Klajda Gjosha :Shqipëria ka marrë një rekomandim pozitiv në nëntor të 2016 dhe rekomandimi i dytë vjen natyrshëm

789
Sigal

 Intervista e depuetetes së LSI-së, Klajda Gjosha në Radio Televizionin Scan

Është rekomandimi i dytë që vjen nga Komisioni Europian. Do të kemi këtë verë çelje të negociatave?

Është vështirë të parashikosh aq më tepër kur ka pasur disa çështje që kanë tronditur pak a shumë procesin e integrimit, sidomos së fundmi edhe me ardhjen e qeverisë së re. Me një ndryshim total dhe ristrukturim që i’u bë edhe ministrive ku nuk ka patur shumë rezultate le të themi dhe në mirë funksionimin e administratës publike apo në atë çka është thelbësore në procesin e integrimit që është vetë koordinimi i procesit me institucionet dhe më pas raportimi në Komisionin Europian. Është vështirë që të parashikosh sepse tani jemi përpara një vendimi që duhet të merret nga vendet anëtare. Janë 28 vende. Nuk është e lehtë të bindësh gjithësecilin nga vendet, aq më tepër kur ka vende që nuk janë shumë optimiste për vetë zgjerimin apo nuk besojnë shumë tek mënyra sesi funksionon në vendet si Shqipëria, por edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, implementimi i reformave. Shpeshherë ne jemi shumë të mirë në shkrimin e ligjeve dhe të reformave në letër, por kur vjen çështja e implementimit aty gjithmonë vendoset një pikëpyetje e madhe dhe shpeshherë ne shkojmë drejt kapjes së sistemeve. pra shkojmë në të kundërtën ë asaj që duhet të ndodhi në një vend demokratik apo që i takon një vendi i cili kërkon çeljen e negociatave.

Por pse? Domethënë çfarë e shkaktoi këtë rekomandim tani? Si erdhi ky rekomandim?

Shqipëria ka marrë një rekomandim pozitiv në nëntor të 2016 dhe rekomandimi i dytë vjen fare natyrshëm. Po të shohim Maqedonia përshembull është një vend i cili ka mbi 10 vjet, ka përreth 15 vjet që qëndron në të njëjtin status. Dhe çdo vit Komisioni Europian rekomandon çeljen e negociatave. Pse e bën këtë? E para njëherë për të dhënë shpresë në një vend i cili shpresën e vetme ka procesin e integrimit europian dhe drita e vetme jeshile është anëtarësimi në BE. Shqiptarët nuk kanë një perspektivë tjetër ndaj dhe është shumë e rëndësishme të qëndrojnë brenda kësaj perspektive. Besoj që qënia konstante e Komisionit Europian dhe çështja e kredibilitetit të tyre, dhe për vetë Komisionin Europian dhe vendet anëtare është madhore. Ndaj dhe ata nuk lëvizin nga qëndrimi I tyre që është dhënë njëherë, është bërë publik në nëntor të 2016. Këtë rradhë ata rekomandojnë sërish, por ky rekomandim do duhet të shkojë në Këshill ku mblidhen të 28 vendet anëtare për të vendosur nëse Shqipëria ka bërë hapa mjaftueshëm për çeljen e negociatave apo jo. gjatë gjithë kësaj periudhe kemi pasur një ndryshim, pra ka qenë fillimi i implementimit të reformës në drejtësi. Ajo çka do të duhet të shohim tani është mënyra sesi reforma po zbatohet. A ka dhënë vetingu rezultatet e duhura që të binden të gjitha këto vende apo jemi ende herët për të folur për një reformë të suksesshme?

Pra rekomandimi, le të themi një proces ciklik mekanik apo?

Janë të gjitha bashkë. Pra përtej faktit që kemi një vazhdimësi të reformës në drejtësi kemi dhe çështjen e vetë kredibilitetit që ka të bëjë me Komisionin Europian. Dhe të mos e harrojmë këtë sepse shpeshherë vendoset pikëpyetje për mënyrën sesi Komisioni Europian vlerëson le të themi prioritetet që vendosen ndaj vendeve si Shqipëria. Dhe këto pikëpyetje nuk janë të vendosura nga ne. Janë të vendosura pikërisht nga vendet anëtare të cilët përballen shpeshherë dhe me raportet e vendeve të tyre, raportet e institucioneve të pavarura që ata kanë, raportet e institucioneve të inteligjencës e kështu me rradhë apo edhe të bashkëpunimit mes tyre.

