“Kjo qeveri kërkon ta blejë statusin kandidat, e jo ta meritojë”

477
Sigal

INTERVISTA/ Flet Kryetari i PSD-së, Prof. Dr. Skënder Gjinushi: “Një status fallco është vazhdimi i keqqeverisjes ndaj shqiptarëve”

De fakto Shqipëria ndodhet përpara faktit të dështimit për herë të tretë të statusit kandidat. BE-ja e ka bërë të qartë se kriteri i vetëm i dhënies të statusit kandidat do të jenë zgjedhjet e 2013-s. Prof. Skënder Gjinushi, Kryetari i PSD-së, në intervistën për “Telegraf”, thotë prerë. Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk i duhet një status fallco, pasi ky status i jepet qeverisë për vazhdimin e keqqeverisjes. Por, sipas zotit Gjinushi, përgjegjës janë edhe emisarët e faktorit ndërkombëtar, që janë në Shqipëri, të cilët pranojnë dopio standarde në Shqipëri, për të cilat në vendet e tyre demokratike janë të papranueshme. Zoti Gjinushi, thotë se, procesin e integrimit e bllokon keqqeverisja e qeverisjes dhe zhbllokimi bëhet pasi të largohet kjo qeveri. Ndërsa aleancën e PD-LSI, zoti Gjinushi e cilëson votë e blerë nga Berisha nga klani ekonomik, pasi LSI-ja nuk është më parti politike.

– Prof. Gjinushi, rrezikohet të mos mirëkuptohet opozita për mosvotimin e reformave të kushtit të statusit kandidat?

– Para këtij realiteti dramatik, në të cilën ndodhet  Shqipëria dhe shqiptarët, kur jo vetëm nuk janë plotësuar standardet demokratike të dëshiruara, por situata është përkeqësuar  në çdo drejtim, në çdo aspekt social, ekonomik, politik, lirish dhe të drejtash. Sekretarja e Shtetit të SHBA-ve, zonja Clinton  para të gjithë shqiptarëve, dhe opinionit ndërkombëtar, në Kuvendin e Shqipërisë, theksoi domosdoshmërinë që Shqipëria  të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme, që ato të kenë besimin e popullit, bëri thirrje që Shqipëria të luftojë korrupsionin dhe më kryesorja, të ngrihet një qeveri për qytetarët, do të vendoset shteti ligjor.

– Ju bëni fjalë mungesë  të mosarritjes të  standardeve demokratike, por faktori ndërkombëtar përse bën apel vetëm për votimet e tre logjeve, që të japë vlerësim pozitiv të dhënien e statusit?

– Kushdo që kërkon të faturojë përgjegjësi te të tjerët, përveç qeverisë dhe (keq)qeverisjes të vendit, kuptohet, ose nuk jeton këtu, ose nuk e do të mirën e Shqipërisë. Para këtyre dështimeve spektakulare të kësaj qeverisjeje, shkaktare të hiperkorrupsionit, të manipulimeve të zgjedhjeve dhe shkeljeve sistematike  të kushtetueshmërisë, të konflikteve konstitucionale, të kërkosh përgjegjësitë tek opozita, apo mungesa e amendamenteve, është më shumë sesa tallje me inteligjencën e shqiptarëve. Çdo njeri, me inteligjencë mesatare, mund të shikojë të ashtuquajturat 12 rekomandime dhe të kuptojë se vetë pyetjet e zonjës Clinton, apo problemet e ekspozuara nga ambasadorët  në Shqipëri, sikurse  John Withers, ai danez, holandez, konfirmojnë mosplotësimin absolut të asnjë rekomandimi të BE-së nga ana e kësaj qeverie në këto 7 vjetët e keqqeverisjes.

– Mirëpo, sipas jush, përse BE-ja, kohët e fundit, statusin e kushtëzojnë vetëm me mënyrën se sa të lira e të ndershme do të realizohen zgjedhjet e 2013-s?

– Është koha që pikërisht të bëhet kryepyetja e secilit: ” A do të arrijnë shqiptarët të vendosin ndryshimin e qeverisjes së vendit me votë të lirë? Është koha kur, pikërisht,  opinionet ndahen në ata që e kanë të qartë që dështimet kanë vetëm një emër. Është qeverisja dhe keqqeverisja, makutëria dhe inkrimini i saj shkaku kryesor, i mosmarrjes së statusit, nga ata që për interesa personale, për implikim apo injorancë, mbështetin këtë qeveri. Shumica e shqiptarëve, tashmë e kanë të qartë. Që e vetmja zgjidhje është ndryshimi i qeverisjes së vendit.

