Klajda Gjosha: Përpara se t’u shisni shqiptarëve suksesin e dixhitalizimit të shërbimeve

623
Fjala në Kuvend e deputetes së LSI-së Klajda Gjosha
Klajda Gjosha: Përpara se t’u shisni shqiptarëve suksesin e dixhitalizimit të shërbimeve, ofrojuni atyre mundësinë e një arsimi profesional 
Në këtë parlament janë diskutuar shumë çështje, projektligje të rëndësishme që padiskutim kanë një ndikim të drejtë për drejtë në jetën qytetarëve shqiptarë, por kjo që diskutojmë sot mendoj se ka një vlerë të veçantë për të gjitha ato familje të prekura padrejtësisht për heqjen e ndihmës ekonomike dhe që e kanë shumë të vështirë të ngrenë zërin, sepse nuk dinë as ku të drejtohen dhe për më të tepër ata s’kanë asnjë shpresë se mund t’i dëgjojë ndokush.

Ka disa javë që ka pasur shumë diskutime mbi këtë problematikë të evidentuar së fundmi, dhe fatkeqësisht kam dëgjuar 2 argumenta nga qeveria:
E para është faji i sistemit që disa prej këtyre familjeve edhe pse në të drejtën e tyre për të përfituar ndihmën ekonomike, kanë dalë jashtë skemës si pasojë e gabimeve kompjuterike! Dhe e dyta se ka shumë familje që paskan përfituar në mënyrë abuzive!

Patjetër që skema ka nevojë për rregullim, për t’u përmirësuar e për të qënë më e drejtë për qytetarët, por ajo çka nuk kuptoj është instikti i menjëhershëm për t’u shfajësuar në mënyrën më të habitshme për atë që ka ndodhur dhe fyerja e paprecedent që ju i bëni këtyre familjeve duke i keqtrajtuar ata si të ishin hajdutët më të mëdhenj të këtij vendi dhe duke i vënë gishtin në plagë për ti bërë ata të vuajnë më shumë se vuajtja e tyre e përditshme duke jetuar në varfëri të plotë.

E duke mos u mjaftuar me ofendimin verbal, keni kaluar edhe në një tallje çnjerëzore që bëni duke punësuar të gjithë ata emra të denoncuar nga opozita, duke i përdorur ata për teatrin tuaj të rradhës. Unë çdo gjë mund të kisha besuar por që kryeministri do të kthehej në një zyrë punësimi, t’ju them të vërtetën nuk ma ka kishte marrë mendja. Por është pikërisht ky teatër që ju ka bërë ju të largoheni me kilometra të tëra larg realitetit, duke e izoluar ekonominë shqiptare dhe duke e kthyer atë në një ekonomi që gërryen vetveten dhe që ska se si të japë asgjë në këmbim. 

Rëndësia e ndihmës ekonomike duket qartë në asgjësimin e asaj instance që merrej në mënyrë të drejtëpërdrejtë me këtë çështje dhe ajo pikërisht Ministria e Mirëqenies Sociale. Por ndoshta dhe kjo pjesë e administratës ishte normale të shkrihej në kuadër të çorganizimit të organizuar që ndodh sot në institucionet tona. Kemi parë të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë familjet për të qënë përfituese të ndihmës ekonomike. Ato janë të publikuara në faqen zyrtare të shërbimit social. Por ajo çka mungon në këtë faqe është transparenca mbi pikëzimin që i bëhet çdo familje që është brenda skemës apo që kërkon të aplikojë dhe fatkeqësisht debati ka degraduar deri në atë pikë, ku kemi dëgjuar se nëse familja ka deklaruar se ka një televizor nuk meriton të përfitoj atë pagesë, e cila është më shumë një lëmoshë se sa në fakt një mundësi për secilën nga këto familje. Dhe për më tepër të mendosh që pjesa më e madhe e tyre mund të kenë një televizor të falur nga dikush por që çdo darkë fle në qiell të hapur sepse i ka rënë çatia, apo i vë fëmijët në gjumë pa bukë, sepse ajo shumë që i jepet është tepër e vogël për të mbajtur frymën gjallë. 

