Klajda Gjosha: Negociatat me Greqinë, arrogancë dhe jo transparencë nga ana e qeverisë

487
Sigal

Intervista
e deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim

“Ne
nuk duam thjesht një marrëveshje të mirë, ne duam një marrëveshje të drejtë, që
i shkon për shtat Kushtetutës së Shqipërisë”

Deputetja
e Lëvizjes Socialiste për Integrim, KlajdaGjosha, në një intervistë të dhënë
për televizionin “Ora news” u shpreh se arroganca dhe mungesa e transparencës e
kanë karakterizuar qeverinë në këto momente negociatash në lidhje me
marrëveshjet me Greqinë.

Patët
një mbledhje shumë të gjatë sot në Komisionin e Jashtëm, apo jo? Ishin 4 orë
punime.

Sot
ka qenë një ditë tejet intensive në Kuvendin e Shqipërisë dhe në Komisionin e
Jashtëm, kur ne ftuam për herë të dytë në një seancë dëgjimore ministrin e
Punëve të Jashtme, z. Bushati. Megjithatë ishte një seancë e tejzgjatur dhe
ishte për të ardhur keq mënyra se si z. Bushati iu drejtua Komisionit të
Jashtëm dhe retorika e përdorur sot si dhe fjalët tejet ofenduese kundrejt të
gjithë anëtarëve të atij Komisioni, por edhe vetë institucionit të Kuvendit të
Shqipërisë. Unë e di mirë se sa e rëndësishme është puna e një ministri, sepse
kam qenë pjesë e atij kabineti dhe kam qenë kolegë bashkë me z. Bushati, por
kurrë nuk do ta mendoja që një ministër do të vinte dhe do të shprehej në një
mënyrë të tillë, duke iu drejtuar Komisionit të Jashtëm. Madje, duke na thënë
të gjithëve se jemi të painformuar dhe të paditur për këtë çështje. Dhe në fakt
nuk kemi si të kemi dijeni, apo informacion nga momenti kur shpeshherë përdoret
arroganca, apo dhe mos transparenca për të mos komunikuar çështje që janë me
një prioritet tejet të madh evropian.

 

Çfarë
ishin fjalët që ju kanë mërzitur që i keni quajtur jo etike për një ministër?

Gjithçka
që u tha sot, besoj që edhe qytetarët shqiptarë e kanë ndjekur. Nuk besoj se
është momenti për të përsëritur, ishin fjalë tejet ofenduese, megjithatë unë e
preka pak për të thënë se mos transparenca që ka qenë deri në këto momente.
Patjetër që edhe Komisioni i Jashtëm do të ketë dijeninë e duhur për sa po
ndodh me këto negociata deri në këto momente. Shkoi më tej me fjalët ofenduese
për Presidentin e Republikës. Është e paprecedent të quhet Presidenti i
Republikës i shkreti, nuk kishte dijeni për autorizimin apo mënyrën se si do të
vepronte. Pra ishte jo vetëm e patolerueshme, por diçka që nuk mund t’i
drejtohesh institucioneve të tilla. Jo vetëm një individi, por një institucioni
të tillë aq të lartë të shtetit me fjalë dhe me një retorikë të tillë.

 

I
morët përgjigjet për pyetjet që bëtë?

Fatkeqësisht
jo, është hera e dytë që ne zhvillojmë një seancë dëgjimore dhe nuk kemi marrë
asnjë lloj përgjigje. Nuk dimë ende se çfarë ka ndodhur në këto 6 ditë të
shpenzuara mes dy ministrave të jashtëm apo dhe 34 takimeve në katër vite, siç
tha ministri i Jashtëm të organizuara me palën greke. Ajo çka komisioni i
jashtëm kam dashur të dijë gjithë këtë kohë ishte ajo çka në fakt na ka
përcjellë dhe Gjykata Kushtetuese me vendimin e marrë në 2010. Po t’i
rikthehemi asaj kohe PS, çoi në gjykatë kushtetuese marrëveshjen, sepse u krye
pa transparencë dhe ishte anashkaluar Presidenti i Republikës.

