Klinton: “Punoni për zgjedhjet dhe luftoni korrupsionin”

482
Sigal

Vizita/ Sekretarja amerikane e Shtetit vizitoi dje Tiranën. Orë pas ore me takimet e Zonjës Klinton në kryeqytetin shqiptar

Kryeqyteti shqiptar dje u  zgjua në masa të rrepta sigurie për shkak të vizitës së Sekretares Amerikane të Shtetit. Disa akse rrugore u bllokuan për shkaqe sigurie, për disa orare të caktuara, ndërkohë që edhe shiu i dendur ishte një arsye tjetër pse drejtuesit e automjeteve qëndronin me minuta të tëra në trafik. Zonja Klinton, sapo zbriti nga shkallët e aeroplanit, hapi vetë çadrën e saj, për t’u mbrojtur nga shiu. Mbi 1.500 policë u mobilizuan për të siguruar sigurinë e vizitës së Zonjës Klinton në Tiranë.  Hilari Klinton, ka zgjedhur të ketë në ekipin e truprojës së saj plot 13 vajza të reja. Për Klinton ato janë kupola e mbrojtjes absolute ndaj çdo sulmi që mund t’i rrezikonte jetën.

MBËRRITJA

Ora 10:30 – Avioni i Sekretares Amerikane të Shtetit, Hilari Klinton u ul në Aeroportin e Rinasit rreth orës 10:30. Në Aeroportin e Rinasit, sekretarja Klinton u prit nga ministri i Jashtëm, Edmond Panariti. Shefi i diplomacisë shqiptare i uroi kryediplomates amerikane mirëseardhjen në Shqipëri.

TAKIMI ME PRESIDENTIN NISHANI

Ora 11:10 Takimi i Presidentit Nishani me Hilari Klinton zgjati rreth 30 minuta në Pallatin e Brigadave. Presidenti Nishani e dekoroi Sekretaren amerikane të Shtetit me “Urdhrin e Flamurit”, titulli më i lartë shqiptar. Vetëm pesë personalitete janë nderuar me Urdhrin e Flamurit deri sot. Dy janë shqiptarë dhe dy janë ish-Presidentët Amerikanë Bill Klinton dhe George W. Bush.

KLINTON-BERISHËS: “BASHKËPUNIM TË NGUSHTË PËR 100 VITE TË TJERA”

Ora: 12:20 – Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton zhvilloi një takim me Kryeministrin Berisha në selinë e qeverisë, ku shprehu urimet e saj për 100-vjetorin e Pavarësisë dhe siguroi shefin e qeverisë shqiptare për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.  “Zoti Kryeministër, është një nder i madh të jem këtu, sot, në ditën e parë të muajit që shënon përvjetorin e 100 të pavarësisë suaj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenarë të jenë partnerët dhe miku juaj, ndërsa ju keni vazhduar të bëni progres, të konsolidoni demokracinë, të hapni ekonominë e të krijoni mundësi për të gjithë popullin tuaj. Ne ju urojmë përzemërsisht për 100 vitet e para dhe presim të çojmë përpara bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e ardhshme.”- u shpreh sekretarja Klinton.

KLINTON MBËRRIN NË PARLAMENT

Ora 12:25-Klinton pritet në hyrje të Kuvendit nga Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. Sekretarja amerikane e shtetit mban edhe një fjalim në Kuvend. Në një sallë të zbukuruar me simbole kombëtare dhe të mbushur plot me të ftuar , Sekretarja e Shtetit të SHBA znj.Hilari Klinton përshëndeti përzemërsisht shqiptarët me rastin e 100 -vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

KLINTON FJALIM NE KUVEND: “SHBA-të,  MIQTE TUAJ HISTORIKE”

