KLD mblidhet nën drejtimin e Ilir Metës, ja çfarë vendos për vettingun

100
Këshilli i Lartë i Drejtësisë është mbledhur sot nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Mbledhja nisi me diskutimin formal të informacionit të paraqitur në Këshill në lidhje me takimin e zhvilluar nga Kryeinspektori dhe Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së, me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Pasi u analizua informacioni, anëtarët shprehën një zëri vullnetin e KLD-së, për të bashkëpunuar më të gjithë Institucionet shqiptare dhe Institucionet partnere ndërkombëtare, që kanë asistuar në procesin e Reformës në Drejtësi, për të çuar përpara procesin.
Gjithashtu, në emër të Këshillit, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, theksoi se KLD dhe Inspektorati i saj do të përmbushin të gjitha detyrimet që do i ngarkohen nga ky proces. Për të rakorduar qëndrimet më institucionet që merren me procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, përfshi edhe miratimin e akteve të përbashkëta, KLD vendosi të ngrejë një grup pune prej 4 anëtarësh, të cilët do rakordojnë dhe bashkëpunojnë në mënyrë të përhershme lidhur me ecurinë e procesit dhe problematikat.
Përbërja e grupit të punës do jetë si më poshtë:
Z. Vangjel Kosta, anëtarë i KLD-së, zgjedhur nga Kuvendi.
Z. Gerd Hoxha, anëtarë i KLD-së, zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore.
Z. Neritan Cena, anëtarë i KLD-së, zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore.
Përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë.
Bazuar në rendin e ditës mbledhja vijoi me shqyrtimin e projekt-akteteve përfundimtare të vlerësimit, të përgatitura nga Kryeinspektori i Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Në përfundim të këtij shqyrtimi, si dhe pas vlerësimit të ankimeve përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për 15 gjyqtarë.
Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.