Kim Mehmeti/ Interesat personale, që po varrosin interesin kombëtar!

97

Sa më shumë na robërojnë interesat personale, aq më thellë e varrosim interesin kolektiv! Ne kemi të drejtë të jetojë me bindjen se asnjë burrështetasi tonë, e le më diplomati të huaj, nuk i lejohet që protestuesve shqiptarë-dhe jo vetëm atyre-t’ua tregojë gishtin e mesit. Por në ndërkohë, duke mos harruar se mes nesh ka nga ata që e pëlqejnë çdo veprim të diplomatëve të huaj, që mendojnë se atyre u lejohen të gjitha e neve asgjë dhe, që duan të na bindin se edhe gishti i tyre i ngritur i mesit treguar neve, është gjest dashamirës dhe ‘vlerë’ e demokracisë perëndimore!? Unë me asgjë nuk i përbuzë as shqiptarët që të huajin e mbrojnë nga ne, që e dënojnë rrugaçërinë shqiptare, por e fshehin dhe bëhen se nuk e shohin atë të diplomatëve të huaj, por më lejoni të ndjehem i lënduar dhe i ofenduar sa herë që ndonjë i huaj e keqpërdorë pafuqinë tone kolektive, si dhe mirësinë e mirënjohjen shqiptare, për të na e ngritur gishtin e mesit! Dhe më lejoni të shprehë neveri ndaj mediave proqeveritare dhe shqiptarëve ‘mendjendritur e mendjehapur’, të cilët nuk e kanë kuptuar se sa më shumë u lëpihemi të huajve, aq më shumë e jargavitim portretin tonë grupor, se sa më shumë na robërojnë interesat personale, aq më thellë e varrosim interesin kolektiv, e me çka e harrojmë të vërtetën se popujt nuk i asgjëson vetëm robëria dhe plumbi, por edhe mosndjeshmëria ndaj fatit, dinjitetit dhe nderit kolektiv! Gjatë këtyre viteve të demokratizimit të ‘Shqipërive’ tona, ne mund të lëvdohemi thuajse vetëm me dy të arrira: e bindëm rininë tonë se më lehtë çanë rrugë nëpër jetë dhe bëhesh i famshëm i zhveshur lakuriq, se sa i ‘veshur’ me dije! Pastaj ne shkuam edhe më tej dhe amoralin, pafytyrësinë, paturpësinë dhe papërgjegjësinë, i ngritëm në ‘vlera’ parësore të shumëpartitizmit! E pse, mos vallë mund të arrinim diçka më shumë ne që vlerë mbi të gjitha vlerat Perëndimore i shpallëm prapanicat e ‘kardashianëve’, ne që për ngjarje kulturore i marrim dasmat e ‘VIP-ave’ dhe që ditë festive i kemi ato kur mbahen mitingjet partiake, ku u duartrokasim politikanëve injorantë e hajdut, atyre që para syve na gënjejnë e na plaçkitin!