Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit/ Rilindësin e përdorin Komisionin e Venecias për të mbuluar keqqeverisjen

156

Tolerimi nga ndërkombëtarët i votimeve të 30 qershorit është i pafalshëm, dhe e ka kthyer Shqipërinë vite të tëra pas. Raporti i OSBE/ODIHR ka vulosur vdekjen e demokracisë, të pluralizmit politik

Jakup B. GJOÇA

Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit në intervistën për gazetën “Telegraf” përgënjeshtron agjendat që u publikuan, se Komisioni i Venecias nuk do të takonte pardje në Tiranë opozitën, madje, zonja Gjosha dhe zoti Bylykbashi, si përfaqësuesit e opozitës u takuan të parët me ekspertët e Komisionit të Venecias në Tiranë. Zonja Gjosha, pohon se mazhoranca e keqpërdor “Venecian” për të mbuluar keqqeverisjen, ndërkohë që ky mision është tashmë absurd, derisa Raporti i OSBE/ODIHR-it thekson se është vetëm Gjykata Kushtetuese, e cila gjykon kushtetueshmërinë e dekretit të Presidentit të Republikës dhe se Kolegji Zgjedhor dhe KQZ-ja nuk kanë kushtetueshmërinë që të shfuqizonin atë dekret të Presidentit. Zonja Gjosha kritikon edhe tolerimin që ambasadorët e akredituar në Tiranë i bënë votimeve të 30 qershorit, sepse ato e kthyen Shqipërinë shumë mbrapa. Zonja Gjosha thotë se Reformën e re Zgjedhore nuk mund ta miratojnë deputetë që nuk përfaqësojnë elektoral, por vetëm një parlament legjitim.

– Zonja Gjosha, Ju u takuat me Komisionin e Venecias pardje në Tiranë si përfaqësuese e Opozitës? Në agjendën e publikuar të përfaqësuesve të “Venecias” nuk ishte planifikuar takimi i tyre me Opozitën?

– Nuk di të them për agjendë të publikuar, por unë kam qenë pjesë e takimit bashkë me z. Bylykbashi dhe kemi bërë dhe prononcim për mediat në përfundim të takimit.

-Cilat ishin problemet që Ju parashtruat para përfaqësuesve të Komisionit të Venecias?

Së pari, më vjen keq që mazhoranca përdor Komisionin Komisionin e Venecias për një çështje që është e sajuar nga vetë mazhoranca dhe që kushdo që do të kishte ngritur pikëpyetje mbi vendimet dhe dekretet e Presidentit do të duhej t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese. Ky është i vetmi institucion për të dhënë një përgjigje.

Së dyti, Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandime me shumë vlerë në të shkuarën për reformën në drejtësi dhe vettingun e politikanëve, por në asnjërin rast, mazhoranca nuk ka denjuar të respektojë rekomandimet e tyre. Kjo do të thotë se edhe këtë ata e përdorin Komisionin e Venecias për të mbuluar keqqeverisjen që i kanë bërë vendit. Ndërsa për sa i përket procedurave të ndjekura deri tani për shkarkimin e Presidentit, është fare e qartë që mazhoranca funksionon në bazë të urdhrave politikë të Kryeministrit, duke anashkaluar çdo bazë ligjore. Si mundet një komision hetimor të ngrihet, pasi Kuvendi ka votuar një rezolutë për shkarkimin e Presidentit? Çfarë ka mbetur më për të hetuar pasi të gjithë ata deputet që janë anëtarë kanë qenë edhe firmëtarët e parë për të kërkuar shkarkimin. Ky është një proces i paragjykuar që në fillimet e tij! Për të mos renditur më pas arsyet e shkarkimit dhe faktin që një President është në të drejtën e tij Kushtetuese për të dekretuar apo shtyrë datën e zgjedhjeve, në bazë edhe të precedentëve të mëparshëm.

-Kërkesa e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë për të marrë Opinion nga Komisioni i Venecias për shkarkimin e Presidentit të Republikës u bë para se të publikohej Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për 30 Qershorin. Tani që OSBE/ODIHR e cilësoi Vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ në kundërshti me kushtetueshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës, a ka më kuptim Misioni i Komisionit të Venecias në Tiranë?

– Në këto momente asgjë nuk përbën më kuptim, pasi vendi ka dalë nga shinat ligjorë dhe Kushtetues. Këtë s’ka nevojë të na e thonë ndërkombëtarët, sepse po e vuajnë shqiptarët çdo ditë në çdo sektor të jetës.

Ju si e kuptoni heshtjen, mosreagimin e deritanishëm të Ambasadorit të BE në Tiranë dhe Ambasadës së SHBA në Tiranë për Raportin e OSBE/ODIHR për 30 Qershorin?

– Unë besoj që i gjithë faktori ndërkombëtar është i vetëdijshëm për atë çka ka ndodhur në Shqipëri më 30 Qershor dhe që tolerimi i atyre votimeve është i pafalshëm, dhe e ka kthyer Shqipërinë vite të tëra pas. Raporti i OSBE/ODIHR ka vulosur vdekjen e demokracisë, të pluralizmit politik por edhe përgjegjshmërisë politike.

– A mundet të miratohet Reforma e re Zgjedhore pa Opozitën, por më votat e deputetëve që vetëquhen Opozitë parlamentare?

– Reforma zgjedhore nuk mund të votohet nga njerëz që nuk kanë asnjë përgjegjësi para qytetarëve dhe elektoratit. Tryeza e reformës zgjedhore duhet të kryhet nga faktorët politikë, të besueshëm dhe në transparencë për publikun dhe mbi të gjitha reforma duhet të jetë produkt i një parlamenti legjitim!

– A mendoni se BE-ja tashmë duke lexuar Raportin e OSBE/ODIHR që thekson se votimet në 30 Qershor u zhvilluan në kundërshtim me Kushtetutën, qytetarët nuk kishin alternativë etj., mund të hapë negociatat në 18 TETOR, kur kushti kryesor ndaj Shqipërisë ishte zhvillimi i zgjedhjeve të Lira?

– Kam bindjen se Shqipëria do të vazhdojë të ketë kushte për datën e negociatave dhe theksi kryesor do të vendoset mbi standardin e zgjedhjeve. Ky do të jetë një diskutim që nuk e lehtëson shumë pozicionin e Shqipërisë me vendet e BE-së.

-A mundet tashmë Kryeministri Rama me të njëjtën arrogancë që zhvilloi zgjedhje vendore nê 30 Qershor pa Opozitën, të vazhdojë të qeverisë, pa Opozitë në Parlament dhe me 61 bashki të votuara nga zgjedhjet në kundërshtim me Kushtetutën?

– Nuk e di sa vlen kjo arrogancë përballë situatës së vështirë ekonomike me të cilën po përballet vendi, rrënimit nëpërmjet koncesioneve dhe PPP-ve, taksave dhe gjobave të larta ndaj biznesit. Duket qartë që vendi nuk po qeveriset, por po diskutohet për interesa të ngushta të një grupi individësh.

– Faleminderit!