Një rekomandim që vjen në të njëjtën kohë siç e përmendët dhe ju me Maqedoninë. Kush është nga te dyja vendet më i avantazhuar? Le të themi në këtë garë në thonjëza.

Unë mendoj që nuk mund të krahasohet Shqipëria me Maqedoninë.

Janë raste të veçanta?

Janë raste të veçanta për arsye sepse Shqipëria nuk ka pasur marrëdhënie të ngurtësuara bilaterale me vendet anëtare që të mund të pengonin rrugëtimin e saj në BE. Maqedonia ka pasur një problem shumë të madh me Greqinë. Unë uroj që ata të jenë drejt zgjidhjes sepse në fund të fundit në kaq vite besoj që Maqedonia të paktën së brendshmi në prioritetet e ndërtimit të një shteti të drejtë duhet patjetër të ketë bërë përparimet e saj për të miratuar çeljen e negociatave. Shpresoj shumë që të zgjidhi edhe marrëdhënien me Greqinë, edhe çështjen e emrit që e ka penguar pak a shumë në këtë rrugë.

Duket sikur po e kapërcen këtë moment…

Besoj që do të gjendet një zgjidhje dhe pas kësaj zgjidhjeje patjetër që edhe Maqedonia do të meritonte plotësisht çeljen e negociatave.

Por duket sikur edhe Shqipëria ka disa probleme të hapura me Greqinë. A mund të bëhen pengesë ato për integrimin e Shqipërisë?

Gjithmonë vendet anëtare kanë disa çështje të cilat I diskutojnë në momente të caktuara me vendet si Shqipëria, Kosova, Mali I Zi, sepse të gjithë ne kemi problemet tona në rajon. Megjithatë Greqia nuk ka qenë asnjëherë penguese e procesit të integrimit pra edhe pse këto çështje kanë qëndruar aty prej shumë vitesh asnjëherë Greqia nuk ka vënë një veto ndaj Shqipërisë.

Është për tu vlerësuar.

Dhe unë besoj që është për tu vlerësuar

Dhe me të vërtetë meriton atë titull apo status që ne i kemi dhënë që është një partner strategjik për Shqipërinë. Aq më tepër që jetojnë mijëra shqiptarë për të cilët ne  patjetër kemi , jo vetëm që shteti shqiptar duhet të ketë shumë respekt, por është edhe një falenderim shumë i madh që i shkon fqinjit tonë Greqisë për gjithçka që ka bërë në këto vite. Dhe që na është gjendur pranë në momente shumë të vështira që ka kaluar Shqipëria. Marrëdhëniet me Greqinë do duhet të stabilizohen dhe të gjitha çështjet e mbartura do të duhet të shtjellohen mirë dhe të arrihet një marrëveshje para se Shqipëria të jetë një vend anëtar. Ky ka qenë edhe një nga kushtet kryesore që vendoset edhe në Strategjinë e Zgjerimit publikuar në shkurt të këtij viti nga Komisioni Europian, ku jo vetëm Shqipëria por të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të sheshojnë problematikat që kanë me vendet e tjera në mënyrë që të anëtarësohen dhe të bëhen shtete me të drejta të plota.

Nga momenti i rekomandimit të kushtëzuar për zbatimin e reformës në drejtësi, deri sot, sa është bërë? A është bërë mjaftueshëm?