A e dini ju Z. Kryeministër që të gjithë këta njerëz tepër të shqetësuar, pasi janë ndeshur me shpërfilljen totale të qeverisë dhe të zyrave të shërbimit social i janë drejtuar sërish zyrave të punës, disa edhe me lotë në sy, duke kërkuar dhe duke u lutur për një punë çfarëdo. Por edhe Zyrat e Punesimit janë të pafuqishme për t’i ndihmuar ata. Sepse e para të gjesh punë sot është kthyer në lluks dhe dyta edhe kur këto zyra janë munduar me të gjitha mundësitë ti ndihmojnë, këta njerëz nuk kanë pasur mundësine të marrin asnjë trajnim, asnjë arsim professional për të përmbushur kriteret që kërkohen sot nga tregu i punës.

Ndaj para se ti shisni shqiptarëve suksesin e dixhitalizimit të shërbimeve, ofrojini atyre mundësinë e një arsimi professional që ata të kenë një zanat me të cilën mund të ushqejnë familjet e tyre. Dhe me vjen në mendje një shprehje e vjetër e cila thotë “Jepi njeriut një peshk dhe ai do të ushqehet sot, mësoji se si ta kap peshkun dhe ai do të ushqehet gjithë jetën”. Sot çdokush nga ne që kërkon një marangoz në shpi, një elektriçist, hidraulik apo çfarëdolloj profesioni të këtij lloji, nuk di ku të drejtohet për të kërkuar një të tillë. Ambientet dhe kurset e arsimit profesional janë kaq të reduktuara si për nga numri i atyre që ka mundësi shteti të trajnojë, por edhe nga mungesa e ambienteve të përshtatshme që nevojiten për këto trajnime. 

Ndaj hiqni pak nga shifrat e mëdha të buxheteve tuaja për ti vënë në dispozicion të këtyre institucioneve, por edhe të atyre familjeve ku skamja është pjesë e jetës tyre të përditshme. Sepse të jesh i varfër nuk është zgjedhje Z. Kryeministër, në më të shumtën e rasteve është një pamundësi e dhimbshme me shumë faktorë, fizikë, socialë, ekonomikë dhe ndonjëherë edhe pasojë e paaftësisë së një qeverie, të cilës i mungon vizioni për të ndihmuar qytetarët e saj. Sepse para se të jeni politikanë, në rradhë të parë jeni njerëz, dhe njeriut zoti i ka falur edhe shpirtin edhe mendjen që veprimet t’i bëjmë me llogjikë, por edhe duke futur pjesën njerëzore në të.

Kjo çështje është sot në vëmendjen tonë edhe për një element tjetër, atë të abuzimit që ndodh jo pak herë me skemën dhe përdorimit të këtyre familjeve për ti marrë atyre votën. Po të analizoni listën e familjeve që përfitojnë ndihmën ekonomike gjatë periudhave të fushatave zgjedhore, fryrja e skemës është alarmante. Unë mendoj se analiza juaj duhet të kishte filluar pikërisht këtu, pasi nuk është faji i këtyre qytetarëve që mundohen të përfitojnë sado pak pasi nuk kanë asnjë alternativë tjetër për të siguruar të ardhura, por abuzuesit e vërtetë janë ata që japin direktiva të tilla dhe detyrojnë punonjësit të regjistrojnë sa më shumë familje në këmbim të votës! Besoj që kjo është më kriminale se çdo gjë tjetër.

Në të njëjtën kohë Banka Botërore deklaron se 70 për qind e familjeve më të varfëra në Shqipëri janë të përjashtuara nga ndihma ekonomike. Të dhënat janë bërë publike në një raport auditimi mbi projektin e modernizimit të asistencës sociale.

Raporti ka analizuar familjet që përbëjnë 10 përqindëshin më të varfër të popullsisë, ose 75 mijë familjet më të varfëra të vendit. Sipas tij, vetëm një e treta e tyre janë të mbuluara nga ndihma ekonomike, ndërsa pjesa tjetër jo.