– Mos vallë kjo maxhorancë kërkon një alibi nga opozita, që të mos merret statusi kandidat, ngaqë nuk i intereson?

– Që maxhoranca kërkon një alibi, kjo është tashmë një cilësi kryesore e të paudhit Berisha, por demokracia ka një parim të thjeshtë. Dështues e përgjegjës në çdo rrethanë për situatën e keqe në vend e ka vetëm qeveria. Roli i të tjerëve, qoftë i vetë shoqërisë civile, apo opozitës, apo medias, apo faktori natyror, apo kriza globale, huajnë në rrethana ndihmëse, apo penguese, për arsye justifikuese. Vetëm në Shqipëri dhe vetëm në Shqipëri kjo qeveri dhe disa emisarë që flasin në emër të institucioneve, në mënyrë abuzive, kanë kurajon të flasin për bashkëpërgjegjësi. Nuk foli njeri për bashkëpërgjegjësi, që është një krizë jomateriale, por e trashëguar historikisht në Greqi kur qeveria e Jorgos Papandreus e gjeti krizën të trashëguar dhe  u përpoq të negocionte me BE-në për të marrë konsensusin e për të nxjerrë  vendin nga kriza, por nuk ia arriti. Dhe për këtë paaftësi, ajo qeveri e Papandreut u largua nga qeveria. Kështu ndodhi edhe në Spanjë, në Portugali, në Itali, kur qeveritë e paafta të menaxhonin situatën e krizës ekonomike, u larguan. Tek ne, përgjegjësitë në qeverisjen e vendit ka në termat afatgjatë, sepse janë ata që qeverisin vendin në formën e rotacionit. Ndërsa, në periudha konkrete  të qeverisjes ka vetëm një përgjegjës fajtor. Përgjegjës është vetëm  qeverisa dhe  shefi i saj dhe ndryshimi fillon vetëm me largimin e shkaktarëve të gjendjes, apo krizës në të cilën ndodhemi. Kjo aplikohet në të gjitha vendet e Europës, përveçse në Shqipëri.

– Mos vallë, opozita shqiptare duhet të kishte këmbëngulur që në fillim, që proceset e realizimit të 12 rekomandimeve t’i udhëhiqte një qeveri teknike, derisa kjo qeveri dështoi dy herë, e pas kësaj, të bëhen zgjedhje?

– Hilja kjo është. Kjo që ndodh me Shqipërinë është një eksperiment, që ka të bëjë me faktin që kjo qeveri kërkon ta blejë statusin dhe jo ta meritojë. Dhe patjetër që korrupsioni rekord i kësaj qeverie, ka arritur ka infektuar edhe  disa jashtë qeverisë, duke u bërë pjesë e kësaj loje.

– E keni fjalën për disa emisarë të faktorit ndërkombëtar?

– Dhe faktet janë shumë të qarta. Të fitosh statusin kandidat për në BE, do të thotë të plotësosh 12 rekomandimet e më gjerë. Ato që cituam më lart, të shprehura  edhe në kritikën e zonjës Clinton, si garancia e zgjedhjeve të lira e të ndershme, pavarësia e gjyqësorit, ndërshkueshmëria e korrupsionit, ngritja e administratës publike, zgjidhja e çështjes së pronave, asnjë nga këto nuk është realizuar. Kjo do të ishte statusi për Shqipërinë, përpjekjet dhe realizimi i  përmirësimit të jetesës. Ky do të ishte statusi i fituar dhe i dobishëm edhe për vetë shqiptarët, që statusin e fituar do ta gëzonin me një jetë më të mirë. Ju e mbani mend që deri para disa muajsh e tërë BE-ja thoshte: “Status do të thotë përmirësimi i gjendjes në Shqipëri. Statusi është për ju, jo për ne”.

– Përse tani BE-ja i ndryshoi kriteret, duke vënë prioritet votimin e reformave në Kuvend dhe jo shkallën e përmirësimit?

