KLD/ Emrat e rinj në Vlorë, Lezhë dhe Elbasan

722
Sigal

Këshilli i Lartë i
Drejtësisë miraton disa lëvizje gjyqtarësh

Këshilli i Lartë i
Drejtësisë, zhvilloi dje mbledhjen plenare, e cila nisi me miratimin e kërkesës
së gjyqtares Diamela Goxha për revokimin e lejes për të shërbyer si ndihmëse
ligjore pranë Gjykatës së Lartë dhe kthimin e saj në gjykatën ku është emëruar
nga KLD. Në vijim të mbledhjes, Këshilli miratoi kërkesën për autorizimin për
mësimdhënie të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ilir Mustafaj.
Në përputhje me rendin e ditës, mbledhja vijoi me shqyrtimin dhe votimin e
kandidaturave për gjyqtarë, për plotësimin e 1 (një) vendi vakant, në Gjykatën
e Apelit Vlorë. Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i
Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës
emërimin e gjyqtarit Ervin Trashi, në Gjykatën e Apelit Vlorë. Këshilli vendosi
konstatimin e mbarimit të ushtrimit të detyrës, për shkak të mbushjes së moshës
së pensionit të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, Ded Deda,
njëkohësisht kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe delegimin e gjyqtares
Ornela Naqellari, për të ushtruar detyrën në funksionin drejtues të kësaj
gjykate. Gjithashtu, me propozim të ministrit të Drejtësisë, anëtarët e KLD-së,
vendosën të shpallin vendin vakant për funksionin drejtues të kryetarit të
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe një vend vakant për një gjyqtar pranë
kësaj gjykate. Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli në zbatim të vendimit
të të tij nr. 261/2, datë 14. 04. 2010 “Sistemi i Vlerësimit të
Gjyqtarëve”, miratoi projekt-aktet e vlerësimit të përgatitura nga
Kryeinspektori për gjyqtarin Klodian Kurushi, të Gjykatë së Shkallës së Parë
për Krime të Rënda dhe për gjyqtarin Taulant Tafa, të Gjykatës së Rrethit
Gjyqësor Elbasan. Këshilli vijoi më pas me zhvillimin e procedurës për emërimin
e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Pasi dëgjuan platformat e
kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin si
kryetar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Elbasan, të Sulejman Kurti. Si pikë të
fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në
shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata
janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.