Kim Mehmeti/ Gishti i mesëm i Borchardt u ngrit kundër të gjithë shqiptarëve. Pas ndjesës , OSBE duhet ta largojë nga Shqipëria. Reagimi i politikës dhe protestat e qytetarve

410
Sigal

Kim Mehmeti: Në të vërtetë gishtin e mesëm ai na e ngriti të gjithë ne shqiptarëve

Gishtin e mesëm na e ngrenë edhe ata, të cilëve u duhet “futur” gishti!

“Ambasadori i OSBE-së Bernd Borchard, gjatë protestës së banorëve të Astirit, ua nxori gishtin e mesit banorëve, të cilët po mbështesnin të afërmit e tyre të shoqëruar nga policia. Në të vërtetë gishtin e mesëm ai na e ngriti të gjithë ne shqiptarëve, neve që assesi ta kuptojmë se shumë nga diplomatët e huaj që me aq zell na shesin demokraci, janë specialistë të rrugaçërisë. Dhe shtetet perëndimore i dërgojnë nëpër ‘Shqipëritë’ tona, sepse i kanë tepricë teknologjike, që nuk u hyjnë në punë për asgjë. E ne, të tillë siç jemi, e siç na ka dhënë Zoti – përbuzës të vetvetes dhe lëpirës të të huajve – i përkulemi çdo të ardhuri nga bota e ‘civilizuar’ perëndimore, duke e pëlqyer edhe gishtin e tyre të mesit të ngritur! Dhe ky ambasador bëri publikisht atë që shumë kolegë të tij e bëjnë, përderisa ‘ndërmjetësojnë’ në zgjidhjen e grindjeve politike brendashqiptare, duke i nxitur ato, sepse ai e di se Tirana nuk ka burrështetas, që pas këtij gjesti atij t’ia shtrojë vetëm një kërkesë – që brenda 24 orëve ta braktisë Shqipërinë! Po pra, ky ambasador beson se çdo gjë do e shpërlajë me një kërkim faljeje, sepse ai e di se këtë rrugaçëri të tij do e mbulojnë debatuesit tanë ‘mendjehapur’ dhe mediat proqeveritare, që e kultivojnë mendësinë politike, se ai që poshtëron shqiptarin e partisë kundërshtare, me asgjë nuk na ka ofenduar edhe neve! Mendësi që edhe na solli këtu ku jemi sot: Që gishtin e mesëm të na e ngrenë edhe ata, të cilëve u duhet “futur” gishti!”