 

Po
në këtë rast nuk ka ende një marrëveshje…

Nuk
ka ende një marrëveshje, ne nuk e dimë, ne dimë vetëm atë çka ka thënë pala
greke për momentin, sepse ministri Bushati tha shumë pak, për të mos thënë që
nuk tha asgjë dhe prandaj ishte për të ardhur keq, sepse ajo ishte një mbledhje
me dyer të hapura. Madje opozita në mbledhjen e parë ka kërkuar që kjo mbledhje
të bëhej pa media, sepse ne e dimë shumë mirë se sa delikate janë këto
negociata. Megjithatë ishte ministri Bushati, i cili kërkoi që të ishte e hapur
dhe publiku të informohej se çfarë po ndodhte. Fatkeqësisht dhe në këto momente
ne nuk dimë se çfarë ka ndodhur. Dimë vetëm se Kryeministri i Greqisë ka
deklaruar se do të firmoset shumë shpejt marrëveshja me Shqipërinë, në muajin
prill. Madje, është transmetuar edhe në mediat tuaja. Dhe pyetja ime sot ishte
se a është kjo negociatë e pastër tashmë? A janë kryer negociata të mëparshme,
duke tejkaluar vetë ministri Bushati edhe kompetencën e tij dhe gjithë anën
ligjore. Para se të hynte në këto negociata, patjetër që duhet të kishte
autorizimin e Presidentit të Republikës, ashtu siç thotë dhe Kushtetuta e
Shqipërisë. Dhe nëse do të lidhet kjo marrëveshje në prill, a ka mbetur më gjë
për t’u negociuar? A mendoni ju se kufiri detar negociohet kaq shpejt brenda
dy-tre javëve? Dhe po të marrim këtu marrëveshjen që ne kemi pasur me Italinë
janë dashur 9 vite për t’u negociuar. Mungesa e transparencës ka çuar në një
reagim jo vetëm të Komisionit të Jashtëm, por besoj ju keni parë dhe reagimet e
publikut, që kanë qenë të shumta. Kjo është një çështje tejet sensitive.

 

Publiku
ndoshta nuk ka bërë zë shumë, por pjesa e çamëve ka qenë më i zëshëm në protestën
e tyre.

Jo
vetëm pjesa e çamëve. Ka pasur goxha debat dhe në rrjetet sociale. Ka qenë
tejet intensiv debati i publikut në rrjetet sociale, për të kuptuar se sa në
ajër ndodhen ata në këto momente dhe nuk dinë asgjë se çfarë po diskutohet.

 

Nuk
di apo nuk duhen thënë disa gjëra, derisa të ketë një marrëveshje?

Kur
Komisioni i Jashtëm nuk ka asnjë lloj informacioni, imagjinoni qytetarët e
thjeshtë se çfarë informacioni kanë për gjithçka që ndodh deri në këto momente
për negociatat.

 

Informacioni
që Komisioni i Jashtëm do të dijë është në lidhje me çështjet që po diskutohen.
Këto janë bërë publike.

Çështjet
janë bërë publike. Ne kemi dëgjuar nga pala greke që kjo marrëveshje do të
firmoset në prill. Pra, që do të thotë që këto negociata tashmë duhet të jenë
kryer. Grupet e punës kanë qenë aty, por kanë qenë të paautorizuara. Nëse këto
grupe pune kanë qenë pjesë e negociatave atëherë do të thotë që ne nuk kemi një
negociatë të pastër tashmë. Është fshehur diçka në katër vite që ne nuk e dimë.
Komisioni i Jashtëm ka dhe një detyrë kushtetuese për ta ditur nëse këto
negociata kanë ndodhur dhe nëse është shkelur ligji apo jo.