– Në qoftë se kjo qeveri i përkeqësoi të gjitha këto tregues të parametrave të jetesës të shqiptarëve, ku papunësia është në shifrat alarmuese, bizneset po rrënohen, ka vdekur shpresa për një të nesërme më të mirë, atëherë disa burokratë të BE-së në bashkëpunim me pushtetarët këtu, vranë mendjen si të na mashtrojnë, sepse disa refuzuan ligjin për t’i servisur si reforma.  Dhe kështu që sot, në vend të largohen e të ndëshkohen  të korruptuarit, quhet sukses miratimi i heqjes së imunitetit, nga të korruptuarit. Në vend të ngritjes të një administrate publike, kjo e tanishmja ka denigruar në administratë mercenare, me diploma fallco. Në vend të funksionimit  të Kuvendit si një institucion demokratik me një rregullore konsensuale, me procedurë që respektohet me dinjitet ligji dhe Kushtetuta, kjo zëvendësohet vetëm me dhënien e konsensusit për Rregulloren që prishi Saliu, pasi ka mbaruar mandati i Kuvendit. Në vend të rritjes së pavarësisë të Gjyqësorit, në mënyrë të turpshme, do të quhen arritje shtimi i disa vendeve në Gjykatën e Lartë, që do t’i marrë Berisha, duke e varur edhe më shumë Gjyqësorin. Pra, në kundërshtim me çfarë  është statusi, mbyllen sytë përpara përkeqësimit të gjendjes së shqiptarëve.

– Si do t’i vlerësonit këto tre reforma që PS-ja kundërshton t’i votojë?

– Të tre ligjet që kërkojnë t’i votojnë, jo që nuk janë reformat e integrimit, por ato forcojnë kontrollin e qeverisë në Kuvend, në administratën  publike e në Gjyqësor, është arritur deri aty, sa anti-reformat i pagëzojnë si…reforma. Ne si PSD nuk do t’i votonim kurrë, përkundrazi, do t’i denonconim si tentativa të kapjes të kontrollit të shtetit abuziv mbi institucionet e pavarura.

– Më konkretisht?

– Këto tre ligje janë në limitet e parodisë.  E kemi thënë, Rregullorja nuk është ligj, nuk do 3/5 e votave. Le ta votojë Saliu Rregulloren, meqë na çon në BE, siç ka vepruar 7 vjet. Këtë Berisha e bën  për të hequr votën e fshehtë në mënyrë ta njëanshme. Çfarë kërkojnë burokratët e BE-së për Rregulloren e Kuvendit? Ata kanë lejuar për 7 vjet që Saliu ta ndryshojë Rregulloren pa konsensus, gjë që është shkelje numër një e Kopenhagenit. Çfarë i kërkojnë opozitës? Të ligjërojë shkeljet e Saliut? Pra, ligjërimi i këtyre shkeljeve  nga Berisha, i kërkohet opozitës t’i votojë për reformë të integrimit? Kërkohet të miratohet p/ligji për Gjykatën e Lartë, sepse kjo na qenka e lidhur ngushtë me luftën kundër korrupsionit, e veçanërisht në nivelet e larta të politikës. Të gjithë e kanë të qartë se pa pavarësi reale të Gjyqësorit, nuk ka luftë ndaj korrupsionit.  Kur flitet për  pavarësinë e Gjyqësorit, flitet për pavarësinë ndaj pushtetit e jo ndaj opozitës. Te ne, realisht, për të kuptuar hipokrizinë edhe të burokratëve të BE-së,  këtej i thuhet, opozitës, votoni ligjin e Gjykatës së Lartë si masë për pavarësinë e Gjyqësorit, e nga ana tjetër, heshtet para faktit që Presidenti, i cili ka rol të madh në pavarësinë e Gjyqësorit,   zgjidhet pa konsensus  dhe është një militant i zellshëm i Berishës, e ky president tani ka nisur procedurën e zëvendësimit të Kryeprokurores, në kundërshtim me Kushtetutën. Në manualet europiane, elementi numër një i pavarësisë të institucioneve është respektimi i mandateve, element dy është procedura e zgjedhjes të institucioneve. Te ne, nuk respektohet mandati i Kryeprokurores dhe, njëkohësisht, është dhunuar procedura e shkarkimit dhe emërimit të Kryeprokurorit, sepse është hequr vota e fshehtë në Kuvend. Atëherë, kështu do të arrihet pavarësia e Gjyqësorit? Nga njëra anë, kemi  një qeveri që pushton dhunshëm institucionet e drejtësisë dhe në kundërshtim me ligjet e Kushtetutës, e nga ana tjetër, vazhdojmë të flasim për amendamentet e ligjeve, si zgjidhje të problemit të arritjes së pavarësisë të Gjyqësorit.

