KLD, Naço: Anëtarët axhendë personale, reformë në gjyqësor

408
Sigal

TIRANE – Shkeljet flagrante në Këshillin e Lartë të Drejtësisë e bëjnë të domosdoshme reformën në këtë institucion, por edhe më gjerë…në të gjithë sistemin gjyqësor në vend. Këtë qëndrim shprehu ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, në kohën kur përplasjet mes mazhorancës përballë opozitës dhe Presidentit janë të hapura sa i përket ligjit të ri të KLD që tashmë ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. “Ka ardhur koha për një reformë të thellë në të gjithë sistemin gjyqësor. Kjo nuk është reforma në drejtësi. Reforma do të jetë më e thellë, do të prekë të gjithë institucionet e gjyqësorit”, u shpreh ministri Naço. Naço shkoi edhe më tej, kur tha se një pjesë e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kanë patur axhendë personale dhe shkelje flagrante. “KLD ka përgjegjësi të madhe në opinionin publik. Situata është problematike dhe këtë fakt e kanë evidentuar edhe partnerët ndërkombëtarë. KLD ka bërë shkelje me emërimet e 21 kryetarëve të Gjykatave. Ndërsa 16 magjistratë u emëruan në vend të largëta. Dhe në Tiranë u emëruan njerëz pa meritë”, u shpreh ministri i Drejtësisë. Ndërsa sa i përket kandidaturës së ish-kryeprokurores Ina Rama për postin e nënkryetares të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Naço thotë: “Ina Rama ka gjithë të drejtën që të kandidojë për nënkryetare e KLD-së. Por ky nuk është shqetësimi im”. Mazhoranca tashmë ka ngritur një komision hetimor për të kërkuar shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Çefa (njëherësh nënkryetar i KLD) dhe Lulzim Lelçajt, pas shkeljeve të evidentuara nga dy zyrtarët.