Këtë vit, pulën në vend të kaposhit …!

496
Sigal

Evdal NURI

Duke pirë kafe me Hysenin e Abazin, arritëm në të njëjtin përfundim. Këtë vit, s’mund të blejmë kaposh, por një pulë deti. Ato pak lekë që do teprojnë do t’i shpenzojmë për pije, fruta për “Vitin e Ri“. Bereqavers, themi ne nga anët tona. Ka dhe më keq! Të nesërmen ç’do të bëjmë? S’i kemi bërë! E keqja është se njeriu do tre vakte në ditë, e viti ka 365 ditë…?! Këtu qëndron problemi! Pak, shumë pak, 5000 lekë për pensionistët. Për moshën e halleve të mëdha. Të varfërisë e skamjes. Të sëmundjeve e problemeve të tjera jetësore! Në Greqi për fund viti japin 100 euro. Në vendet e tjera shumë më tepër!

Do të ishte më e arsyeshme që tek ne të jepej një pension i trembëdhjetë!

Kjo do të ishte e kënaqshme, për moshën, kontributin, përkrahjen që iu kanë dhënë në ditët më të vështira pensionistët, e jo për mëshirë. Parashikim i rritjes të pensioneve me 3% është më pak se indeksim çmimi e jo rritje. Është e padrejtë dhe kjo: “Ai që ka pensionin 10.000 lekë me 3% , i rritet 300 lekë. Ai që e ka 50.000 lekë merr 1500 lekë.” Pra, pesë herë më tepër pension e po kaq rritja e tij! Pra, kush e ka pensionin më të lartë do të ketë dhe shtesën e lartë! Në fakt duhet të ndodhi e kundërta.

1Mos u tallni me pensionistët!

Kot them, mos u tallni, e them, sepse keni 28 vjet, që na jepni lëmoshë. Votat ua kemi dhenë. Jo pak, por mbi 75 % e pensionistëve historikisht votat ia kanë dhënë të Majtës. Kjo për traditë, apo nostalgji të së kaluarës, duke ndikuar dhe në familjarët. S’është shifër e vogël, por mbi 400.000, që krijon ose rrëzon një qeveri. U premtua për pensionin minimal deri në 25.000 lekë. S’i besuan, por ua dhanë përsëri pushtetin! Juve po na i dridhni! Të kuptohemi, shpresa vdes e fundit, por dhe besimi e durimi ka një kufi! Pensionet tek ne janë më të ulëta se kudo, jo në Evropë, por dhe në Rajon! Për ilaçet, drita, ujë, telefon, taksat që tani janë shtuar, pensioni mbaron që dy javët e para. Pastaj i zgjasim dorën fëmijëve. Pensionistët i mbajnë fëmijët, sidomos ata jashtë, ndryshe do kishin marrë fund.

Një problem tjetër. Edhe pse ti mund të kesh më tepër lekë në xhep, siguron më pak të mira materiale. Kjo ka të bëjë me inflacionin. Kur norma e inflacionit rritet, kjo shifër zvogëlohet. Ai ndikon në mënyra të ndryshme te njerëzit. Disa vuajnë dhe të tjerët përfitojnë. Nga inflacioni vuajnë njerëzit që jetojnë me të ardhura fikse, mbasi çmimet rriten. Kjo çon në rritjen e kostos së jetesës. Për këtë arsye qeveria e ka për detyrë për të mbajtur të pandryshueshëm standardin e jetesës. Të paktën sa është norma e inflacionit. Me fjalë të tjera, një person që merr 20.000 lekë në muaj e inflacioni rritet me 5%, për të ruajtur të njëjtin nivel jetese ai duhet të marri 21.000. Kjo s’llogaritet na qeveria! Nga rritja e pensioneve tek ne përfitojnë mbi 640 mijë pensionistë. Numri i të moshuarve në Shqipëri pritet të rritet më shumë se dyfish në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Aktualisht pensionistët zënë mbi 24% të popullsisë. Kjo shifër tregon se Shqipëria po plaket! Të dhënat tregojnë se, plakja në Shqipëri do të ndodhë edhe më shpejt se në disa nga vendet më të vjetra. Shqipëria parashikohet të ketë popullsi më të madhe me moshën mbi 65 vjeç se sa vende të tilla si: Franca, Suedia, Serbia, Mali Zi e tjerë. Arsyeja, ulja e lindjeve e largimi masivisht i moshës së re.

2- Pensionistët, mbartës të një përvoje shumëvjeçare, profesionale e jetësore

Ata kanë një përvojë pozitive që i transmetohet të rinjve dhe i bën ata më të nderuar dhe respektuar nga gjithë shoqëria. Shumë të moshuar, edhe pse janë jashtë procesit të punës, luajnë një rol të rëndësishëm në shoqëri. Në këto kushte ata duhen përkrahur, ndihmuar, jo vetëm nga familja, por dhe nga shoqëria e sidomos nga shteti. Të majtët e quajnë veten parti e shtresave sociale. Vetëm të tillë s’po tregohen! Në dialektikë funksionon një ligj, sipas të cilit e reja e mohon të vjetrën, por nuk e asgjëson plotësisht, ajo merr pozitivet e të vjetrës e këto i çon përpara. Pra brezi i ri ka çfarë merr nga pensionistët Këto i ka për detyrë ta çojë më tej, ndryshe do mohohet zhvillimi. Për këtë qëndrim diskriminues, do t’ju dënojnë brezat e ardhshëm. Gjithmonë e më shumë sot po bëhet e domosdoshme të rritet interesimi i shoqërisë për të moshuarit. Ashtu si dhe fëmijët, edhe të moshuarit kanë nevojë për një shërbim në strukturë. Pra, krijimi i një rrjeti profesional bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare me fokus të moshuarit, do të ishte gjithashtu një tjetër arsye e fortë për përmirësimin e jetës së pensionistëve. Të dhënat më të fundit zyrtare nga Banka Botërore, tregojnë se rreth 57 % e shpenzimeve shëndetësore në Shqipëri paguhen drejtpërdrejt nga xhepi i familjeve, ndërsa buxheti i shtetit mbulon vetëm 43 %. Shumë pak për një vend s’i ky i yni!