“Kjo qeveri e Berishës, përgjegjëse për herë të tretë e dështimit për eurostatusin”

477
Sigal

INTERVISTA/Qemal Minxhozi: “Shkelja e afateve të shërbimit diplomatik nga ambasadorët, një shkelje flagrante e ligjit”

Shqipëria për herë të tretë nuk mundi të marrë dot statusin kandidat. Edhe pse nuk ka asnjë konflikt politik, nacional, ushtarak me asnjë nga shtetet fqinj. Edhe pse shqiptarët janë populli më europëdashës në Ballkan. Edhe pse shqiptarët aspirojnë dhe përpiqen , që nga dita e parë e rrëzimit të regjimit komunist, që “Shqipërinë ta bëjmë si Europën”. Shqipëria nuk mundi për herë të tretë, që të marrë statusin kandidat, pasi forcat politike në Shqipëri nuk duan të bashkëpunojnë, nuk pranojnë kurrsesi që politikat e tyre partiake t’i venë në funksion të procesit të integrimit të Shqipërisë. I vetmi qëllim dhe interes politik për partitë politike në Shqipëri është marrja e pushtetit dhe vetëm ky pushtet është promotori i gjithë interesave të forcave politike. Deputeti i PS-së dhe anëtari i Komisionit të Jashtëm, zoti Qemal Minxhozi, në intervistën për “Telegraf” pohon se, përgjegjësia e vetme duhet kërkuar te maxhoranca dhe nuk është shkak i mosdhënies të statusit mosvotimi i tre ligjeve nga opozita, pasi, siç argumenton zoti Minxhozi, anëtarët e BE-së kanë perceptimin se në Shqipëri nuk janë realizuar në tërësi 12 prioritetet e integrimit.

– Zoti Qemal, referuar nenit 30, pika 1, të ligjit “Për shërbimin e Jashtëm”, shumë ambasadorë dhe konsuj të përfaqësive diplomatike të Shqipërisë kanë më shumë se katër vjet, madje edhe 7 vjet që vazhdojnë të punojnë në të njëjtën përfaqësi diplomatike. Sipas jush, përse kjo shkelje e ligjit?

Kjo që thoni është vërtet një absurditet, një shkelje flagrante e ligjit, por në radhë të parë duhet të reagojë Presidenti. Problemi është se duhet të gjendet një mirëkuptim midis Kryeministrit, Presidentit dhe ministrit të Jashtëm. Në të kaluarën e afërt, janë miratuar kandidatura për ambasadorë, por që nuk janë miratuar nga Presidenti. Ndërsa për konsujt është detyrë e ministrit të Jashtëm dhe përgjegjësia duhet kërkuar te ministri i Jashtëm, për shkeljet e afatit të shërbimit diplomatik nga konsujt.

– Mos vallë tejkalimi i afatit të mandateve nga ambasadorë, ka të bëjë me preferencat personale apo partiake, duke filluar që nga Kryeministri, ndaj edhe ligji shkelet me dashje?

Gjithsesi, nuk mund të ndodhë që, për çfarëdo preteksti dhe justifikimi që një ambasador të qëndrojë në të njëjtën përfaqësi diplomatike 7 vjet radhazi. Është detyrë e Presidentit që të veprojë.

– Në Komisionin e Jashtëm, sapo diskutuat nen për nen edhe projektbuxhetin që ka të bëjë me ministrinë e Jashtme. Ju si opozitë, si e vlerësoni këtë buxhet për diplomacinë tonë?

– Është një buxhet shumë larg objektivave. Ministri i Jashtëm ishte më realisht, sesa qeveria.

– Këshilli i Ministrave do të vendosë që Shqipërisë t’i mohohet për të tretën herë dhënia e statusit kandidat. Mendoni se mosvotimi i tre reformave të 12 prioriteteve është shkaku kryesor i mosdhënies të eurostatusit?

