Klajda Gjosha: Politika jonë e jashtme ka mungesë të theksuar transparence dhe konsultimi

140
Fjala në Kuvend e deputetes së LSI-së Klajda Gjosha

Të nderuar kolegë deputetë!
Pas një vendimi tejet të nxituar të Qeverisë shqiptare para 1 muaji, ku Shqipëria votoi pro Rezolutës së OKB-së dhe kundër qeverisë Amerikane, më vjen mirë që një numër i madh deputetësh nga opozita vjen sot duke i paraqitur Kuvendit një Rezolutë, e cila do të ndihmonte sado pak Shqipërinë të vinte në vend interesin e qytetarëve shqiptarë për një partneritet të fortë dhe solid me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Është për të ardhur keq që në politikën tonë të jashtme shohim një mungesë transparence të theksuar dhe në të njëjtën kohë një mungesë konsultimi me të gjitha institucionet që janë të lidhura ngushtë me vendimet e rëndësishme për Shqipërinë, shpeshherë me ndjeshmëri të lartë për qytetarët tanë. Si Kuvendi i Shqipërisë dhe kryesisht Komisioni i Politikës së Jashtme, ashtu edhe Presidenti i Republikës janë anashkaluar në të gjitha vendimet dhe kjo është një kulturë që çdo ditë e më shumë po theksohet në institucionet tona. Ju rikujtoj këtu negociatat që po kryhen me Greqinë, ku mungesa e transparencës dhe mos konsultimi po rrezikojnë rëndë suksesin e tyre.

Shqipëria minimumi do të duhet të mbante një qëndrim abstenues për të qenë politikisht korrekt dhe për të mos cënuar një marrëdhënie të gjatë strategjike me aleatin e saj më të rëndësishëm. Kemi dëgjuar gjithashtu deklarata të tipit, se ne kemi pasur një vendim të unifikuar me BE. Më vjen keq që ne mundohemi të fshihemi kaq shumë pas disa gjërave që ndjeshmëria e qytetarëve tanë është e lartë dhe i bën ata konfuz për të qenë kundra vendimit të qeverisë. Bashkimi Europian nuk ka pasur unifikim votash dhe asnjë vendim Këshillim për unanimitet. Përkundrazi shumë vende anëtare të BE-së kanë abstenuar me votën e tyre duke ruajtur një raport të drejtë mes BE dhe SHBA.

Janë absolutisht të shumta arsyet që do të rendisja këtu sot pse vota jonë ishte një gabim i rëndë:

E para Shqipëria nuk mund të jetë kurrë një vend mosmirënjohës ndaj aleatit të saj më të madh gjeostrategjik.

E dyta investimi i SHBA për njohjen e Kosovës është historik për shqiptarët dhe vota kundër SHBA është automatikisht një votë kundër Kosovës…dhe kjo është tepër e rëndë!

E treta nuk mundet kurrsesi një individ i vetëm të përfaqësoj apo të flasë në emër të shtetit shqiptar kur dihet fare mire pozicioni i qytetarëve tanë në raport me SHBA dhe çdo vendim të saj. 

Shqipëria nuk është as Gjermania, as Franca për të luajtur një politikë të jashtme arrogante. Shqipëria është një vend i vogël, me mundësi modeste dhe çdo partneritet për të është jetik dhe tejet i rëndësishëm për stabilitetin e saj, por edhe për mundësi të reja të zhvillimit ekonomik.

Ndaj reflektimi sa më i shpejtë mbi këto vendime të gabuara që krijojnë kosto të rënda për të gjithë do të ishte tejet i nevojshëm. Shqipëria patjetër që mbështet çdo akt, çdo rezolutë që do të shërbente si zgjidhje për konfliktin mes Palestinës dhe Izraelit, por mos të harrojmë që roli ynë për këtë çështje është tepër i vogël. Ndaj kurrsesi nuk mund të mendojmë që SHBA, e cila ka një rol thelbësor për zgjidhjen e këtyre problemeve në Lindjen e Mesme, do të kishte ndonjë interes ndryshe nga qëndrimi i tyre i palëkundur për paqen dhe gjetjen e marrëveshjeve.

Ndaj ne kërkojmë menjëherë nga Qeveria:
1. Të rishikojë votën për Rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit”, të datës 21 Dhjetor 2017, të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e në përputhje me rregullat e OKB-së të deklarojë një qëndrim jo miratues ndaj kësaj Rezolute. Dhe patjetër për çdo veprim që do të ndërmerret të vihet në dijeni Kuvendi i Shqipërisë.
Nuk mund të rri pa përmendur sot në fjalën time Strategjinë e Zgjerimit të publikuar nga Bashkimi Europian vetëm 2 ditë më parë. Dëshiroj në mënyrë të veçantë të falenderoj Komisionin Europian për gjithë punën e bërë në hartimin e kësaj strategjie dhe mbi të gjitha për faktin që ajo e vendos BE dhe Ballkanin Perëndimor në një nivel tjetër bashkëpunimi, shumë herë më të thellë se sa ai i deritanishmi, sidomos në aspektin e bashkëpunimit ekonomik por edhe atë të sigurisë dhe migracionit si dy çështje me interes madhor për të gjitha vendet tona.

Nga ana tjetër dua të vlerësoj vëmendjen që BE po rikthen te procesi i zgjerimit duke u bazuar fort te vlerat e përbashkëta, te shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe të drejtat themelore të njeriut. 