Kjo do të thotë se, nga 75 mijë familjet më të varfëra të vendit, vetëm 22 mijë prej tyre marrin ndihmë ekonomike, ndërkohë që 53 mijë familje të tjera nuk përfitojnë.

Por ndihma ekonomike nuk është i vetmi problem që kemi ne sot, pasi zgjidhja për daljen nga varfëria të këtyrë qytetarëve do të duhej të kërkohej me alternativa të tjera. Alternativa që kanë të bëjnë me prioritizimin e sektorëve kyç për ekonominë e vendit duke i mbështetur ato me buxhet, me mundësi financimi nga donatorë të huaj, por edhe me vizion strategjik të atyre që drejtojnë institucionet. Duhej të mbështetej me një klimë më të favorshme ndaj biznesit, duke mos i zhytur ata thellë në taksa dhe gjoba dhe duke i detyryar më pas të shkojnë drejt falimentit.

Raporti i fundit i BERZH për investimet e huaja është realisht një këmbanë alarmi për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria. Raporti deklaron se Shqipëria është vendi me stokun më të ulët të investimeve të huaja për frymë popullsie në Ballkan, me diferencë të theksuar me vendet e tjera. Shqipëria i ka investimet për frymë vetëm pak më shumë se 1 mijë euro, kur vendi i parafundit, Bosnja, e ka këtë tregues gati 2 mijë euro. Dhe për të mos shkuar më tej për t’u krahasuar me Serbinë 3 mijë euro apo Malin e Zi 6000 mijë euro.

Situata ekonomike sa vjen dhe rëndohet më shumë dhe ajo çka duhet të na shqetësojë është se qeveria vazhdon të propagandojë të kundërtën, duke refuzuar të shikoj realitetin dhe rrënimin që i bëhet çdo ditë tryezave të familjeve shqiptare.
Mijëra biznese po mbyllen, mijëra qytetarë të papunë. Edhe të vetmet investimet të huaja që kemi, TAPI dhe Devolli, po shkojnë drejt fundit. Është tronditëse të analizosh shifrat e shqiptarëve që po largohen nga vendi, ku kryesisht dominon rinia dhe shtresa e mesme!

E nëse investimet të huaja nuk ka, bizneset vendase po mbyllen, vendet e punës shkurtohen çdo ditë e më shumë, mijëra shqiptarë largohen, nuk di çfarë duhet të ndodhë tjetër që kjo qeveri të zgjohet nga gjumi i rëndë ku ka rënë?!

Lëvizja Socialiste për Integrim ka ardhur sot këtu me një alternativë që lidhet drejtë për drejtë me daljen nga varfëria ekstreme. Ka qënë pjesë e programit tonë elektoral dhe ne do ishim të lumtur ta ndanim me ju për ta diskutuar, por pse jo edhe për ta vënë në zbatim nëse realisht ajo mund të zgjidhë një pjesë të problemeve të familjeve shqiptare. Sepse ne mendojmë që të ofrosh shpresën sot është një domosdoshmëri për të mbijetuar, është një mundësi që i duhet dhënë brezave për të ndërtuar ëndrrën e tyre këtu në Shqipëri.

Vlerësimi më i mirë që mund t’i bëhet cxdo shoqërie është nga mënyra se si ne kujdesimi për fëmijët tanë, për familjet tona. Me bukuritë që i ka falur zoti Shqipërisë dhe me gjithë resurset e saj, normalisht asnjë qytetar s’duhet të jetojë në varfëri, por realiteti është më i dhimbshëm se kurrë sepse çdo natë janë mijëra fëmija që flenë të pangrënë, janë mijëra nëna të frikësuara dhe me lot në sy sepse e nesërmja i duket më e errët se sot. Kthejeni edhe një herë kokën te ato 20.000 familje që sot ndjehen të braktisura, pa asnjë drejtim, e ndoshta po të kërkoni edhe pak më shumë do të shikoni që mjafton të hiqni vetëm pak nga vetja do të mjaftonte për t’i mbajtur këto familje brenda skemës së ndihmës ekonomike.
Sigal