtarak me një histori 80 -vjeçare ka qenë gjithmonë një prej institucioneve më të  rëndësishme shëndetësore, nisur edhe nga prezenca e qendrës së traumatologjisë, si e vetmja në llojin e vet. Në vitin 2002 u miratua   Masterplani i Spitalit Ushtarak  i sponsorizuar nga qeveria norvegjeze. Investimet u bënë nga qeveria norvegjeze dhe shqiptare dhe pasi përfundoi rikonstruksioni  rreth 7 vite më parë u dhanë me qira ambiente të spitalit  shoqërisë “Univeralb”.  Sipas informacioneve tona kjo kërkesë ishte bërë që në kohën e qeverisjes së PS-së, por ishte kundërshtuar.  Këto praktika nuk duhet të jenë të pranueshme, sepse nuk mund të vesh duart në pronën publike sa herë fshihen pas tyre interesa të forta pushtetarësh. Ne nuk jemi kundër investimeve private, por jo duke cenuar drejtpërdrejt interesat e qytetarëve.  Një fenomen i tillë jo vetëm që nuk duhet të përsëritet, por do të jetë  një obligim  i  qeverisë së 23 Qershorit, për të rikthyer në shërbim të pacienteve çdo të mire publike. Sot është katandisur spitali ushtarak si mos më keq, me mungesa të shumta, deri në pajisjet me elementare. Prej 2 vitesh është frenuar në maksimum numri i operacioneve të planifikuara dhe për ironi të fatit tani duhet të firmosë vetë drejtori për të bërë një operacion të planifikuar .

– Në programin e PS-së, cila do të jetë e ardhmja e Spitalit Ushtarak të Tiranës?

Territori i Spitalit Ushtarak  është pronë publike në shërbim të qytetarit  dhe  nuk do të tjetërsohet.  Kemi detyrimin ligjor dhe moral, si vend anëtar i NATO-s që kemi nënshkruar  marrëveshje bashkëpunim dypalëshe dhe të gjithë detyrimet  që rrjedhin për të siguruar ushtrinë  shqiptare  në misionet që kryen konform kërkesave të NATO-s. Do rindërtojmë  një spital sipas të gjithë kërkesave të partnerëve  tanë strategjikë dhe NATO-s .

– Mungesa e ilaçeve dhe e medikamenteve, si edhe e materialeve të domosdoshme në spitale, a mund të justifikohet me buxhetin e pakët shtetëror?

–  Situata aktuale në spitalet tona është e pajustifikueshme dhe tregon më së miri degradimin e sistemit shëndetësor. Mungesat e shumta nuk kanë të bëjnë  vetëm me buxhetin e cunguar, por  edhe me abuzimin dhe keqmenaxhimin që i bëhen parave publike. Spitalet janë kthyer si një kullojsë, që s’ngopet kurrë se në çdo hallke, duke filluar nga lart poshtë abuzohet maksimalisht e për ironi të fatit gjithçka bëhet sipas “rregullave”.  22 milionë dollarë është sot borxhi i QSUT ndaj firmave farmaceutike që kanë bërë furnizimin me ilaçe. Ndaj jemi të vendosur për një ndryshim rrënjësor në sistemin shëndetësor, ku në qendër të jetë qytetari, për t’i ofruar një shërbim cilësor dhe dinjitoz, nisur nga nevojat për shërbim shëndetësor.

-Faleminderit!

Ja skaneri i Sistemit Shëndetësor Shtetëror

 Vetëm në QSUT, që është dhe zemra e sistemit tonë shëndetësor, janë ndërruar 6 drejtorë për këto 7 vite e gjysmë

 22 milionë dollarë është sot borxhi i QSUT ndaj firmave farmaceutike

 Shitjet vjetore të barnave janë rreth 200 milionë dollarë

 Ne kemi sot 2 herë më pak spitale dhe shtretër spitalor se vendet e BE-së. 2.5 herë më pak  mjekë e infermierë se qytetarët e BE-së.

Sot 1/5 e territorit  të Shqipërisë gjendet pa shërbim shëndetësor”

 Vendosja e TVSH për barnat që prej muajit Mars 2011 e rëndoi me 25 milionë dollarë në vit më shumë faturën që paguan popullata

  Financimi i dobët është tashmë një sëmundje kronike e sistemit tonë shëndetësor . ( 2.7 % e GDP në 2012 , 2.6 % parashikohet në 2013. Pagesat nga xhepi llogariten rreth 60 % të financimit të sistemit tonë shëndetësor)