 

Ju
si deputete jeni më e shqetësuar nëse ka një marrëveshje dhe nuk kemi
informacion se mund të jetë në disfavor të Shqipërisë apo për faktin se më në
fund po bëhet një marrëveshje me Greqinë, e cila në fakt do ishte mirë për t’i
dhënë fund mosarritjes së marrëveshjeve të tilla?

Unë
kam qenë një nga ato ministre në katër vitet e shkuara që kam kërkuar gjithmonë
ndaj ministrit të Jashtëm të kujdesej për çështjet e mbartura me Greqinë, për
shumë arsye. E para, sepse Greqia është një vend fqinj dhe patjetër që kjo
është dhe një nga kushtet që Shqipëria ka për procesin e integrimit evropian,
që duhet patjetër të zgjidh të gjithë problematikat bilaterale, jo vetëm me
Greqinë, por me këdo vend tjetër, nëse ka çështje të mbartura përpara
anëtarësimit, por pse jo dhe përpara çeljes në negociatave. Pavarësisht se
Greqia nuk ka qenë kurrë penguese e procesit të integrimit të Shqipërisë. Dhe
për çështjen e statusit të vendit kandidat, ka qenë një nga vendet që mbante
dhe Presidencën në atë kohë, ka qenë tejet mbështetëse dhe lobuese ndaj
procesit të integrimit të Shqipërisë. Por kjo nuk do të thotë që këto çështje
duhet të vazhdojë të mbarten dhe të mbeten të pazgjidhura. Unë sot dhe në
Komisionin e Jashtëm i kërkova ministrit Bushati, pasi përsëriti disa herë që
kjo marrëveshje do të jetë më e mirë sesa ajo e 2009. Ne nuk duam thjesht një
marrëveshje të mirë, ne duam një marrëveshje të drejtë, që i shkon për shtat
Kushtetutës së Shqipërisë. Në fillim gjatë gjithë kohës retorika ishte a do
jetë një marrëveshje më e mirë, por ne duam që kjo marrëveshje të shkojë në të
njëjtën linjë me Konventën Kombëtare, interesat e qytetarëve shqiptar por edhe
të palës greke. Nëse kjo marrëveshje do jetë e kontestueshme atëherë ne sërish
do i rikthehemi një debati apo do shkojmë më tej në gjykata ndërkombëtare.

 

Znj.
Gjosha ju e thatë edhe për shkak të detyrës që keni pasur, pra nuk është kusht,
por një orientim edhe nga Brukseli, që të mbyllen marrëveshjet me vendet fqinje
përpara anëtarësimit dhe negociatave. Pra, prilli është një afat i mirë për ta
bërë këtë?

Patjetër,
por kjo do të thotë që këto çështje qenkan diskutuar pa marrë një autorizim
paraprak sepse nuk janë çështje që zgjidhen brenda një nate. Aq më tepër, ne
kemi kaluar një 4-vjeçar tejet të vështirë në marrëdhënie me vendin tonë fqinj.
Ka pasur një retorikë shumë agresive, ku unë jam shokuar me deklaratat e fundit
se si këto marrëdhënie ishin agravuar pikërisht se Shqipëria donte të kishte
një pozicion më të mirë në negociata. Nuk mund të kesh pozicion më të mirë nëse
agravohen negociatat. Ato duhet të zgjidhen me diplomaci e me dialog. Pra, ka
rrugë të tjera për të zgjidhur këtë çështje dhe jo ajo mënyrë që u ndoq 4 vitet
e fundit.

 

Si
do i përgjigjeshit çështjes se po përpiqet institucioni i presidencës të marrë
kredo edhe politike, duke kërkuar informacion të hollësishëm për herë të dytë
nga Ministria e Jashtme?