Kam analizuar me shumë kujdes strategjinë dhe doja të tërhiqja edhe një herë vëmendjen e qeverisë shqiptare se përpara se të gëzoheni dhe të mirëprisni rekomandime pozitive për negociatat do të bënit mirë të plotësonit kushtet kryesore të kërkuara për çeljen e negociatave, pasi dokumenti shpreh qartë pasigurinë e Komisionit Europian për plotësimin e kritereve kryesore të Shqipërisë.

Ne dëgjojmë të flitet çdo ditë e më pak për procesin e integrimit apo për të qenë edhe më e saktë, edhe kur flitet për të, i gjithë rrënimi i procesit teknik kamuflohet me akuza ndaj opozitës.

Dëshiroj t’i rikujtoj qeverisë se ecuria e procesit të integrimit është në rradhë të parë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e ekzekutivit si organ kryesor për marrjen e vendimeve dhe që implementon me përpikmëri udhërrëfyesin e 5 prioriteteve kyçe. 

Le te marrim për një moment reformën në administratën publike. Ajo që ishte suksesi i qeverisë së shkuar, sot është kthyer mankthi i saj. Mania për të pasur një tepsi vetëm për vete ka shkaktuar sot kaosin më të madh të strukturave të administratës publike. Administrata jonë edhe pas 5 muajsh të fillimit të qeverisë nuk ka struktura funksionale me detyra të përcaktuara qartë. Konfuzioni i shkaktuar me shkrirjen e Ministrive është alarmues në një vend ku çdo ditë qytetarët presin shërbime dhe për një vend që pret të çelë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian. Proces ky që nuk mund të kryet kurrsesi pa kapacitetet e duhura njerëzore.

Vazhdojmë më tej me atë pjesë të prioriteteve ku qëndron edhe çelësi i zhbllokimit të të gjithë procesit, dhe kjo është pikërisht Reforma në Drejtësi. Unë realisht nuk e di cili do të jetë raportimi juaj për këtë prioritet ku priten rezultate konkrete sepse të vetmet arritje që ka pasur reforma deri tani janë:

1. Zgjedhja e Kryeprokurores së Përgjithshme me vetëm 69 vota, diçka që s’kishte ndodhur kurrë në 27 vite demokraci. Ndërkohë që Kushtetuta e vendit flet qartë që ky proces kryhet vetëm me 3/5 e votave

2. E dyta, Kryeprokurorja e Përgjithshme zgjidhet pa Vetting, në një kohë kur Vettingu është tashmë pjesë e Kushtetutës së këtij vendi dhe aq me tepër një kusht i panegociueshëm për implementimin e suksesshëm të kësaj reforme dhe për procesin e integrimit.

3. Vazhdojmë më tej me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë dhe përzgjedhjen e kandidaturave për KLGJ dhe KLP, ku janë konstatuar kandidatë fiktivë, jashtë kritereve ligjore, në konflikt interesash apo dhe me cilësi morale të diskutueshme duke vazhduar deri te kandidatë që i përkasin ish Sigurimit të Shtetit. E njëherazi duke dalë haptazi kundër opinionit të ONM-së, i cili për qytetarët ishte garanti i vetëm i moskapjes së sistemit.
E megjithatë edhe kur tentoj të largohem sado pak nga Reforma në Drejtësi dhe shikoj sektorët e tjerë për të gjetur disa arritje konkrete, ajo me të cilën përballem është një tjetër fatkeqësi, ajo e largimit nga vendi të mijëra qytetarëve shqiptarë. E solla këtë në vëmendjen tuaj jo vetëm për të përseritur atë çka kam thënë disa herë në fjalimet e mia, se është për të ardhur keq që rinia dhe shtresa e mesme po largohen masivisht nga Shqipëria sepse kanë humbur shpresën, por sot dua të sjell edhe një fakt tjetër: alarmimin e vendeve anëtare për shkeljen e rregullave të lëvizjes së lirë në hapësirën Schengen. Dhe i bëj thirrje sot instancave përgjegjëse të merren masa të menjëhershme për të verifikuar ditët e qëndrimit të qytetarëve në vendet e Bashkimit Evropian, pasi ne nuk mund të lejojmë kurrë që ky fakt të kthehet në një pengesë të Shqipërisë për hapin e rradhës që janë negociatat.

Ju e dini mirë se procesi për çeljen e negociatave, gjithashtu nuk përfundon me Komisionin Europian, por një punë paralele, edhe më bindëse do duhet të bëhet me vendet anëtare. Cila është panorama sot? Shqipëria ka humbur kredibilitetin e saj si një partner serioz për vendet anëtare. Çështjet tejet sensitive si azilkërkuesit, trafikimi i qënieve njerëzore, trafikimi i drogës dhe shtimi i grupeve kriminale në disa nga vendet kryesore të BE kanë prekur në shumë mënyra sigurinë europine. Ndaj për të ndryshuar këtë imazh duhet jo vetëm shumë punë, por edhe shumë seriozitet dhe modesti nga ju si mazhorancë, por edhe nga i gjithë spektri politik në vend.

Prandaj përpara se të kërkoni triumfe personale dhe partiake, mendoni pak më shumë për përgjegjësinë tuaj përballë aspiratës së palëkundur të qytetarëve shqiptarë, ëndrrës së tyre për një Shqipëri Europiane. Dhe jepini fund këtij show të shëmtuar që po vret çdo ditë e shumë shpresën e tyre, të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Ju faleminderit!