Këshilli kombëtar i PD-së/ Krijohet Aleanca për Mbrojtjen e Demokracisë, Basha: Asnjë pazar dhe negociata me Ramën kryeministër

472
Sigal

Këshilli Kombëtar i PD merr vendimin: Krijohet Aleanca për Mbrojtjen e Demokracisë

Këshilli Kombëtar i PD-së, ka vendosur krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë. Në vendimin e publikuar nga PD-ja, thuhet:

  1. Formimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel kombëtar dhe në nivel lokal, si një bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend, si dhe do të angazhohet për marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues.
  2. Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë do të angazhohet gjithashtu, që, përmes një dialogu gjithëpërfshirës kombëtar, të hartojë një platformë të ndryshimeve të thella politike, kushtetuese dhe zgjedhore për t’i dhënë fund, përgjithmonë, modelit kriminalo-autokratik të Edi Ramës, që përqendroi të gjithë pushtetin dhe pasuritë e vendit në një grusht pushtetarësh të korruptuar, oligarkësh grabitqarë dhe bandash mafioze, me qëllim që të vendosë standardet evropiane të demokracisë, shtetit të së drejtës, lirive ekonomike e mundësive për të gjithë dhe mbështetjes sociale për shtresat në nevojë.

Lulzim Basha: Nuk ka asnjë negociatë e asnjë pazar me Edi Ramën

Kryetari i saj, Lulzim Basha dje ka përgënjeshtruar çdo zë që flet për marrëveshje të tij me Edi Ramën. Dukë bërë të qartë se Edi Rama i përdor dezinformimin dhe thashethemet politike për të ngjallur dyshime dhe pasiguri. Lulzim Basha: Nuk ka asnjë negociatë me Edi Ramën. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me Edi Ramën. Nuk ka as ndërmjetës dhe as kanale të fshehta mes meje dhe Edi Ramës. Ka dy gjëra që duhet t’i dini qartësisht- iu drejtua lideri i opozitës anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

  1. Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm i yni. Kjo nuk ka ndryshuar.
  2. Dalja para drejtësisë e të gjithë atyre që vodhën votat tona, votat e shqiptarëve është kusht i panegociueshëm”, shtoi kreu i PD.

Duke theksuar këto dy pika që qëndrojnë në themel të kërkesave të opozitës, Basha u kërkoi anëtarëve të Këshillit Kombëtar të sqarojnë çdo demokrat dhe çdo qytetar që të mos bien pre e propagandës së Edi Ramës. “Ne nuk dolëm nga Kuvendi për të bërë pazar. Ne nuk bojkotuam zgjedhjet lokale për të bërë pazar. Ne nuk kemi shpallur largimin e Ramës për t’u ulur me të në tavolinë. Do të ishte çmenduri dhe nuk do të sillte asgjë të mirë për vendin”, tha kryetari i PD, Lulzim Basha.

Gazmend Bardhi:. Për pushtetin kriminal, sakrifikojnë rendin kushtetues, demokracinë

Gazmend Bardhi, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, deklaroi dje se Edi Rama për pushtetin e tij kriminal, sakrifikon, rendin kushtetues, demokracinë dhe paqen sociale.

Gazmend Bardhi: Edi Rama është sot njeriu më i rrezikshëm për stabilitetin e vendit, për funksionimin e shtetit ligjor dhe sigurinë e qytetarëve. Ai po provon çdo ditë se për pushtetin e tij personal, të blerë në bashkëpunim me krimin e organizuar, është gati të sakrifikojë gjithçka, rendin kushtetues, demokracinë, paqen sociale. Edi Rama ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese, ka asgjësuar Gjykatën e Lartë, ka asgjësuar Prokurorin e Përgjithshëm, ka marrë nën kontroll organet e reja të drejtësisë, përdor si instrumente politikë kundër kundërshtarëve politikë Shërbimin Informativ të Shtetit dhe Policinë e Shtetit, përdor si kamikazë kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme anëtarët e KQZ-së. Përgjimet tronditëse, të publikuara pak ditë më parë nga gazeta gjermane “Bild”, provuan se Edi Rama e mori dhe e mban pushtetin vetëm me ndihmën e krimit të organizuar dhe të bandave. Pakti i Edi Ramës me krimin është pakt për të vjedhur Shqipërinë. Bashkë me një grusht oligarkësh, ai e ka kthyer Shqipërinë në pronë private të tij. Për shkak të paktit të Edi Ramës me krimin, Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq të rrezikshëm, në të cilin demokracia dhe e drejta themelore e qytetarëve për të zgjedhur të lirë qeverisjen që duan, është drejt asgjësimit të plotë. Së bashku me elitën e shoqërisë, me qytetarët që duan ndryshimin e këtij sistemi të kalbur nga krimi dhe korrupsioni, së bashku me rininë që e do Shqipërinë si gjithë Evropa, ne po krijojmë Aleancën e vlerave, Aleancën me Qytetarët për Mbrojtjen e Demokracisë dhe Rendit kushtetues. Së bashku me elitën e shoqërisë, me qytetarët që duan ndryshimin e këtij sistemi të kalbur nga krimi dhe korrupsioni, së bashku me rininë që e do Shqipërinë si gjithë Evropa, ne do të mbrojmë parimet dhe vlerat themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, do t’i garantojmë vendit zgjedhje të lira e të ndershme.