Klajda Gjosha: Shqipëria nuk do marrë dritën jeshile nga BE, pasi qeveria nuk po bën asnjë përpjekje për të përmirësuar imazhin që e ka vënë për fund

453
Sigal

Pjesë nga intervista e ish-deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha, për emisionin ‘5 Pyetja nga Babaramo’ në ‘Report Tv’

Le të ndalemi tek mbledhja e ardhshme e Këshillit Evropian ku pritet të shqyrtohet edhe rekomandimi i komisionit, ku të gjitha gjasat janë që ka për të qenë pozitiv, të paktën kështu janë sinjalet në media. Tani që zgjedhjet në Parlament mbaruan, a shpresoni se mund ta marrim miratimin e vendeve anëtare?
Fatkeqësisht jo. Kam qenë që vjet shumë e drejtpërdrejtë në këtë pikë, kur kam lexuar raportin e Këshillit, kam qenë shumë skeptike që kjo do të ndodhë. Për shumë arsye: Së pari gjuha që është përdorur në raportin e vjetshëm për të parë që do të ishte e pamundur edhe për vitin 2019 që të merrej një sinjal pozitiv, sepse për herë të parë Shqipërisë i kërkohet një raport i dytë nga Franca për azilkërkuesit.

Pra, përveç pesë prioriteteve kyçe, tashmë do të kemi edhe një raport të dytë që flet për azilkërkuesit, numrin e tyre, cilat janë shkaqet që e shkaktojnë këtë fenomen dhe se si mund të parandalohet. Nuk mendohet që duke shpallur që ke çelur negociatat do të vazhdosh të punosh për të përmbushur ato kushte që ende edhe sot e kësaj dite mbeten në tryezat e qeveritarëve shqiptarë, por edhe të vendeve anëtare, të cilat presin rezultate dhe nuk i kanë marrë ende. Po të shohim nga vjet, për herë të parë ndodhi diçka e papritur, vendet anëtare miratuan për Shqipërinë që gjithsecila nga parlamentet e këtyre vendeve do të duhej të jepte dritën jeshile para se të merrej vendimi nga kancelaritë përkatëse. Dhe kjo është një precedent dhe një fenomen jashtëzakonisht shumë i rrezikshëm. Dhe duke parë edhe zgjedhjet e djeshme në Parlamentin Evropian është një rrezik shumë i madh që dhe vende të tjera mund të vazhdojnë zinxhir. Pra mund të ketë një efekt zinxhir edhe për Francën p.sh për të diskutuar rikthimin e vizave duke qenë se ata kanë kërkuar edhe një raport për azilkërkuesit pra nuk do të ishte habi. Ajo çka mua më shqetëson është puna që bën politika dhe qeveria shqiptare për të mundur pikërisht këtë imazh që e ka vënë përfund Shqipërinë dhe për të çelur mundësinë e hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Ka pasur shumë pak takime bilaterale. Ndërkohë që duam ta pranojmë apo jo Shqipëria është një vend i vogël me një politikë të jashtme modeste dhe nuk kemi pse të kemi ne aspak turp për të thënë që po duhet lobuar.

Duhet lobuar sepse nuk ka mënyrë tjetër për të ngritur zërin dhe për të çuar rezultate të prekshme tek ato vende anëtare që e lexojnë raportin e Komisionit Europian, përtej këtij raporti lexojnë edhe Transaparency International, lexojnë edhe raportet e tjera mbi lirinë e medias, lexojnë edhe raportet e tjera të Bankës Botërore, ku flasin për ekonominë, pra marrin një pamje më të gjerë se çfarë ndodh në Shqipëri, pra jo vetëm ajo që prezanton Komisioni Evropian. Ndaj edhe unë e shoh shumë të brishtë këtë moment për çeljen e negociatave,e kam thënë që nëse do ishte një vend që do të kishte një shans për të qenë në negociata këtë qershor do të ishte Maqedonia sepse ka sakrifikuar jashtëzakonisht shumë, ka ndërruar identitetin, ka ndërruar emrin, bënë marrëveshje me fqinjët pas kaq vitesh dhe realisht ata meritojnë një shans për të kapërcyer në një hap tjetër, në atë të çeljes së negociatave dhe gjithë procesit integrues të tyre, por ka ndodhur ajo çka unë kisha menduar që Shqipëria mund bëhet pengesë edhe për çeljen e negociatave për Maqedoninë e Veriut.

Ka një tendencë sot për t’i ndarë këto 2 vende në vendimmarrje, pra për t’i dhënë mundësi Maqedonisë së Veriut të ecë përpara në procesin të çelë negociatat dhe për t’i dhënë më shumë forcë Shqipërisë të përmbushë kushtet dhe për ta vendosur atë, pra për ta lënë për një moment të dytë diskutimin për Shqipërinë. Nëse kjo do të ndodhe, unë deklaroj se ky do të ishte fundi i këtij procesi sepse imagjinoni që Shqipëria të vihet në tryezën e vendeve anëtare me Kosovën dhe Bosnjën që janë 2 vende që le ta pranojmë, shumë më e vështirë ecuria e tyre në procesin integrues.