Presidenti
i Republikës ka të gjithë të drejtën që i jep Kushtetuta e vendit për të
kërkuar informacione për grupin negociator, çështjet që do diskutohen e për
mënyrën se si do negociohet. Unë mendoj që Presidenti është në një moment tejet
komod, sepse pozicionin e tij tashmë e ka zgjedhur vendimi i Gjykatës
Kushtetuese të vitit 2011. Pra, çfarëdo ligji të mëtejshëm që ne kemi e çdo
vendim i Gjykatës Kushtetuese kthehet automatikisht në një normë kushtetuese.
Mos të harrojmë që kur u ndryshuar Kushtetuta e vendit në vitin 2016, nuk u
ndryshua roli i Presidentit të Republikës sa i takon autorizimit apo
plotfuqishmërive që ai do japë në marrëveshjet ndërkombëtare. Unë isha tejet e
habitur kur dëgjova se ministri i Jashtëm tha se nuk kishte nevojë për
autorizimin e Presidentit. Atëherë çfarë po kërkon? Pse iu përgjigjet letrave
zyrtare të Presidentit të Republikës? Le t`i kryejë këto negociata pa
autorizimin e tij dhe të shohim se ç’do të ndodhë më pas. Besoj që sistemi i
Drejtësisë do duhet ta zgjidhë atë më tej.

 

Kryeministri
Rama ka thënë që këto janë negociata delikate. Bërja publike e këtij debati
institucional midis Presidencës dhe Ministrisë së Jashtme, a e dobëson imazhin
e Shqipërisë përpara Brukselit dhe Athinës, për aftësitë se si funksionon ky
shtet?

Unë
besoj që jo. Mendoj që Shqipëria duhet ta kalojë me patjetër këtë moment. Duhet
kuptuar që institucionet duhet të fillojnë të koordinohen dhe të respektojnë
përgjegjësitë e njëra tjetrës. Nëse ne nuk e tejkalojmë këtë lloj momenti, do
të mbetemi gjithmonë në atë guaskën tonë institucionale, ku gjithsecili mendon
se, edhe për sa i përket prioriteteve kombëtare dhe çështjeve madhore, mund t’i
zgjidhim të vetëm. Nuk është kështu. Duhet të ketë transparencë dhe e përsëris
këtu edhe njëherë, që marrëveshja e 2009-s u dërgua në Gjykatën Kushtetuese
pikërisht se nuk kishte koordinim institucional, nuk kishte transparencë për
marrëveshjet që po kryheshin. Ndaj, që kjo marrëveshje të jetë e suksesshme dhe
që këto çështje të zgjidhen njëherë e përgjithmonë, ato duhet të bëhen të
pakontestueshme. Në këtë mënyrë, unë uroj që z. Bushati të japë informacionin e
duhur, në mënyrë që edhe Presidenti i Replikës të vazhdojë më pas me
autorizimin.

 

Ju
si mendoni, a do ta japë z. Meta autorizimin?

Nëse
ka informacionin e duhur dhe nëse përgjigjet e z. Bushati do të shkojnë
përshtat me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pikërisht me ato kërkesa që
parapërcakton Kushtetuta, patjetër që po.

 

Brenda
një kohe që mund t’i japë ende mundësi Shqipërisë që edhe ta përfundojë
marrëveshjen mendon?

Këtë
unë nuk e di. Besoj që z. Bushati duhet të kthejë përgjigje njëherë brenda
afateve ligjore, që i ka përcaktuar ligji që është dhjetë ditë dhe besoj që
duhet ta bëjë këtë sa më shpejt.

 


total a jeni optimiste se mund të arrihet një marrëveshje me Greqinë?

Unë
uroj që të arrihet marrëveshja me Greqinë. Uroj që të zgjidhen të gjitha
mosmarrëveshjet që ne kemi deri në momente dhe uroj mbi të gjitha që t’i
shkojnë përshtat interesave, si të qytetarëve shqiptarë ashtu edhe atyre grekë.