– Kjo varet nga perceptimi që kanë vendet anëtare të BE-së për këtë. Domethënë, çdo vend anëtar i BE-së ka mendimin dhe opinionin  e tij dhe nuk ma merr mendja që shkaku i refuzimit janë mosvotimi i tre ligjeve. Vërtet këto tre ligje janë një kusht, por më e rëndësishme është që nuk janë plotësuar 12 rekomandimet që ka dhënë BE-ja për Shqipërinë. Dhe përgjegjësia e vetme e dështimit për herë të tretë e marrjes të statusit kandidat Shqipërisë, është kjo  qeveri e Berishës.

Përse ju mendoni se mosvotimi i tre ligjeve nuk është shkaku, derisa kushti ishte që duheshin  votuar në tërësi?

Ne kemi parasysh se çfarë ka thënë BE-ja para një viti, që të realizohen 12 prioritetet dhe mosrealizimi i tyre mund të rrëzojë për herë të tretë dhënien e statusit kandidat.

– Duke patur në sfondin politik edhe zgjedhjet e 2013-s, deputeti i PD-së, Fatos Beja, deklaroi një ditë më parë, se shkaku i mosmarrjes për herën e tretë të statusit kandidat është mosvotimi i tre ligjeve të 12 prioriteteve  nga PS-ja. Cili është reagimi juaj?

– Në BE nuk ecet me mendimin e zotit Beja, por me bindjet dhe perceptimet që kanë vendet anëtare të BE-së për zhvillimet demokratike në Shqipëri në këto dy vitet e fundit.

Atëherë, a janë ndërgjegjësuar palët politike në Shqipëri për përgjegjësitë politike që kanë, për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme, në funksion të procesit të integrimit të Shqipërisë?

Është një kusht kryesor që partitë politike të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, që këto zgjedhje të 23 qershorit 2013 të zhvillohen me standarde demokratike. Të gjitha partitë politike kanë përgjegjësinë e tyre, por përgjegjësia kryesore bie mbi maxhorancën.

Me sjelljen e deritanishme politike, qoftë PS-ja, qoftë PD-ja a nuk të japin përshtypjen që më shumë u intereson mbajtja, apo marrja e pushtetit, se sa politika partiake të jetë në funksion të integrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve?

PS-ja qëllim kryesor politik të saj ka integrimin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë, por krahas integrimit, vetëkuptohet, që ka qëllim  edhe ardhjen në pushtet, si një forcë kryesore, e përgjegjshme politike  e vendit. Është diçka krejt e natyrshme, çdo opozitë në çdo vend demokratik, kërkon që të marrë pushtetin, por me rrugë demokratike, duke plotësuar gjithë standardet e demokracisë.

Sot (dje) u dorëzua edhe Rezoluta e PDIU-së për Çështjen Çame. PS-ja a do ta mbështesë në Kuvend këtë rezolutë?

Unë akoma nuk e kam lexuar, e kam dëgjuar nga radioja.

– Në parim, sepse  besoj që  jeni në dijeni për çfarë afërsisht bëhet fjalë?

– Do ta shikoj dhe do të merret një vendim.

– Akoma nuk është diskutuar dhe vendimi do të jetë partiak?

– Akoma nuk është diskutuar.

 Testi i statusit kandidat janë zgjedhjet e 2013-s

Duke patur parasysh se kohë më parë BE-ja kishte paravënë edhe kushtin se si do të zhvillohen zgjedhjet ne 2013-s, për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë, ju si e perceptoni këtë qëndrim të BE-së?

Edhe kjo, tashmë është një problem i madh, se ne kemi hyrë në fushatën zgjedhore dhe KQZ-ja e ka nisur punën e re me një kontradiktë, lidhur me rishpërndarjen e mandateve. PS-ja këmbëngul që zgjedhjet e 2013-s janë faktori bazë për të përcaktuar sesi e  shikojnë procesin e integrimit të Shqipërisë,  BE-ja në të ardhmen. KQZ-ja që tani jep shenjat e jo një luajaliteti demokratik për sa i përket përcaktimit të atyre kornizave ligjore që kanë të bëjnë me zonat ku do të përcaktohet numri i kandidatëve për deputetë. Fushata zgjedhore  ka filluar dhe monitorohet shumë ngushtë nga faktorët ndërkombëtarë.

 – Faleminderit!