KLD, deklaratë në lidhje me prononcimin e Ministrit të Drejtësisë

809
Sigal

Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpreh keqardhjen për prononcimin e sotëm  në media të Ministrit të Drejtësisë, prononcim icili shkon në një rrugë totalisht të kundërt me bashkëpunimin e frytshëm ndërinstitucional që duhet të kenë institucionet në vendin tonë, bashkëpunim i cili më së pari dhe më së fundmi është detyrim burimor i kushtetutës. KLD i kërkon Ministrit të Drejtësisë dhe të gjithë aktorëve të tjerë që të mos i bëjnë shantazh gjyqtarëve, por të fokusohen në zgjidhjen e problemeve që ndikojnë në reformimin e sistemit të drejtësisë në mirëfunksionimin e gjykatave.

Gjejmë me vend të informojmë opinionin publik se Këshilli i Lartë i Drejtësisë i vlerëson me shumë seriozitet procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve, procedime të cilat ne fakt kanë qënë vetëm iniciativë e inspektoratit pranë KLD, për t’u dërguar më pas nga Zëvendëskryetari i KLD në drejtim të Ministrit të Drejtësisë. Vetëm në vitin 2013 Ministrit të Drejtësisë i janë dërguar 24 relacione për procedime disiplinore për 16 gjyqtarë, dhe vetëm në vitin 2014 i janë dërguar 14 relacione për të iniciuar procedime disiplinore për 10 gjyqtarë.

Informojmë opinion publik se KLD, në mbledhjen e fundit, datë 24 shkurt 2014, kishte ne rend dite dy procedime disiplinore për tu shqyrtuar, ndërsa në mbledhjen e rradhës, datë 11 prill, e cila u shty pikërisht për faktin se Ministri i Drejtësisë nuk mund të ishte prezent, janë planifikuar të shqyrtohen edhe 5 procedime, dhe me një ritëm të shpejtë do të vijojë në të gjitha procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve.

Duke pasur në konsiderate faktin, se Ministri i Drejtësisë, është i vetmi organi i cili ka me ligj të drejtën ekskluzive të iniciojë procedimin disiplinor për gjyqtarët, sqarojmë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë është në unison të plotë me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë të cilët sugjerojnë se ka ardhur koha që kjo e drejtë, ky ekskluzivitet, të mos i lihet Ministrit të Drejtësisë.

Kurdoherë, vullneti i KLD-së ka qënë dhe është i palëkundur për të proceduar disiplinarisht gjyqtarët që abuzojnë me sistemin, dhe është ende në pritje që Ministri të sjellë në Këshill propozimet për procedimet disiplinore, së paku, për ato raste, të cilat janë konstatuar me shkelje pas kontrolleve të ushtruara nga inspektorati i KLD.

Edhe një herë garantojmë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë është i vendosur të vazhdojë përpjekjet e tij për konsolidimin e sistemit të drejtësisë dhe mirëpret çdo sugjerim konstruktiv për përmirësimin e standardeve përmes zgjidhjeve konkrete dhe jo ngritjes së pengesave artificiale.