Këshilli i Sigurisë…6 vjet pa u mbledhur, 10 kriteret e sigurisë së anëtarëve janë hequr nga ligji

1121
Sigal

Rasti i përfshirjes së një ushtaraku karriere në trafikun ndërkombëtar të drogës, e bën më shumë se kurrë urgjent mbledhjen e Këshillit të Sigurisë

Dje, në gazetën ‘Telegraf’, ushtarakë madhorë, drejtues e ish drejtues të lartë të ushtrisë shqiptare, duke analizuar rastin e përfshirjes së Majorit Sokol Feka në trafikun ndërkombëtar të drogës, shtruan domosdoshmërinë e marrjes së masave të sigurisë kombëtare të vendit, për shkak të rrezikut serioz, që vjen prej trafiqeve që kanë përfshirë edhe forcat bazë të sigurisë, strukturat ushtarake, që na fakt janë ‘komandoja udhëheqëse’ e strategjisë së sigurisë kombëtare. Si hap të parë të veprimit, ushtarakët e prononcuar dje në gazeta ‘Telegraf’, shtruan urgjencën e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nisur prej faktit që rast ‘Feko’, përbën skandal të rëndë me ‘shthurje’ për forcat e armatosura si strukturë e NATO. U tha se disa ditë më parë, Presidenti Nishani, mblodhi këshillin Kombëtar, por në fakt ishte një mbledhje formale pa asnjë platformë për sigurinë kombëtare. Fakti i fundit i një majori të ushtrisë, të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, flet për cënim të kësaj sigurie, për të cilën Këshilli Sigurisë ka vite që nuk mblidhet dhe ky fakt, përbënë një skandal më vete Po e nisim zbardhjen e skandalit me funksionim dhe përbërjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Shqiptare, me disa pyetje: Përveç detyrimit shabllon ligjor, a ka hartuar ky këshill politika sigurie kombëtare, në cilat drejtime dhe si i ka realizuar?

 Këshilli i Sigurisë duhet mbledhur çdo 3 muaj, por ka 6 vjet pa u mbledhur

 Pas aktit terrorist me 12 viktima dhe 10 të plagosur në mjediset e revistës së përjavshme satirike “Charlie Hebdo” në Paris, presidenti Bujar Nishani mblodhi urgjent Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të marrë masa kontrolluese e evituese ndaj rrezikut të ndonjë akti të tillë edhe në Shqipëri. Ajo që bie në sy në këtë mbledhje të autoritetit më të lartë Kushtetues të Sigurisë Kombëtare është skandali anti-Kushtetues, që ky këshill mblidhet pas 6 vitesh heshtje totale e mos funksionimi. Pra, Këshilli i Sigurisë Kombëtare ka 72 muaj pa u mbledhur, qysh nga mbledhja e fundit e 12 marsit 2008, kur në këtë mbledhje ishte i pranishëm me të drejta të plota edhe biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazlliç, i futur në mbledhjen e sigurisë kombëtare me “veton miqësore e familjare” të ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas rregullores së funksionimit, Këshilli Sigurisë Kombëtare duhet të mblidhet 1 herë në çdo 3 muaj edhe nëse nuk ka probleme me sigurinë kombëtare. Që prej vitit 2008, ky këshill nuk është mbledhur as 1 herë në vit, as në 2 e as në 3, apo 4 vjet. Sipas rregullores, këshilli i sigurisë, në 6 vite duhej të ishte mbledhur 24 herë, por nuk është mbledhur. Duhej atentati në Paris, që presidenti i Republikës të “zgjohej nga gjumi” e të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare, që në fakt më tepër ishte një mbledhje dekor, sa për t’i thënë NATO-s, SHBA e BE që… edhe “Shqipëria është e sigurt dhe vigjilente ndaj terrorizmit”. Mund të tolerohet çdo mbledhje, apo takim edhe ndërkombëtar, por nuk mund të tolerohet mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. A mund të thuhet, se Shqipëria nuk ka pasur probleme të sigurisë kombëtare në harkun kohor të 6 viteve 2008-2014? Ka pasur dhe madje shumë probleme me përmbajtje të plotë e të rrezikshme të (pa)sigurisë kombëtare. P sh, vetëm 3 ditë pas mbledhjes së fundit të  Këshillit të Sigurisë, në 15 mars 2008 ndodhi tragjedia e Gërdecit, që ishte “kokë e këmbë” akt i rëndë i pasigurisë kombëtare, madje me bazë krimin shtetëror, të organizuar piraterisht prej kupolës shtetërore e familjare që përbënte këtë këshill! Por këshilli nuk u mblodh për ngjarjen e Gërdecit, jo sikur të ishte hedhur në erë shteti, vendi e populli, por sikur të ishte plagosur ndonjë roje lavazhi! Ky këshill nuk u mblodh as në përmbytjet e viteve 2010, 2011, 2012 në Shkodër e Lezhë. As kur shpërthyen digat e 3 HEC-ve në zonën e Veriut. Këshilli nuk  u mblodh, as kur shteti copëtoi territorin detar shqiptar e ia fali Greqisë. Këshilli nuk u mblodh, as kur shteti dhe qarqet greke u futën dhunshëm në territorin shqiptar “Himarë” dhe e shpallnin atë “tokë e popullsi greke” dhe bënin thirrje publike e mediatike për aneksim fizik të Himarës! Nuk u mblodh as kur u bë regjistrimi fals i popullsisë dhe qarqet greke, serbe, maqedonase, malazeze e deri rumune kërkonin të ligjëroheshin si etni brneda Shqipërisë me numër popullsisë të sajuar! Nuk u mblodh as në 21 janar, kur garda dhe policia, me urdhër të pushtetit iu vërsul protestuesve me armë duke vrarë 4 e duke plagosur 157 prej tyre, ngjarje e cila krijoji kaos. Nuk është mbledhur, kur ish-qeveria, bllokoi linjën e intekonjeksionit elektrik, duke ia shitur atë klaneve serbe e duke vështirësuar kështu një nga pikat më strategjike të sigurisë kombëtare: sigurimin e energjisë! Këshilli nuk është mbledhur as kur qeveria u dha të huajve 326 koncensione të HEC-ve, as kur i dha të huajve anonim monopolin e sektorëve strategjikë të nxjerrjes së komit, hekurit, aeroprteve, porteve, çimentove, hidrokarbureve, bakrit e floririt. Janë shumë ngjarje e situata të rënda që jo vetëm kanë prekur, por kanë rrezikuar plotësisht sigurinë kombëtare shqiptare. Këshilli i sigurisë nuk është mbledhur për asnjë rast, duke qenë vetë anëtarët e këtij këshilli, që kanë krijuar këtë pasiguri kombëtare me ligjet dhe vendimet që ka marrë nga pozicionet shtetërore!

