Klevi Pojana: Koha e Ramës ka mbaruar, rinia nuk do lejojë rikthimin e diktaturës në Shqipëri!

538
Sigal

Fjala e Nënkryetarit të LRI-së, Klevi Pojana në protestë

Unë jam Klevi Pojana. Dhe sot jam këtu si mijëra qytetarë të lirë të Shqipërisë, të cilët dalin për t’i thënë Edi Ramës se koha e tij ka mbaruar. Duhet t’ia njohim një meritë Edi Ramës. Edi Rama si kurrë më parë askush, i ka bashkuar shqiptarët të majtë e të djathtë për t’i dhënë fund regjimit të tij dhe për t’i dhënë fund këtij sistemi, i cili e ka çuar Shqipërinë nga varfëria në varfëri më të tejskajshme. Sot jemi përballë dy realiteteve. Është Parlamenti i mbushur me banditë dhe kriminelë, të cilët karrige e duan për të pastruar paratë e tyre dhe për të bërë akoma më shumë para nëpërmjet krimit dhe drogës. Dhe përballë qytetarëve të lirë, përballë atyre që e duan Shqipërinë, duan Europën, duan lirinë.

Unë dua sot të kujtoj dhe diçka tjetër. Shqipëria po lëngon nga krimi nga jugu në veri. Dhe një nga arsyet kryesore është sepse Edi Rama dhe ministrat e tij, të cilët patën një axhendë kanabisi për Shqipërinë tradhtuan uniformë e Policisë së Shtetit, tradhtuan komisarët dhe oficerët, të cilët i lanë rrugëve për të bërë planin e tyre për ta mbjellë Shqipërinë me drogë me qëllim për ta mbushur Shqipërinë me drogë dhe për të mbushur rrugët e Europës. Ne jemi sot këtu, rinia e Shqipërisë, për t’i thënë Europës dhe Amerikës se nuk ka askënd tjetër në këtë vend që e do më shumë Europën, lirinë dhe demokracinë se të gjithë ne. Ne jemi sot këtu dhe është nder dhe privilegj i madh që jemi përballë kësaj xhamie që Edi Rama nuk e kurseu, por futi falangat e tij për të sulmuar qytetarët. Dhe ne të gjithë bashkë duhet t’i bëjmë një premtim të gjithë shqiptarëve, që ne kurrë nuk do të lejojmë një lider të tillë të rikthehet më në Shqipëri. Ne kurrë nuk do të lejojmë që autokratë, njerëz të cilët pushtetin e duan vetëm për grupin e tyre të oligarkëve.

Tani dua një duartrokitje të fortë për të gjitha ata të rinj që sot dergjen burgjeve sepse janë kundër Edi Ramës. Unë dua sot një duartrokitje të fortë për të gjitha ata të cilët janë në burgje sepse nuk kanë mundësi të paguajnë dritat, dhe ndërkohë miqtë e Edi Ramës janë bërë pasanikë dhe nuk e dinë ku i kanë lekët në parajsat fiskale. Unë dua sot një duartrokitje nga të gjithë ne për t’i treguar Edi Ramës që ne nuk kemi frikë nga ai dhe banda e tij. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti i bekoftë shqiptarët dhe Zoti e bëftë Shqipërinë një vend të begatë. Faleminderit.