Këtë harmoni të shkëlqyer fetare duhet ta forcojmë e përsosim çdo ditë

412
Presidenti Meta mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të studimit: “Toleranca fetare në Shqipëri”
Presidentit i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të studimit: “Toleranca fetare në Shqipëri”, i realizuar nga Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim dhe PNUD. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, z. Brian Williams, drejtues të komuniteteve fetare në vend, ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, etj. Në fjalën e rastit të mbajtur në këtë ceremoni, Presidenti Meta vlerësoi përpjekjen e rëndësishme të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe PNUD-it për të realizuar një studim që për nga natyra e brendia është i një rëndësie të veçantë jo vetëm për Shqipërinë.
Presidenti Meta: Pasqyrë e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vendin tonë
“Studimi serioz “Toleranca fetare në Shqipëri” përpiqet të japë një pasqyrë të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vendin tonë në ditët e sotme. Në dokumentin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 1912 është nënshkrimi i disa prej klerikëve më të mëdhenj të kohës; Dom Nikoll Kaçorri, Myftiu Vehbi Dibra, Bab Dud Karbunara etj. Këta, por edhe shumë të tjerë, hodhën themelet e shteti shqiptar “të mosvarun”, të bashkuar dhe bashkë përfshirës të të gjitha bashkësive fetare në vend”, – tha Presidenti i Republikës, duke theksuar rolin konstruktiv të udhëheqësve fetarë të vendit dhe i klerikëve në ndjekjen e traditës më të mirë të themeluesve të pavarësisë dhe në lartësinë e duhur historike të ndryshimeve demokratike në vendin tonë. “Institucionet shtetërore sot kanë detyrë dhe obligim mbështetjen e institucioneve fetare në vend, sepse roli i shtetit për të ruajtur dhe inkurajuar në të ardhmen jo vetëm bashkëjetesën, por dhe dialogun, bashkëpunimin e harmoninë e përditshme mes bashkësive, qytetarëve dhe besimtarëve është i pazëvendësueshëm dhe shumë i rëndësishëm. Kushtetuta e Shqipërisë garanton të drejtat e Bashkësive Fetare tradicionale në vend si edhe të grupeve më të vogla fetare dhe besimtarëve si individë. Këtë harmoni të shkëlqyer fetare nuk duhet ta marrim të mirëqenë përgjithmonë, por duhet ta forcojmë e përsosim çdo ditë”, – tha ndër të tjera gjatë fjalës së tij Presidenti i Republikës.
Institucionet shtetërore të mbështetin institucionet fetare
Institucionet shtetërore sot kanë detyrë dhe obligim mbështetjen e institucioneve fetare në vend, sepse roli i shtetit për të ruajtur dhe inkurajuar në të ardhmen jo vetëm bashkëjetesën, por dhe dialogun, bashkëpunimin e harmoninë e përditshme mes bashkësive, qytetarëve dhe besimtarëve është i pazëvendësueshëm dhe shumë i rëndësishëm. Kushtetuta e Shqipërisë garanton të drejtat e Bashkësive Fetare tradicionale në vend si edhe të grupeve më të vogla fetare dhe besimtarëve si individë. Marrëveshjet në fuqi me Selinë e Shenjtë si edhe me Bashkësitë Fetare janë një mur i fortë themeli ligjor, që u shërben si Bashkësive Fetare po ashtu edhe institucioneve shtetërore. Ligji për mbështetjen financiare të Bashkësive Fetare është një hap i rëndësishëm, por duhet bërë më shumë në këtë drejtim, me nisma mbështetëse, gjithnjë duke ruajtur pavarësinë e Bashkësive Fetare si dhe natyrën laike të institucioneve shtetërore. Është e domosdoshme të shtohen përpjekjet për kthimin e pronave bashkësive fetare, në mënyrë që ato të shtojnë burimet e tyre dhe pavarësinë nga ndikime të padëshiruara. Ndryshimet me ritme të shpejta në botën që jetojmë të imponuara nga epoka e globalizmit si dhe konfliktet e reja në disa rajone të Mesdheut dhe të Lindjes së Mesme, bëjnë që të përballemi me kërcënime të reja sikundër është terrorizmi me karakter fetar. Këtë harmoni të shkëlqyer fetare nuk duhet ta marrim të mirëqenë përgjithmonë, por duhet ta forcojmë e përsosim çdo ditë. Për këto arsye, na del si detyrë, të jemi gjithnjë e më shumë të vëmendshëm, të bashkëpunojmë më shumë me njëri-tjetrin, ta duam atdheun dhe Zotin me të njëjtën dashuri që kishin themeluesit e shtetit, tonë. Inkurajoj që bashkëpunimi midis Bashkësive Fetare, Institucioneve të Shoqërisë Civile, Institucioneve të Organizatave Ndërkombëtare në vend si dhe Institucioneve shtetërore të vazhdojë dhe të forcohet në të ardhmen.
Sigal