Ora 12:40 – Pas fjalës përshëndetëse të kryetares së Kuvendit, Sekretarja amerikane, Hilari Klinton, nisi fjalimin përpara deputetëve dhe personaliteteve të pranishëm në Kuvend, duke theksuar se SHBA do të mbetet partner i përhershëm për Shqipërinë. “Unë jam sot këtu në këtë pikë të rëndësishme të historisë suaj me një mesazh për popullin, SHBA kanë qëndruar ju për 100 vjetët e para dhe do qëndrojnë me ju dhe për 100 vjet, e për 100 vjet të tjera pas tyre, e pas tyre”, u shpreh e  emocionuar sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton para Parlamentit shqiptar. Klinton vlerësoi karakteristikat e përbashkëta që sipas saj kanë dy popujt, ai amerikan dhe ai shqiptar. “Kjo nuk është vetëm mes politikës, por dhe mes 2 popujve tanë. Popujt tanë kanë të njëjtën aftësi për të trajtuar me vendosmëri, ju sikurse ne keni qenë të vendosur për të ndërtuar një demokraci të gjallë dhe ekonomi për t’u vlerësuar. Ashtu sikurse ne, ju keni dëshirë për të lënë mënjanë mbrapa konfliktet, për të krijuar paqe.

KLINTON TAKON RAMËN: “PUNONI PËR ZGJEDHJET, LUFTONI KORRUPSIONIN DHE BASHKËPUNONI PËR VENDIN”

ORA 13:30-Pas fjalës në Parlament, Klinton takoi kryetarin e PS, Edi Rama në hotelin “Sheraton”.  Ndërsa shprehu bindjen se Shqipëria ka potenciale për të ecur përpara, Sekretarja Amerikane Klinton theksoi se muajt e ardhshëm janë kritike për shqiptarët.  Klinton porositi klasën politikë shqiptare që të punojë për zgjedhje të suksesshme në të ardhmen, të luftojë korrupsionin dhe të bashkëpunojë për të mirën e vendit. Klasa e politike shqiptare ka përshëndetur vizitën e kryediplomates amerikane Hilari Klinton në Tiranë me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë.  Partitë politike kanë përshëndetur mesazhet e rëndësishme që Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton, përcolli të enjten, gjatë vizitës disaorëshe në Tiranë, për zgjedhje të hapura dhe të balancuara, luftë kundër korrupsionit.

VIZITA E KLINTON NË TIRANË, E KATËRTA E NJË ZYRTARI TË LARTË AMERIKAN PAS VITEVE ’90

Sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton, që vizitoi Tiranën të enjten, është e katërta e një drejtuesi të Departamentit të Shtetit që viziton Shqipërinë, pas viteve ’90. I pari që shkeli në Tiranë, në 1991-n ishte sekretari i atëhershëm Xhejms Bejker, të cilit iu rezervua një pritje madhështore në Shqipërinë e sapo dalë nga izolimi komunist. Vizita e dytë do të ishte në 2000-n, e znj. Madelein Albright, ndërsa pak vite më vonë në 2003-n do të vinte sekretari i atëhershëm Kolin Pauwll, vizita e të cilit do të vendoste bazat e anëtarësimit të mëvonshëm të Shqipërisë në NATO. Ngjarja më kulmore në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane është vizita në vitin 2007 e presidentit të atëhershëm George W. Bush, i cili nga Tirana paralajmëroi pavarësinë e Kosovës.

MEDIAT NDËRKOMBËTARE PASQYROJNË VIZITËN E KLINTON NË SHQIPËRI

Vizita e sotme e Sekretares amerikane të Shtetit Hilari Klinton në Shqipëri është pasqyruar gjerësisht nga mediat ndërkombëtare. Me titullin “Hilari Klinton shpjegon arsyen se përse ajo shkon mjaft mirë me Presidentin Obama” gazeta amerikane “Washington Post” fokusohet te fjalimi i numrit një të diplomacisë amerikane në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë, “Agjencia Bloomberg”,  shkruan në titullin e saj se Sekretarja Amerikane e Shtetit nxit Shqipërinë që të zhvillojë zgjedhje transparente.  Lajmi për vizitën e Sekretares Amerikane të Shtetit në Shqipëri u pasqyrua edhe nga agjencia e lajmeve “Reuters” dhe shume media të tjera Europiane dhe Ballkanike.