Këshilli për Frrokun, PD: Mos ta drejtojë Meta, ka konflikt interesi

630
TIRANE – Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi ka dalë sot në një deklaratë për mediat ku ka thënë se krye parlamentari Ilir Meta nuk mund të drejtojë Këshillin për Mandatet dhe Imunitetin në mbledhjen e së cilit do të diskutohet për arrestimin ose jo të deputetit Mark Frroku.
Sigal

Halimi në deklaratën e tij tha se Meta ka konflikt të drejtpërdrejtë interesi pasi është i përfshirë në akuzat që rëndojnë mbi Mark Frrokun. Po ashtu deputeti Halimi tha se ka dorëzuar në Këshill një kërkesë që ky i fundit të mos drejtohet nesër nga Ilir Meta por të ketë një drejtues tjetër.

“Për PD është e paimagjinueshme të pengojë ecurinë e kërkesës së prokurorisë për të zhvilluar hetime ndaj çdo deputeti. Shkresën e kemi dorëzuar sot, mazhoranca të marrë masat për ta drejtuar dikush tjetër seancën nesër” – tha Halimi.

Më poshtë deklarata e plotë e Eduard Halimit

Tre deputetët e Partisë Demokratike në Këshillin e Rregullores, mandateve dhe imunitetit i kanë dërguar sot një letër Kuvendit, duke kërkuar që ky këshill ditën e nesërme të mos kryesohet nga Ilir Meta.

Nesër ky keshill do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Pergjithshme për arrestimin e deputetit Mark Frroku, por është fakt i njohur botërisht se Mark Frroku është dëshmimtari kyç ne çështjen tjetër që është në hetim, për vrasjen e ngelur në tentative të dy deputeteve të Parlamentit, njëri i PS dhe tjetri i PD, ku si i akuzuar i drejpërdrejtë është vetë Ilir Meta.

Drejtimi i këtij këshilli nga Ilir Meta, në procesin e shqyrtimit të arrestimit ndaj deputetit Mark Frroku që cilësohet prej organit të akuzës si dëshmitar kyç në çështjen Doshi-Meta, përbën pa as më të voglin dyshim një konflikt të hapur interesi, fakt ky i pranuar publikisht dhe nga Ilir Meta.

Partia Demokratike përsërit qëndrimin e saj koherent gjatë 10 viteve të fundit, se për PD, për deputetet e saj, është e paimagjinueshme të pengojë ecurinë e kërkesës së prokurorisë për të zhvilluar hetime ndaj çdo deputeti. Për këtë arsye, shkresën e kemi dorëzuar që ditën e sotme duke i krijuar mundësinë mazhorancës që të marrë masat e duhura për zhvillimin e seancës së nesërme dëgjimore, me një drejtues tjetër të këtij këshilli dhe jo Ilir Metën, dhe për të dëshmuar para qytetarëve një proces të rregullt, ligjor dhe transparent në prani të mediave.

Çdo devijim nga standardet e ndjekura deri tani gjatë këtyre 10 viteve, përfshi dhe seancat e javës së kaluar në këtë këshill, do të kompromentonte rëndë veprimtarinë parlamentare në përgjithësi dhe atë të këshillit të rregullores, mandateve dhe imuniteteve në veçanti.

Po ashtu, grupi parlamentar i PD ka kërkuar plotësimin e vendit vakant të opozitës në këtë këshill, në mënyrë që përbërja ditën e nesërme të jetë e plotë, siç kërkohet ekzaktësisht nga neni 13 i Rregullores së Kuvendit, në numra të barabartë deputetesh, të mazhorancës po aq dhe të opozitës