Unë mendoj që ka pasur një moment kyç, që është pikërisht nga votimi me 140 vota në Kuvendin e Shqipërisë, që I dha Shqipërisë në fakt edhe rekomandimin pozitiv të nëntorit 2016. Kemi një moment të dytë, atë të votimit të 7 ligjeve dhe të fillimit të procedurave për implementimin e reformës në drejtësi dhe pikërisht procesi i vetingut që ka qenë edhe një kusht thelbësor. Sa është bërë? Jemi ende në fillesa. Kemi dorëheqjen e disa prokurorëve apo gjyqtarëve, ku shumë prej tyre në fakt janë edhe drejt moshës së daljes në pension, pra nuk mund të paragjykohen dhe nuk mund të vendosen në një mënyrë mekanike si arritje të mëdha të sistemit të drejtësisë. Kemi një proces tashmë të nisur ku  po kryhen verifikimet, le të themi për gjyqtarët e Kushtetueses, i cili tashmë ka filluar, por nuk përfundon këtu. Sepse vërtetë ne kemi disa rikonfirmime në detyrë dhe disa dosje të tjera të cilat tashmë do të kalojnë në gjykim por do të duhet gjykata të flasë përfundimisht për këta persona të cilët janë vlerësuar negativisht le të themi nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit së bashku me trupën ri-vlerësuese  shqiptare që kryen të gjithë procedurat. Pra zinxhiri i te dhënave që shpeshherë Shqipëria do duhet të dorëzojë pranë Komisionit Europian apo vendeve anëtare për ta bërë atë të besueshme nuk ka përfunduar. Ndaj dhe ka vende anëtare që thonë që nuk kemi rezultate mjaftueshëm për të thënë që ky është një sistem drejtësie tashmë që ka hedhur bazat e saj më të mira, pra rrënjët e saj për të ngritur një shtet të së drejtës, një drejtësi që funksionon dhe që njerëzit e besojnë atë. Pra është shumë herët për të diskutuar për rezultate  të prekshme. Aq më tepër që ne kemi shumë  dosje që kanë qëndruar ndër vite, flas dosje të niveleve shumë të larta, në Prokurorinë Shqiptare të cilët sot ne ende nuk dimë asgjë se çfarë ndodh me to. Për të mos hyrë në çështje që janë shumë madhore. Dhe unë e kam thënë gjithmonë çështja e ish Ministrit të Brendshëm përshembull, ka qenë një nga dosjet më të bujshme që ende vendet anëtare presin se çfarë do të ndodhë me të dhe si do të reagojë drejtësia ku ne nuk mund të paragjykojmë nëse ai është i fajshëm apo është i pafajshëm sepse i takon drejtësisë. Por ka një moment ku me të vertetë le të themi ka krijuar disa pikëpyetje të mëdha tek vendet anëtare. Është pikërisht momenti kur politika ndërhyri në sistemin e drejtësisë dhe nuk la pra heqjen e imunitetit të Z. Tahiri. Ky ka qenë një moment ku me të vërtetë shumë nga vendet, Britania e Madhe përshembull, Gjermania, Hollanda, Franca kanë kërkuar më shumë informacion sepse ka ndodhur kjo dhe sesi është e mundur që në një vend si Shqipëria politika të ngrihet mbi drejtësinë. Pra, kjo është arsyeja që edhe shtetet të cilat apo përfaqësuesit e shteteve të mëdha të BE-së vijnë këtu e drejtojnë pyetje që politikës mund të mos t’i pëlqejnë por që shpeshherë e vërteta është e hidhur.

Në fakt duket sikur çdo gjë rrotullohet tek drejtësia. Po dimensionet e tjera, le të themi ekonomia, sa prej kushteve janë përmbushur sa i përket këtyre dimensioneve të tjera?

Ekonomia të paktën nga kriteret e vendosura nga BE le të themi janë prekur ndër vite, por nuk është se ka qenë  vendosur një fokus shumë i madh te çështjet financiare rritja ekonomike e kështu me rradhë. Kjo sepse kriteri politik ka zënë një vend shumë herë më të madh në diskutimet tona por edhe në diskutimet që janë bërë shpeshherë në Komisionin Europian.

E kemi shtyrë ne këtë situatë ?

Jo ka pasur një problem të madh, që të vish te ekonomia do duhet të kesh një shtet të drejtë, të kesh disa institucione që funksionojnë mirë. Pra vijmë në prioritetet, Reforma në Administratën Publike dhe funksionimi i institucioneve shqiptare. Vijmë te shteti i së drejtës, te reforma në drejtësi, te ngritja e një sistemi që është I drejtë për vendin edhe për demokracinë. Kemi luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar që vijnë së bashku dhe nuk mund ti ndash nga drejtësia. Sepse ti mund të kesh një volum shumë të madh dosjesh të dorëzuara si në gjykatë, prokurori.

Por nëse, drejtësia nuk funksionon atëherë nuk ka rezultat. Pra as në luftën kundër krimit të organizuar, as kundër korrupsionit ti  ke mundësi të ecësh përpara apo të prodhosh rezultate. Kemi të drejtat e njeriut që edhe këtu ka një problematikë të madhe të mbartur që edhe sot e kësaj dite prej më shumë se 20 vitesh Shqipërisë vazhdon ti kërkohet Reforma e Pronës. E drejta e pronës është një nga çështjet më madhore në Shqipëri dhe për të ardhur te ekonomia si mund të pretendojmë ne biznese të ngritura në këtë vend apo investime si të huaja ashtu dhe të brendshme, kur investitorët kanë frikë ku do të bëhet ky investim. Kur çështja e pronës është një problem madhor për të investuar në Shqipëri.

