“Kjo maxhorancë ushqehet nga korrupsioni”

440
Sigal

INTERVISTA/ Xhemal Qefalia, deputeti i PS-së: “Të krijohet opinioni në sytë e qytetarëve që edhe zyrtarët të jenë të barabartë para ligjit”

Reforma e imunitetit, edhe pse u votua, mbetet që të provohet sa do të ndikojë në luftën e korrupsionit. Ndërsa vetë deputetët që e votuan, kanë dyshimin e parë, që korrupsioni ushqehet nga maxhoranca. Pikëpyetje ka mbjellë në opinion votimi nga  PS-ja, thënë ndryshe ” votim pa kushtet dhe pa kushte”. Deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia, në intervistën për “Telegraf”, midis të tjerave, pohon se PS-ja në pushtet do të bëjë ndryshimet kushtetuese që maxhoranca e sotme i rrëzoi.

– Zoti Qefalia, PS-ja e votoi reformën e imuniteteve me vendim politik. Kjo  mos do të thotë, që pavarësisht nga politika e saj, PS-ja e votoi e detyruar?

– Absolutisht, PS-ja nuk votoi e detyruar. Ju jeni koshientë, që heqja e imuniteteve ka qenë një nismë e hershme e PS-së, ku drafti i PS-së gjetën miratimin jo vetëm të maxhorancës, por edhe të ndërkombëtarëve, për ndryshimet për të rritur transparencën e ligjit, ndaj në tërësi reforma përmban draftin e PS-së.

– Derisa në 6 gusht PS-ja e kushtëzoi votimin me kërkesat e saj, çfarë ndryshoi në të mirë, që ju e votuat tani?

– Unë dua t’ju korrigjoj juve edhe në pyetjen tuaj. PS-ja nuk e kishte kushtëzuar votën e saj, me ndryshimet kushtetuese. Ne thamë, qartë që nuk mund të ndërhyjmë në Kushtetutë çdo muaj, çdo javë, por ndryshimet në Kushtetutë të bëhen njëherë e mirë. Ne kërkuam që paketa jonë për ndryshimet kushtetuese të diskutohej në shtator. Pas këtij diskutimi, erdhi edhe vota jonë për imunitetet. Në Parlament, unë dhe kolegët argumentuam përse janë të domosdoshme për integrimin e Shqipërisë ndryshimet kushtetuese që propozuam ne, pavarësisht se maxhorancës nuk i interesojnë. Ajo vë vetveten e saj mbi shqiptarët e Shqipërinë, ndaj i rrëzoi.

– Kjo reformë e imuniteteve, e miratuar me konsensus, do të thotë që ekziston edhe vullneti politik për të luftuar korrupsionin?

– Korrupsionin nuk mund ta bëjë opozita, korrupsioni bëhet nga ata që qeverisin, bëhet nga ata që sot menaxhojnë taksat e shqiptarëve. Të paktën, me këtë reformë të krijohet opinioni në sytë e qytetarëve që edhe zyrtarët janë të barabartë para ligjit. Ne dyshojmë që kjo maxhorancë të ketë vullnet të luftojë korrupsionin.

– Edhe PS-ja dha kontributin e saj që në 2008-n të bëhen ndryshimet kushtetuese që sollën këtë produkt politik që sot kritikoni?

– PS-ja e ka pranuar gabimin, por edhe ndryshimet e 2008-s u keqdeformuan nga kjo maxhorancë. Nuk u respektua që Presidenti të zgjidhej me frymë konsensuale dhe pasojat, ky President, u dëftoi me emërimet e para e ato që do vijojnë.

– Erjon Braçe shprehu mendimin që nga kjo reformë imunitetesh humbi edhe PS-ja edhe maxhoranca, edhe shqiptarët. Ju pajtoheni?

– Ky është mendimi i zotit Braçe, por derisa edhe zoti Braçe, si mua e kolegë të tjerë votuam unanimisht, tregon që edhe zoti Braçe ka qenë dakord me votimin e reformës së imuniteteve.

– Keni mendimin që edhe opinioni publik ka të njëjtin mendim, që kjo reformë duhej votuar kështu siç është sot?

– Jo vetëm opinioni publik, por kushdo, edhe ndërkombëtarët, janë të mendimit që krimi në Shqipëri duhet të luftohet. Që zyrtarët e qeverisë Berisha të mos u shmangen më përgjegjësive ligjore.

– Që të realizohej kjo, a nuk ishte e domosdoshme që të bëheshin tani ndryshimet kushtetuese për zgjedhje me votë të cilësuar të anëtarëve të Gjykatave Kushtetuese e të Lartë e Kryeprokurorit?

– Për këtë ne jemi të bindur, ndaj kërkuam që tani këto ndryshime.

– Atëherë, përse nuk këmbënguli deri në fund PS-ja e të mos votonte pa u bërë edhe këto ndryshime kushtetuese të domosdoshme tani?

– Unë nuk e di, kë quani këmbëngulje deri në fund, juve? Mendoni masat ekstreme?

– Jo masat ekstreme, por të votoheshin domosdoshmërisht ato që ju propozuat.

– PS-ja i bëri përpjekjet e saj. PS-ja me përgjegjësinë që ndjen si parti që do të vijë në pushtet, veproi sipas procedurave koherente  që përcakton Kushtetuta. Kjo maxhorancë, nën frikën se nesër do të jetë në opozitë, kërkon të mbulojë që tani mëkatet e qeverisjes së saj. Kjo reflektohet duke emëruar edhe në institucionet e pavarura militantët e saj. Me këtë mendësi, kjo maxhorancë kujton se do t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor për shkeljet e abuzimet që bën sot.

– Një veçori e PS-së në këto reforma është se, ndërsa në fillim parashtron një politikë, në fund tërhiqet tërësisht dhe voton pa kushte. Përse kjo?

– Këtu nuk ka tërheqje të PS-së. I vetmi kusht që vumë ne ishte që në Kushtetutë nuk ndërhyhet çdo javë, çdo muaj.

– Po reformën parlamentare ju do ta votoni, edhe sikur PD-ja të mos reflektojë në moskthimin e votës së fshehtë?

– Ne nuk do të votojmë me symbyllur. Ne kërkojmë që në Parlamentin shqiptar, deputeti i opozitës të mos denigrohet, që deputeti i opozitës të mos ndëshkohet.

– Faleminderit!