– Nuk bën përshtypje që emisarët e faktorit ndërkombëtar, këtu në Shqipëri, pajtohen, apo nuk reagojnë fuqishëm ndaj kësaj fytyrësie të politikës që ju përshkruat?

– Ky është një mashtrim i qëllimshëm, që neve na jep të drejtën të themi që disa që nuk e duan ndryshimin e realitetit në Shqipëri e disa nuk duan që Shqipëria t’i afrohet Europës në standarde dhe realisht, kjo vërtetohet nga gjendja reale që përjetojnë shqiptarët, por përpiqen qartazi të mbulojnë dështimet e kësaj qeverie e të sajojnë një status për këtë qeveri, çka është në dëm të shqiptarëve.

– Sido që të jetë, a nuk është inkurajuese për më tej, dhënia e statusit kandidat?

– Disa dopjostandartin, pra, që ndaj qeverisë shqiptare tolerojnë, gjera që nuk janë toleruar ndaj qeverive te tjera,  duan ta quajnë dashamirësi, por efekti i saj është vazhdimi i keqqeverisjes për shqiptarët dhe vazhdimi i abuzimeve për qeveritarët. Pra, në fakt, statusi fallco është dashamirësi për të korruptuarit. Nuk ka manuale të demokracisë që sugjeron, që thotë të pranojmë të luftohet korrupsioni nga të korruptuarit. Këtu gjen arsye edhe përgjegjësia pse në Shqipëri vazhdon të heshtet për dështimet e reformës, vazhdimi i aplikimeve të dopjostandarteve. Kur qeveria dështon për mosarritjen e standardeve demokratike, duhet larguar, e për më tepër, kur kjo qeverisje nuk ka as dëshirën për t’i realizuar. Shqiptarëve t’u thuhet, e në qoftë se shqiptarët përgjigjen se jetojnë më keq, kjo qeveri duhet larguar, dhe jo favorizuar me status fallco.

– Akademiku Rexhep Qosja, u tha shqiptarëve që shumë e kanë duruar qeverisjen Berisha. Për më tepër, që Prof. Qosja nuk është kundërshtari politik.

– Sipas bindjeve të mia, në periudha afatgjatë, patjetër, që çdo popull ka përgjegjësinë e vet, pjesën e vet të fajit për qeverisjen që ka. Ka disa momente kur reagimi popullor nuk është në atë shkallë sa është tradita demokratike në vendet europiane. Konkretisht, ngjarje të tilla, siç janë tragjedia e Gërdecit, 21 janari i 2011-s, vjedhja e votave në 8 maj 2011, korrupsioni masiv, ku në çdo vend të Europës do të çonte në mënyrë të padiskutueshme në dorëheqjen e qeverisë, si presion politik, dhe fajtorët nuk do të kishin asnjë lloj mundësie që të rikandidonin.  Dominique Strauss-Kahn, që ishte figura numër një në garën presidenciale në Francë, u mënjanua, si pasojë e skandalit, që nuk kishte lidhje me fondet publike e menaxhimin e tyre, por sepse u bë i papreferueshëm nga populli në sontazhe. Tek ne, politikanët, të cilët  kanë shpërdoruar fondet publike, jo vetëm nuk largohen, por gradohen, promovohen më tej. Ndërsa te ne, njerëzit  ende votojnë në një masë të caktuar edhe Saliun, i cili vazhdon të blejë votën e LSI-së, që s’duhet ta merrte, pas indentifikimit si klan ekonomik, e jo parti politike. Por, e keqja është se reagimi i shqiptarëve ndaj keqqeverisjes Berisha nuk është në shkallën që do të ishte në vendet e emancipuara demokratike. Këtu kanë përgjegjësi faji edhe disa emisarë të faktorit ndërkombëtar, reagimi i të cilëve është i kundërt me atë reagim, që do të kishin këto ngjarje politike, po të ndodhnin në vendet e tyre. Po qe se një politikan  në vendet e tyre, do të përgojosej kaq shumë për afere korruptive, sikurse ndodh me këta që na qeverisin, ata,   në vendet demokratike, nuk do ta lejoheshin që të hynin  as në një hipodrom, pale më të rikandidonin.

– Faleminderit!