Po shpeshherë krijohet ndjesia sikur çedohet te ky kriter, prona një nga kushtet, pasi duket si e pamundur për ti realizuar në një kohë të shkurtër. Unë besoj që është e mundur dhe do të kishte qenë e mundur gjithë këto vite nëse qeveria do të kishte vepruar seriozisht për ta zgjidhur këtë çështje.

E keni fjalën për të gjitha qeveritë?

Po të gjitha qeveritë sepse gjithësecila nga qeveritë vë një gur si në procesin e integrimit ashtu edhe në ndërtimin e Shqipërisë.

Është vënë ndonjë gur deri më sot?

Ka pasur disa tentativa, edhe kur erdhi qeveria e vitit 2013 unë kam qenë pjesë e kabinetit dhe madje një nga retorikat e mia më të ashpra brenda kabinetit ka qenë pikërisht për çështjen e pronës dhe për domosdoshmërinë për një reformë madhore në këtë sektor. Ka pasur disa tentativa por e shoh që dhe sot e kësaj dite nuk kanë zgjidhur problemin madhor, që kanë ende bizneset sot, shqiptarët bizneset e kështu me rradhë. Ndaj dhe janë shumë të lidhura bashkë si ekonomia ashtu edhe ndërtimi i një shteti së të drejtës.

Ndaj dhe ekonomia sot në Shqipëri vazhdon ende të çalojë, dhe është për të ardhur keq sepse BE tashme e ka kaluar krizën. Pra të gjitha vendet e BE kanë pësuar rritje në ekonomi, fatkeqësisht në Shqipëri shumë shifra janë fiktive sepse po të shohim realitetin pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptar janë ose të papunë ose janë ata shqiptarë të cilët kanë zgjedhur ta zgjidhin jetesën e tyre me një pozicion pune jashtë Shqipërisë. Dhe me të vërtetë këtu i duhet dhënë një shtysë shumë e madhe dhe ne duhet të mbështetemi fort te procesi i Berlinit. Besoj se ka qenë një proces historik për Shqipërinë dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor sepse është i vetmi proces ku fokusi është te ekonomia. Ku projektet që miratohen nga BE janë për injektimin më shumë në ekonomi dhe në ato sektorë që mund ta zhvillojnë vendin, siç është infrastruktura, energjia etj. Dhe besoj të gjithë forcat e qeverisë shqiptare duhet të vendosen aty sepse ka nevojë vendi patjetër.

Pa diskutim dhe çelja e negociatave nëse do të ndodh, ekonominë e ka parësore?

Patjetër, janë 35 kapituj të ndryshëm. Do të fillohet ne 23-24 që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës dhe implementimin e reformës në drejtësi por dhe të drejtat e njeriut. Do të vazhdohet më pas arsim, infrastrukturë pra do të preken të gjithë sektorët, turizëm, mjedis, bujqësi që do të jenë shumë herë më të vështira për tu negociuar. Ndoshta në sektorët e tjerë nuk do te ketë shumë për të negociuar sepse do të ketë thjesht një përafrim legjislacioni. Por  nga ana tjetër në sektorë që ka prioritet vendi dhe ku ka aktorë me ndjeshmëri të lartë mendoj që do këtë vështirësi në të cilat ne do duhet të kalojmë dhe do duhet bërë një informim shumë i mirë dhe për publikun në mënyrë që ata të mbështesin reformat apo dhe përafrimin e legjislacioni që do duhet të ndodhë.

Do të preken shumë interesa ndaj  dhe është një proces madhor që shkon në interes të qytetarëve shqiptar por fillimisht ata do duhet të informohen se çfarë do ndodh. Nëse janë të painformuar besoj gjithmonë do të ketë problematikë dhe gjatë gjithë rrugës do të kemi pengesa edhe në procesin e negociatave.

Grupi Parlamentar i PS, më 9 Maj me rastin e ditës së Europës ka depozituar projektrezolutën në Kuvendin e Shqipërisë mbi rekomandimin e BE për hapjen e negociatave të anëtarësimit midis BE dhe Shqipërisë. Çfarë është kjo projektrezolutë dhe a do të mbështetet nga ana juaj?

