KLGJ-KLP, ja 15 kandidatët nga avokatia

620
Kuvendi mblidhet sot për të ngritur komisionet e vetingut, ndërsa Brukseli i bën thirrje opozitës të kthehet në Parlament
Komisioni i Pavarur për verifikimin dhe vlerësimin paraprak të kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga avokatia, shpalli menjëherë emrat e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për të qenë anëtarë të KLGJ-së dhe KLP-së. Procedura përkatëse u bë pranë Avokatit të Popullit dhe në përfundim u shpallën 10 avokatë, të cilët plotësojnë kushtet për të qenë anëtarë të KLGJ-së dhe 5 avokatë për të qenë pjesë e KLP-së.

Ndërkohë Kuvendi do të mblidhet sot në një seancë të jashtëzakonshme për të ngritur komisionet e vetingut. Në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, këto komisione do të jenë me përbërje të barabartë nga maxhoranca dhe opozita. Pas ngritjes, ato duhet të shqyrtojnë 67 emrat e sjellë nga Avokati i Popullit, së bashku me rekomandimin pozitiv të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. 

Partia Socialiste ka zyrtarizuar dy emrat që do të jenë anëtarë të komisionit Ad Hoc të vetingut. Ata janë deputetët Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja. Ndërkohë anëtari i tretë i maxhorancës i është lënë LSI-së, e cila ende nuk e ka zyrtarizuar, ndërsa është diskutuar emri i Luan Ramës. 

Bojkoti parlamentar i opozitës pritet ta bëjë të vështirë ngritjen e komisioneve parlamentare, duke bllokuar edhe procesin e ngritjes së strukturave të sistemit të drejtësisë, mes të cilave Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. 

Thirrja e Brukselit
Zëdhënësja e Përfaqësueses për Politikën e Jashtme të BE-së, Maja Koncijançiç, u ka bërë thirrje partive politike dhe opozitës në veçanti që të dialogojnë mes tyre për zgjidhjen e krizës. Në këto kushte, opozita ka marrë një mesazh të prerë nga Brukseli, lidhur me bojkotin e saj prej rreth dy muajsh në parlament dhe në zgjedhje. “Ne e kemi ndjekur nga afër situatën. Që kur nisi bojkoti i opozitës ne shprehëm keqardhje, sepse besojmë se debati politik nuk duhet të mbahet jashtë, por brenda parlamentit. Nga pikëpamja jonë bashkëpunimi mes opozitës dhe qeverisë dhe dialogu mes tyre janë thelbësore edhe për ambiciet e vendit, që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, tha ajo. Për zëdhënësen e Brukselit, sigurisht që përgatitjet duhet të mbahen në parlament dhe jo jashtë tij dhe nga perspektiva e BE-së bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës dhe dialogu i tyre janë thelbësore edhe për ambiciet e vendit për të hyrë në BE.

“Sigurisht që përgatitjet për zgjedhjet e pritshme janë një pjesë e rëndësishme e këtij procesi dhe ne e kemi ndjekur nga afër situatën. Për ne është shumë e rëndësishme që të shohim të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të përgatitura mirë”, ka pohuar Koncijançiç.

Kandidatët nga avokatia për KLGJ:
1 – Alban Toro
2 – Arben Prifti
3 – Arben Vani
4 – Fatos Lazimi
5 – Genti Sinani
6 – Gëzim Allaraj
7 – Saimir Vishaj
8 – Sinan Tafaj
9 – Sokol Lamaj
10 – Fatmira Luli 
Kandidatët nga avokatia për KLP:
1 – Floreta Gjini
2 – Gëzim Allaraj
3 – Kozma Jano
4 – Nurihan Seiti
5 – Veronika Vangjeli
Sigal