Klajda Gjosha: Keqqeverisja, deliri dhe kapja e shtetit meriton të vettohet

439
Sigal

Fjala në Kuvend e deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha

Diskutojmë sot një çështje që gjatë viteve të fundit ka marrë një rëndësi të veçantë dhe ky është pikërisht Vettingu. Sot që flasim ndoshta Vetting është fjala më trendy dhe më e pëlqyera mes qytetarëve.

Erdhi si një shpikje e madhe për prokurorët dhe gjyqtarët, si shpëtimi nga e keqja, ku kemi parë çudira nga më të ndryshmet. Vijoi me Vettingun në polici, ku pavarësisht nevojës për ta kryer këtë operacion, pamë se si policët largohen nga detyra për një fotografi me persona te padëshiruar.

Sot qytetarët kërkojnë Vetting në arsim, në shëndetësi, në biznes e kudo! Po a nuk është hipokrizi që politika ta hedhi Vettingun si gur themeli për çdo profesion por mënjanon veten e saj? A nuk është hipokrizi që pikërisht politika që akuzohet më shumë të qëndroj e paprekur nga ky proces? A nuk është hipokrizi që Kryeministri kërkon hesap për celularin e një djali të varfër dhe refuzon të japë përgjigjen për veten e tij?

Vetëm në shkurt të këtij viti Komisioni Europian miratoi strategjinë e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe çështja më alarmante e ngritur është pikërisht lidhjet e politikës me krimin! Fenomen ky që po merr peng çdo ditë e më shumë të ardhmen e qytetarëve tanë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë!

Kjo është çështja që e beri opozitën të kërkojë sot më e bindur se kurrë Vettingun në politikë. Qytetarët kanë zero besim te politika, madje e shohin me përçmim dhe urrejtje. Ka ardhur koha që edhe politika të pastrohet. Jo të gjithë ne jemi njësoj dhe është momenti që shumë prej nesh të qëndrojnë me kokën lart dhe me ndershmëri të plotë ti shërbejnë këtij vendi!

Parlamenti duhet të jetë shtëpia e zërit të qytetarit, e zgjidhjes së problemeve të tyre. Shtëpia e atyre që kuptojnë realitetin e hidhur në të cilën ndodhet vendi. Shtëpia e njerëzve me këmbë në tokë që nuk janë të shkëputur me jetën normale të qytetarëve dhe që krimin e luftojnë me të gjitha mjetet dhe jo duke e bërë atë partner në qeverisje.

Keqqeverisja, deliri, pushteti në një dore dhe kapja e shtetit patjetër meriton të vettohet, sepse skandalet e fundit të kësaj qeverie meritojnë patjetër të shkojnë para drejtësisë me përgjegjësi konkrete individuale. Frika për të votuar këtë Projektligj nuk shpëton askënd nga e vërteta! Ndaj vota jone sot duhet të jetë e palëkundur Pro Vettingut në politikë për t’i hapur rrugë një epoke të re në qeverisjen e vendit!