Këshilltari i kryeministrit dhe zv/ ministrja e Brendshme deklarojnë se kemi bërë gati qendrat e pritjes

754
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Këshilltari i Kryeministrit nuk e mohon: Kemi qendra kundër ekstremizmit, të bëhet rajonale

Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda: Kemi të gjithë kapacitetet për të pritur dhe trajtuar emigrantët e paligjshëm

Këshilltari i kryeministrit Edi Rama për Sigurinë, Sandër Lleshi, dje, duke dashur të përgënjeshtrojë lajmet që janë publikuar në shtypin e huaj dhe në shtypin shqiptar, për krijimin në Shqipëri (me bekimin e qeverisë së Ramës) të kampeve të riedukimit të ish-militantëve të ISIS, pohoi që në Shqipëri janë ngritur që në 2017-n qendra kundër ekstremizmit të dhunshëm, ku punojnë disa vetë. Gjithashtu, Këshilltari i kryeministrit Edi Rama për Sigurinë, Sandër Lleshi pohoi se qeveria e Ramës ka plane që këto qendra kundër ekstremizmit të dhunshëm të bëhen rajonale. Ja pohimi në ligjëratë të drejtë i këshilltarit të Kryeministrit Edi Rama për Sigurinë Sandër Lleshi: Duam që qendra të bëhet rajonale,” – tha Lleshi, i cili nuk bëri transparente, kur dhe pse qeveria i ka ngritur këto qendra kundër ekstremizmit në Shqipëri? Cilët janë trajnuar deri tani? Përse nuk është bërë deri tani transparente për shqiptarët? Përse qeveria e Ramës e mban të fshehtë? Këshilltari i Kryeministrit përse nuk sqaroi, si dhe përse këto qendra kundër ekstremizmit në Shqipëri do të bëhen rajonale? Kush do të vijnë të trajnohen në Shqipëri? Grekë, bullgarë, serbë, rumunë? Përse qeveria shqiptare nuk e bën transparente edhe këtë plan të saj? Mos vallë, dashur, apo padashur këshilltari i kryeministrit Rama për Sigurinë Sandër Lleshi, pohoi atë që tha kryeministri bullgar në Tiranë, ato që shkroi gazeta austriake, se në Shqipëri do të vijnë të riedukohen ish-militantë të ISIS-sit, në këto qendra kundër terrorizmit të dhunshëm? Në Shqipëri ndodhin përditë vrasje nga më të rënda, sikurse të dhunës në familje, vrasje për hakmarrje, vetëvrasje për shkak të varfërisë, apo për larje hesapesh, dhe qeveria shqiptare deri tani hesht dhe nuk vepron, thua se kjo dhunë ndërfamiljare apo edhe shoqërore nuk e shqetëson aspak, ndërkohë, që, në fshehtësi të plotë, qeveria e kryeministrit Rama ka hapur që nga 2017-ta qendra kundër terrorizmit të dhunshëm, pa bërë aspak transparente se cilët janë ata, që deri tani janë trajtuar dhe përse janë trajnuar?

Rovena Voda: Kemi mundësi për të pritur emigrantë

Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, në një intervistë televizive konfirmon se deri tani, qeverisë shqiptare nuk i është përcjellë një kërkesë e tillë nga partnerët. “Deri në këto momente nuk kemi asnjë njoftim zyrtar nga vendet të BE-së për ngritjen e një qendre të tillë në Republikën e Shqipërisë”, tha ajo. Ajo ka theksuar më tej se vendi ynë i ka të gjithë kapacitetet për të pritur dhe trajtuar emigrantët e paligjshëm që vijnë nga rajonet në konflikt “Pavarësisht numrit në rritje që ka pasur të emigrantëve të paligjshëm që kanë ardhur nga vendet e treta, kapacitetet tona deri tani e kanë përballuar këtë situatë”, u shpreh ajo. Media prestigjioze ndërkombëtare duke cituar burime brenda BE-së shkruan se përzgjedhja e Shqipërisë apo Maqedonisë bëhet për të dekurajuar emigrantët, pasi kalimi në shtetet anëtare do të jetë i vështirë.