Kim Mehmeti:Burrashtetasit që rrezikojnë Shqiptarinë

133

Kim Mehmeti: Shqiptarinë nuk e rrezikojnë fqinjët por burrështetasit tanë që kanë xhepa të thellë e koka të cekëta!

Se shqiptarinë nuk e rrezikojnë fqinjët, por burrështetasit tanë që kanë xhepa të thellë e koka të cekëta, më së miri e shpalos qëndrimi i tyre ndaj Serbisë, vend, të cilin e drejton Kisha Ortodokse Serbe, e jo burrështetasit e saj apo institucionet e shtetit. Andaj më kaplojnë të vjella sa herë që dëgjoj për takimet e Kryeministrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Kosovës, me burrështetasit e Serbisë, sepse nuk ia dal ta kuptoj si mund të mos e dinë se ‘vëllazërimin dhe pajtimin’ me popullin serb mund ta realizojnë vetëm nëpërmjet klerikëve, e jo nëpërmjet Presidentit të këtij shteti, i cili nuk mund të sjellë asnjë vendim madhor, pa pëlqimin e ‘ajatollahëve’ ortodoksë serb! Prandaj edhe e them se disfata e ‘Shqipërive’ tona nuk ka të bëjë me fqinjët, që nuk mund t’i zgjedhim ne, por me burrështetasit tanë që i votojmë, e të cilët nuk e kanë kuptuar se Kisha Ortodokse Serbe është forca e padukshme destabilizuese e Ballkanit, se ‘pronat e veta’ në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, janë ‘mina me sahat’, që ajo i ‘shpërthen’ sa herë që donë ta pengojë forcimin e këtyre shteteve. Pra, disfata jonë ka të bëjë me burrështetasit tanë që duan ta arrijnë të pamundurën: Marrëdhëniet ndërshtetërore me Serbinë t’i ndërtojnë nëpërmjet burrështetasve të saj, të cilët janë ‘klerikë’ me kravatë të mbjellëses shekullore të antishqiptarisë – të Kishës Ortodokse Serbe!