Klajda Gjosha: Dorëheqja, i vetmi opsion për Ramën

497
Sigal

Intervista/ Flet ish deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha: Uroj që 30 qershori të mos hyjë në histori si dita e marrëzisë dhe rrënimit të pluralizmit politik!

 

Dorëheqja është i vetmi opsion për Kryeministrin, sado e dhimbshme të jetë për të!

 

Zhvillimet e fundit politike në vend kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm të opinionit brenda vendit por edhe jashtë. Madje organizmat ndërkombëtare janë tepër të shqetësuar se çfarë do të ndodhë në Shqipëri, në 30 qershor. Shumica janë mosbesues për zhvillimin normal të zgjedhjeve në këtë datë. Ja si shprehet ish-deputetja e LSI-së Klajda Gjosha për zhvillimet e fundit politike

Albert Z. Zholi

 

-Rama edhe pse pa kundërshtarë vazhdon fushatën, madje me shoqërues të shumtë si do ta quanit këtë fushatë?

“Është e trishtë përpëlitja e Partisë Socialiste për t’u shtirur sikur po kryejnë një fushatë në kushte normale! Është edhe më e trishtë kur sheh se qytetarëve i serviren disa kandidatë të detyruar për t’u bërë pjesë e një gare false thjesht dhe vetëm për të ushqyer më tej arrogancën e një njeriu të vetëm! Këto nuk janë zgjedhje por një absurditet që vjen nga etja për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.”

-Në këto situata a do zhvillohen normalisht zgjedhjet në 30 qershor pa opozitën dhe si do veprojë opozita?

“Nëse do të ketë votime këtë nuk di ta parashikoj, por zgjedhje për qytetarët duket qartë që nuk do të ketë. Uroj që 30 qershori të mos hyjë në histori si dita e marrëzisë dhe rrënimit të pluralizmit politik. Kjo do të ishte e rëndë për vendin dhe demokracinë!”

-Përgjimet e “Bild”, a do ndikojnë në uljen e përkrahësve të PS-së në përgjithësi dhe a do ulnin numrin e votuesve të PS-ë, nëse do kishim zgjedhje të rregullta?

“Përgjimet e “Bild” kanë pasqyruar një pjesë të së vërtetës të asaj çka ndodhi me zgjedhjet e vitit 2017. Opozita ka një kohë të gjatë që kërkon t’iu tregojë qytetarëve këtë të vërtetë, por ishte e vështirë ta bëje këtë me fakte! Unë jam e bindur se këto përgjime do të sensibilizojnë një masë të gjerë njerëzish, që kërkojnë standarde reale, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një mënyrë ndryshe të qeverisjes!”

-Në këto situata a është i rrezikuar Rama si kryetar partie dhe a do dalin zëra kundër tij?

“Pak rëndësi ka çfarë rreziku paraqet Rama brenda partisë së tij, për sa kohë që ai përbën një rrezik madhor për Shqipërinë si kryeministër. Zërat kundër tij kanë të bëjnë me, sa dinjitet kanë përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe çfarë interesash kanë. Por çfarëdo të ndodhë brenda PS-së, opozita është e vendosur t’i shkojë deri në fund kauzës së saj.”

 – A mendoni se do të hapen negociatat në qershor dhe sipas jush, pse?

“Qershori është plotësisht i pamundur. Pritet të ketë një shtyrje të vendimit për në muajin Shtator. Kjo sepse vendet anëtare nuk kanë dashur që për shkak të Shqipërisë të penalizojnë edhe Maqedoninë e Veriut. Megjithatë frika ime është që vendi ynë i rrezikon negociatat edhe në Shtator. Madje diskutimi në këto momente ka marrë përmasat e rikthimit të vizave, për shkak të shkeljes së rregullave për lëvizjen e lirë, numrit të lartë të azilkërkuesve, si dhe dështimin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.”

-Veprimet e opozitës me anë të protestave a mbështeten nga ndërkombëtarët aktualisht dhe pse u ndërprenë ato?

“Protestat janë në vazhdimësi të plotë në bazë të një agjende që është dakordësuar mes faktorëve opozitarë. Besoj që Gjermania ka treguar një lidership për të mbështetur Shqipërinë në zgjidhjen e kësaj krize dhe realisht e përshëndes këtë qëndrim. Askush nuk duhet të kërkojë që ndërkombëtarët të mbështesin njërën palë apo tjetrën. Ne kemi nevojë për mbështetjen e një kauze të drejtë dhe, mbi të gjitha, duhet që ata të mbështesin qytetarët shqiptarë pa anësi politike.”

-Mendoni se në këto situata Rama do dorëhiqet si kryeministër duke u bazuar në kërkesën a patolerueshme të opozitës?

“Dorëheqja është i vetmi opsion për Kryeministrin, sado e dhimbshme të jetë për të!

-Si do ta komentonit çdekretimin e datës 30 qershor nga Presidenti Meta për zgjedhjet vendore?

“Është një vendim që në bazë të Kushtetutës i takon plotësisht Institucionit të Presidentit. Ky nuk është çdekretim, por një dekret Presidenti, që synon t’i japë mundësi palëve të rikthejnë dialogun në vend. Askush nuk ka të drejtë të gjykojë këtë dekret! Nëse dikush ka kundërshtim, institucioni i vetëm që njihet nga kushtetuta për të dhënë një vendim është Gjykata Kushtetuese. Çdo debat tjetër ka karakter politik dhe nuk mund të dalë mbi dekretin e Presidentit!”