Ne nuk kemi asnjë dijeni fatkeqësisht për këtë rezolutë.

A i shton diçka dt.28 Qershor?

Është shumë e rëndësishme që të paktën ne që jemi pjesë e institucioneve dhe aq më tepër pjesë e Kuvendit të Shqipërisë të kuptojmë sesi ndiqen këto rrugë institucionale e një projektligji, projektrezolute  mënyrë që ai të jetë i suksesshëm. Çfarë ndodh? Ku një projektrezolutë duhet të marrë një rruge institucionale le themi ku të ketë një diskutim të hapur me të gjitha forcat politike. Një rezolutë nuk mund të jetë e njëanshme. Nëse janë të njëanshme ato janë të pasuksesshme dhe pa vlerë. Rezolutat duhet të jenë pjesë e diskutimit për të gjitha partitë politike dhe i paraqiten Kuvendit pasi ka pasur një dakordësi mes palëve.

Çfarë ndodhi me projektrezolutën e luftës kundër grave, dhunës në familje që u miratua në dhjetor të 2017?

PD pati një ide për një rezolutë dhe u ul me LSI dhe PS ta diskutonte para se t’ia dorëzonte Kuvendit. U diskutua rezoluta u miratua mes nesh dhe më pas shkoi në Kuvend. Kjo që ka ndodhur Tani nuk është normale. Nëse do të votohet vetëm nga një parti atëherë ajo nuk e ka arritur atë misionin e vetë. Ndaj i bëj thirrje PS nëse do që rezoluta të ketë sukses ajo duhet të ndjekë gjithë një linjë institucionale ashtu siç duhet ta ndiqte para se ajo të dorëzohej. Si LSI ashtu dhe gjithë opozita e bashkuar asnjëherë nuk ka dalë kundra një vendimi që ka pasur të bëjë me procesin e integrimit të vendit.

Roli i juaj për sa i përket opozitës, si do ta vlerësoni?

Unë mendoj që ka qenë një nga opozitat më konstruktive që ka pasur vendi. Mos të harrojmë që gjithmonë opozitat kanë luajtur një rol pak si tërheqës në procesin e integrimit. Kujtoj këtu para se Shqipërisë ti jepej statusi kandidat dhe miratimi i tre ligjeve, tre kushtet kryesore që kemi pasur ne asokohe, opozita që ka qenë PS e ka bllokuar procesin duke mos i votuar tre ligjet dhe më vonë Shqipëria nuk mundi të merrte dot statusin e vendit kandidat që nuk është diçka normale sepse ky ishte një proces që iu takonte qytetarëve dhe jo politikës. Çfarë ka bërë opozita e tanishme.. ka qenë jo vetëm konstruktive në gjithë çështjet që kanë pasur të bëjnë me integrimin por ne kemi folur njëzëri si asnjëherë tjetër. Ka një qëndrim unik për të kërkuar tek ndërkombëtarët çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe pa kushte. LSI në janar të këtij viti i ka dorëzuar komisionerit Hahn një kërkesë zyrtare të firmosur nga Monika Kryemadhi, pra kryetarja e LSI-së, kërkesën për çeljen e negociatave pa kushte në një kohë sa më të shpejtë të jetë e mundur për Shqipërinë  dhe për shqiptarët sepse ky është një proces jetik e përsëris. Nuk ka të bëjë me politikën. nuk ka të bëjë me retorikën tonë të brendshme dhe me problemet tona të brendshme. është një proces historik për vendin dhe mendoj  që ne duhet të ecim para. Qershori ka mundësi që të kishte ndodhur që tani që ne po diskutojmë bashkë tani në maj çelja e negociatave dhe të vazhdojë me procesin teknik. Sepse procesi teknik është ai që do ta tërheqë politikën me vete duam apo nuk duam ne dhe do ta bëjë atë të futet në ato binarët e një shteti demokratik normal që do duhet të kishte qenë me kohë Shqipëria.

Nga sot e deri më 28 qershor, çfarë mund të bëjë politika, qeveria për të ndryshuar  diçka?

Qeveria ka shumë për të bërë.

Periudhë e shkurtër?