 

Ja 15, nga 84 detyrimet që provojnë se Këshilli Sigurisë nuk… siguron asgjë

 A kemi një Këshill Sigurie Kombëtare, që na siguron nga rreziqet që parashikon platforma kushtetuese e kësaj sigurie? A zbatohet minimalisht, ose qoftë formalisht detyrimi Kushtetues i platformës së Këshillit të Sigurisë? Së pari, siç e thamë Këshilli Sigurisë, nuk është mbledhur prej 6 vitesh, për rrjedhojë nuk mund të ketë aktivitet, ose zbatim detyrimesh kushtetuese. Po flasim konkretisht, se çfarë detyrimesh ka këshilli Sigurisë Kombëtare. Sipas Ligjit Nr. 9322, datë 25.11.2004 “Për miratimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të republikës së Shqipërisë”, hartuar në mbështetje të neneve 12, 78, 83 pika 1, 168 dhe 169 të Kushtetutës, shpallur me Dekretin Nr. 4424, datë 14. 12. 2004 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, Këshilli Sigurisë Kombëtare, ka këto detyrime, disa prej të cilave po i bëjmë prezent, duke i ballafaquar me realitetin shqiptar:

1. Propagandimin, edukimin dhe mbrojtjen e vlerave historike, kulturore, morale e shpirtërore që ngrenë lart dinjitetin e Kombit. A mbrohen këto vlera?

2. Mbron dhe respekton me ligj të drejtat dhe liritë e njeriut. A ka shkelje të drejtash të shqiptarëve edhe nga shteti shqiptar?

3. Republika e Shqipërisë synon të jetë një faktor stabiliteti e paqeje në rajon. A mund të jetë faktor paqeje në rajon, kur shteti, pushteti e politika, krijon konflikte brenda vendit?  4. Tipari dhe detyrimi themelor i Strategjisë së Sigurisë është respektimi i shtetit ligjor. Nuk mund të flitet për zbatim të shtetit ligjor në Shqipëri, kur Shqipëria nuk ka vendosur akoma shtetin ligjor.

5. Strategjia e menaxhimit kombëtar të burimeve ekonomike mbi e nëntokësore, duke u konsideruar burime strategjike që nuk duhen kaluar si pronësi në duart e të huajve. Por nëntoka dhe mbitoka e burimeve shqiptare është monopol pasurimi e burimesh jetese në duart e të huajve për ekonomitë e vendeve të huaja, dhënë prej shtetit shqiptar, në mënyrë anti-kushtetuese.

6. Goditja e krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit. A po luftohet korrupsioni dhe bazat e trafiqeve që kontrollohen nga kupolat politike e shtetërore?

7. Mbrojtja dhe rigjenerimi i natyrës shqiptare, për kushte të favorshme për jetesë për qytetarët dhe përfitime për shoqërinë. A ka ndërhyrje ligjore për mbrojtjen e mjedisit, a ka mbetur ndonjë metër katror mjedis, pyll, lum, bregdet, park qyteti, park kombëtar, kodra e male pa u shkatërruar?