 

Për
sa i takon negociatave me Bashkimin Evropian, prilli është gjithashtu i
rëndësishëm pasi dalin raportet e progresit të vendeve që synojnë të bëhen
anëtare dhe aty do të jepet indicia e parë se çfarë do të ndodhë me hapjen e
negociatave me Shqipërinë. Me informacionet që ju keni, a do të jepet ky
rekomandim?

Rekomandimi
do të jetë një përsëritje, pra do të jetë një rikonfirmim i asaj se çfarë
Komisioni Evropian ka dhënë në dhjetor të vitit 2016. Të jeni të bindur që
Komisioni Evropian do t’i qëndrojë pikë për pikë rekomandimit të dhënë në
2016-n. Kjo është një çështje kredibiliteti që Komisioni duhet të ruajë për sa
i përket të gjitha vendeve anëtare. Pra, ajo e ka dhënë njëherë dhe nuk do të
tërhiqet. Do të vazhdojë ta japë. Sfida që Shqipëria ka sot është të bindë
vendet anëtare, janë 28. Të mos harrojmë që Evropa nuk është në momentin e saj
më të mirë. Kemi një situatë në Gjermani, ku ende po mundohet të krijojë një
qeveri dhe ku procesi i zgjerimit nuk besoj se është tashmë një proces i
brendshëm i tyre apo një prioritet i tryezave të diskutimeve të brendshme. Të
mos harrojmë po ashtu se çështja e negociatave do të kalojë edhe nëpër
Parlamentet e disa prej vendeve evropiane dhe realisht puna që duhet të bëjë
diplomacia jonë, pra Ministria jonë e Jashtme duhet të jetë jashtëzakonisht
shumë intensive, që tani deri në qershor.

 

Sipas
jush, gjasat për një rekomandim pozitiv janë të mëdha sipas jush?

Kjo
do të varet nga raporti që do të bëjë qeveria shqiptare për arritjet mbi pesë
prioritetet dhe dua të theksoj se duhet të shikohen rezultatet e prekshme për
procesin e vetingut. Këtu unë kam pikëpyetjet e mia. Jam shprehur disa herë që
nuk e di si do të jetë raporti i Shqipërisë këtë radhë, për sa i përket
reformës në drejtësi dhe procesit të vetingut. Ka pasur një ngërç
jashtëzakonisht të madh duke filluar që nga zgjedhja e Kryeprokurores së
Përgjithshme, në shkelje totale të Kushtetutës së Shqipërisë, vetëm me 69 vota
dhe pa veting, ndërkohë që vetingu është pjesë e Kushtetutës së Shqipërisë
tashmë dhe kur zgjedhim kreun e Prokurorisë pa veting, imagjinoni se ç’mund të
ndodhë më tej në përzgjedhjen e gjithë prokurorëve apo të trupës së sistemit të
drejtësisë. Duke vazhduar më tej me ngritjen e institucioneve të reja, KLGJ,
KLP që vërtet kanë qenë tejet të diskutueshme, sa arriti deri aty sa mazhoranca
kontestoi edhe opinionet e ONM-së, që për mua ishte e paprecedent. Në këto
momente ne kemi një pikëpyetje të madhe se cili do të jetë raporti i vendeve
anëtare për të parë nëse ata do të binden në çeljen e negociatave.

 

Gjatë
konferencës për shtyp me Presidentin e Komisionit Evropian, Juncker,
Kryeministri Rama e pranoi se ka disa vende që kanë nevojë të informohen. Jeni
ju në dijeni dhe a e dini se cilat janë këto vende që kanë rezerva ndaj
Shqipërisë?

Ka
pasur gjithmonë vende, jo që kanë rezerva ndaj Shqipërisë, por që kanë qenë
strikte ndaj procesit të zgjerimit, kanë qenë skeptike për të gjitha vendet
aspirante, janë shumë kërkuese. Por, janë edhe vende të cilat preken në mënyrë
të drejtpërdrejtë edhe nga problematikat e brendshme që ne kemi dhe që prekin
më pas edhe ato.