Periudhë e shkurtër, por jo dhe aq e shkurtër kur mendon që ka rreth 1 muaj e gjysëm ende për të takuar përfaqësuesit e vendeve anëtare dhe për të dorëzuar pranë tyre rezultate të besueshme dhe konkrete në të gjitha kriteret për të cilat Shqipëria do duhet të përgjigjet tek vendet anëtare. Unë besoj që ka kohë, por serioziteti duhet të jetë shumë i madh. Ajo çfarë ndodhi dhe retorika e përdorur nga kryeministri i vendit por edhe nga Kryetari i Kuvendit drejt përfaqësuesve hollandezë, parlamentarëve të cilët erdhën këtu për një takim zyrtar për të kuptuar se çfarë ndodhte në realitet në ambientin tonë politik të brendshëm, ishte jo normale. Ajo retorikë mund ta tërheqë vendin  jo vetëm mbrapa në kohë për çështjen e negociatave por ta tërheqë për vite të tëra. Sepse Shqipërisë i ikën shansi në qershor nuk dihet kur do të jetë një shans i dytë  për të diskutuar sërish për çeljen e negociatave. Aq më tepër që vitin që vjen Komisioni Europian do të hyjë në zgjedhjet e tij. Pra do të kemi një ndërrim të përfaqësuesve. Vëmendja do të shkojë patjetër tek çështjet e tyre të brendshme dhe nuk do të jetë më prioritet zgjerimi. Ndaj dhe nuk ka kohë. Dhe një  retorikë e tillë nuk e ndihmon Shqipërinë. Unë e them Shqipëria nuk është as Gjermania as Franca që të luajë me një politikë të jashtme të madhe dhe duke bërë pak a shumë karshillëk apo duke u shprehur në një delir të plotë.

Ne jemi një vend i vogël, modest, me problemet tona madhore, dhe nuk duhet të jemi një kokëçarje më shumë për Europën. Përkundrazi duhet të jemi një vend që e lehtëson njëherë politikën e saj brenda dhe më pas krijon marrëdhënie të mirë dhe partneritet të mirë me të gjitha vendet e tjera anëtare.

Siç e thatë edhe ju, opinioni ose vizita fakt mbledhëse e deputetëve hollandezë nuk ishte aq pozitive. Por në rast se do të kemi një përgjigje që ende është mister le të themi. Nuk kemi një qëndrim qartazi të vendit lokomotivë të Europës  pra të Gjermanisë. A ekziston mundësia që të sheshohen këto, le të themi  oponencat që i bëhen integrimit të Shqipërisë?

Gjermania në fakt ka qenë gjithmonë në fakt një lokomotivë. Ka tërhequr pas saj dhe vendet e tjera. Fakti që Gjermania është shprehur pak për sa i përket procesit të integrimit nëpërmjet Bundestagut, që të mos harrojmë që para se të merret një vendim i plote do të duhej të votohej Bundestagu për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe nuk është e thjeshtë. Është shumë herë më e thjeshtë të bindësh Kancelarinë Gjermane sesa Bundestagun Gjerman, të cilët e njohin territorin shqiptar më mirë se dhe vetë ne ndonjëherë. Dhe kanë pasur  marrëdhënie e partneritete të ndryshme në Shqipëri. Njohjen e realitetit, kanë bërë  shumë vizita të të gjitha llojeve. Ndaj dhe unë mendoj që ne duhet të jemi jashtëzakonisht shumë të kujdesshëm në këto momente. Gjermania ka folur pak dhe nuk shoh apo nuk lexoj, jam munduar shumë dhe në rreshta të kuptoj cili është mesazhi apo cili do të jetë vendimi. Por e shoh që nuk ka diçka pozitive brenda. Pra nuk më thotë se do të jetë pro çeljes së negociatave të Shqipërisë në qershor. Unë nuk jam shumë optimiste duke lexuar edhe mesazhet e Hollandës apo dhe të Francës. Kjo do të shikohet se cili do të jetë edhe qëndrimi i Francës megjithatë e shoh që tashmë ka filluar të unifikohet një vendim dhe për sa kohë edhe deputetët e Hollandës u shprehën se  Shqipëria nuk është gati për çeljen e negociatave, kam frikë se do të jetë shumë e vështirë  për të vazhduar bindjen e vendeve të tjera.

Gjithsesi shpresojmë ndonjë lajm të mirë. Unë të falenderoj shumë që ishit pjesë.

Edhe unë ju falenderoj shumë.