Klajda Gjosha: Arsyet e revoltës të vendeve anëtare të BE me qeverinë shqiptare

1030
Sigal

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha thotë se hezitimi i disa shteteve për çeljen e bisedimeve me Shqipërinë është i lidhur drejtpërdrejtë me situatën absurde në të cilën ndodhet vendi ynë. Ajo rendit disa arsye ose vendet anëtare të BE, janë në revoltë me qeverinë shqiptare. Ishministrja e Integrimit Gjosha: Diskutimi djeshëm në Këshillin Evropian mbi zgjerimin dhe negociatat me Shqipërinë është realiteti i hidhur për të cilin kam shprehur shqetësimin tim gjatë muajve të fundit. Hezitimi i disa shteteve për çeljen e bisedimeve me Shqipërinë është i lidhur drejtë për drejtë me situatën absurde në të cilën ndodhet vendi ynë. Që nga momenti i drejtimit të qeverisë nga një parti e vetme, qeveria filloi të humbte kredibilitetin si një partner i besueshëm. Përqendrimi i pushteteve në një dorë të vetme, ndikimi i politikës në sistemin e drejtësisë dhe në mbrojtjen pa fre të njerëzve me imunitet, mosfunksionimi i disa prej institucioneve kryesore në garantimin e shtetit si Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, krimi i organizuar, korrupsioni dhe numri i lartë i azil-kërkuesve shqiptarë në vendet e BE janë baza e revoltës të vendeve anëtare me qeverinë shqiptare. Dhe si të mos mjaftonte kjo situatë e rënduar me shtetin e së drejtës, qeveria në gjithë këto muaj ka luftuar vendet anëtare me arrogancën që e karakterizon atë në çdo moment. Gjuha e përdorur ndaj disa zyrtarëve gjermanë dhe holandezë, të cilët u prononcuan për procesin e integrimit të Shqipërisë ishte e papranueshme. Shqipëria është një vend i vogël që ka nevojë për partner dhe miq të mirë, është një vend ku diplomacia duhet të luajë një rol të veçantë, por mesa duket edhe kjo pjesë u zëvendësua nga deliri, që pësojnë shpesh politikanët nga qëndrimi i tepërt në pushtet! Qytetarët shqiptarë janë ata që po humbasin më shumë nga vonesat e shkaktuara në këtë proces dhe ata nuk duhet të vuajnë kurrsesi pasojat e papërgjegjshmërisë së qeverisë. Një refuzim sot nga vendet anëtare do të thotë që Shqiptarëve do t’i duhet të presin disa vite të tjera, që Shqipërisë t’i jepet shansi te bëhet pjesë e një procesi jetik për ta, që është procesi i negociatave!