KLD pezullon gjyqtarin Aliu, fshehu pasurinë, u shkarkua Pojanaku

548
TIRANE – Pezullohet gjyqtari i Kavajës Osman Aliu dhe shkarkohet nga detyra gjyqtari i Pogradecit Dhimitër Pojanaku.
Vendimet u morën në mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas kërkesës së ministrit të Drejtësisë Nasip Naço.
Këto kërkesa erdhën pasi gjyqtari i Kavajës Osman Aliu është në hetim për fshehje të pasurisë, ndërsa gjyqtari Pojanaku pasi mori 500 mijë lekë ryshfet në një proces gjyqësor.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zgjedhur sot krerët e gjykatave administrative të rretheve Durrës, Shkodër e Korçë, ndërsa është ende në proces emërimi i kreut të Gjykatës Administrative në Gjirokastër. Në Shkodër, kryetare e kësaj gjykate do të jetë Valbona Duraj, në Durrës Genci Sinjari, ndërsa në Korçë, Sokol Ibi.
Nga ana tjetër në mbledhjen e sotme nuk është future në rend dite kërkesa e ministrit Naço, për zgjedhjen e n/kryetarit të KLD, kërkesë kjo e refuzuar nga Nishani.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë-Njoftim për shtyp
Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, datë 29.04.2015, mbledhjen plenare, e cila nisi me shqyrtimin e raportit “Mbi veprimtarinë e Inspektoratit të KLD-së për vitin kalendarik 2014”. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli miratoi raportin “Mbi veprimtarinë e Inspektoratit të KLD-së për vitin kalendarik 2014”. 
Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e Këshillit diskutuan dhe miratuan projektvendimin e KLD-së “Për kriteret dhe procedurat e vlerësimit profesional dhe etik të Kryeinspektorit dhe inspektorëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
Mbledhja vijoi me kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, O. A. Pas diskutimeve, anëtarët e KLD-së, vendosën të pranojnë kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, O.A.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit të Republikës, miratoi futjen në rendin e ditës propozimin për shkarkimin e Dh.P, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, ndaj të cilit ka një vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Në referencë të përcaktimeve të nenit 147 të Kushtetutës, si dhe nenit 20 të ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, anëtarët e Këshillit vendosën të shkarkojnë nga detyra Dh.P, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec.
Në vijim të mbledhjes, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi kërkesën e zj. Arta Llazari, për “Rikthim në vendin e mëparshëm të punës”, si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Më pas, mbledhja vijoi me përcaktimin e numrit të vendeve vakante për kandidatët për magjistratë (profili gjyqtar), për vitin akademik 2015-2016, në Shkollën e Magjistraturës. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli vendosi që për vitin akademik 2015-2016, në Shkollën e Magjistraturës, të pranohen 10 (dhjetë) kandidat për magjistratë (profili gjyqtar).
Sipas përcaktimeve në rendin e ditës u zhvilluan procedurat për emërimin e kryetarëve të Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë Durrës, Shkodër dhe Korçë. Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin si më poshtë vijon:
-Në gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës, zotin Genci Sinjari.
-Në gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, zonjën Valbona Durraj
-Në gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë, zotin Sokol Ibi.
Këshilli, shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 278/2, datë 19.07.2011 “Për veprimtarinë akademike të gjyqtarëve”. Në vijim të mbledhjes Këshilli, shqyrtoi dhe miratoi relacionin “Mbi disa propozime të grupit të punës për sistemin e pikëzimit për procesin e emërimit të gjyqtarëve në gjykata”. Po në këtë pikë të rendit të ditës, Këshilli miratoi z. Vangjel Kosta, si anëtarë të komisionit të shqyrtimit të kandidaturave për gjyqtar.
Gjithashtu, Këshilli, shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për 10 (dhjetë) gjyqtarët e mëposhtëm:
– Ramiz Lala, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër.
– Arben Zefi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër.
– Nafije Curri, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë.
– Dritan Caka, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
– Emiljano Ruli, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë.
– Enkelejda Softa, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
– Klodiana Mema, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës.
– Elidon Papazisi, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër.
– Matilda Shalla, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier.
– Albina Spaha, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.
Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.
Sigal