8. Zhvillimi i ekonomisë kombëtare. A po zbatohet ky detyrim strategjik për pavarësi kombëtare?

9. Zgjidhja në afate optimale e problemeve jetike të popullsisë. Shqipëria është rekord botëror për problemet jetike të popullatës.

10. Bashkëpunimi i ngushtë pozitë-opozitë për çështje të rëndësishme të sigurisë kombëtare. Nuk ka asnjë koment, mbasi dihet që pozitë-opozitë kanë 24 vjet që nuk bëjnë asnjë bashkëpunim për interesat dhe sigurinë kombëtare, madje krijojnë precedent dhe situata për të cënuar këtë siguri, që të fajësojnë njëra-tjetrën për kapital politik e jo për interes kombëtar.

11. Fatkeqësitë natyrore, si një rrezik për sigurinë e Republikës së Shqipërisë, në shumë raste fatkeqësish në det, tokë e ajër, ku kulmi është me ngjarjen e 9 janarit 2004 në Karaburun ku u mbytën 20 klandestinë e kur kryeministri luante bixhoz në Greqi dhe e tragjedia e përmbytjeve të viteve 2010, 2011, 2012 në Shkodër e Lezhë, kur qeveria hapi digat e HEC-ve për pazare mafioze, ndërsa Këshilli i Sigurimit nuk u mblodh fare për këto ngjarje.

12. Një element kryesor i sigurisë kombëtare, janë lëvizjet e pakontrolluara të popullatës nga zonat rurale të vendit drejt qendrave urbane, duke lënë pa popullsi zona të shumta. Jo vetëm që nuk është kontrolluar ky proces, por këto lëvizje masive, po legalizohen me ligj! 13. Dezinformimi i opinionit publik nxit dhe shkakton destabilitetin. Kjo ka ndodhur disa herë me pasoja të rënda dhe vazhdon të ndodh edhe nga shteti e politika dhe këshilli sigurisë nuk ndalet të veproj!

14. Zhvillimi i pamjaftueshëm i arsimit, shkencës dhe kulturës

përbën rrezik për sigurinë e Republikës së Shqipërisë. Ky është realitet i hidhur e kaotik në Shqipëri, përse nuk mblidhet këshilli?

15. Ndotja e mjedisit dhe sëmundjet me karakter masiv janë rrezik për jetën e njerëzve dhe sigurinë e Republikës së Shqipërisë.

 

10 kërkesat për të qenë anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare

 Jo vetëm në institucione qendrore shtetërore që kanë në dorë sigurinë kombëtare, por edhe në krye të komunave, bashkive e zyrave të tjera që kanë lidhje me çështjet dhe zhvillimet e interesave kombëtare,m sipas ligjit, duhet të përzgjidhen e emërohen persona që kanë “pasaportë sigurie”. Sipas informacionit, tonë, asnjë nga 13 anëtarët e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, nuk është i pajisur me “certifikatë sigurie” prej institucioneve ligj zbatuese e verifikuese të shtetit. Sipas ligjit në fuqi, përfaqësimi si anëtar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, nuk bëhet me “pastërti figure”, por verbalisht me ligj, si drejtues institucionesh. Paçka se kanë ose jo “siguri” drejtuesit e institucioneve shtetërore që përbëjnë këshillin e sigurisë, ata janë automatikisht anëtarë të këtij këshilli si funksione zyrtare e jo si persona. Të 13 anëtarët e këshillit të sigurisë janë pa certifikatë sigurie personale, ndërsa 8 prej tyre nuk janë të sigurt për të qenë përfaqësues në këtë këshill. Ka 10 kritere të detyrueshme për zbatim, të cilat qëllimisht nuk janë pasqyruar në asnjë nga 3 ligjet për funksionimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që nga Ligji Nr. 8671, datë 26.10.2000, Ligji Nr. 9322, datë 25. 11. 2004 dhe Ligji Nr. 64/2014, datë 26.6.2014.

 Kriteret për të qenë pjesë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, janë këto:

  1. Të mos jesh ish-bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.
  2. Të mos jesh ish-agjent ose agjent aktual i shërbimeve të huaja
  3. Të mos kesh shërbyer në misione jo shqiptare, jashtë vendit

4. Të mos kesh qenë rezident, më tepër se 1 vit jashtë Shqipërisë

  1. Të mos kesh shërbyer as si punonjës i thjeshtë në shërbime sigurie private, ose  publike gjatë qëndrimit jashtë Shqipërisë.
  2. Të mos disponosh shtetësi të huaj, ose dy shtetësi paralele.
  3. Të Mos jesh person i dënuar ose i penalizuar nga drejtësia në zbatimin e detyrave në funksionet që ke pasur ose ke.
  4. Të mos jesh pjesë e asnjë përfaqësimi fetar
  5. Të mos jesh ushtrues, zotërues biznesi, ose pjesë e grup-biznesi brenda e jashtë Shqipërisë.
  6. Të mos kesh ndryshuar e fshehur asnjëherë identitetet personale, për çfarëdo motivi e shkaku.

Përparim HALILI